2010-04-19 17:26:25

Dreka e Papës me kardinajtë në pesëvjetorin e zgjedhjes. Përshëndetja e kardinalit Sodano: “Ad multos Annos”


(19.04.2010 RV)Një rast për ta falënderuar Benediktin XVI, me dashuri vëllazërore, në pesëvjetorin e papnisë: me këtë frymë dekani i Kolegjit Kardinalor, kardinali Anxhelo Sodano, shtroi sot në Sallën Dukale të Pallatit Apostolik, një drekë për nder të Papës. Rreth Atit të Shenjtë, 60 kardinajtë me seli në Romë e, shpirtërisht, edhe 121 kardinajtë e shpërndarë në të katër anët e botës. Duke e uruar Papën në emër të të gjithëve, kardinali Sodano, në radhë të parë, e falënderoi Benediktin XVI për shërbimin e tij ndaj Kishës e botës. Një mision – vijoi Hirësia e Tij - që Papa e çon përpara me bujari të madhe. Kolegji kardinalor – pohoi Kardinali Sodano – është një familje e madhe, gjithnjë e lidhur ngushtë me pasardhësin e Shën Pjetrit dhe e impenjuar për të jetuar me frymë bashkimi të anasjelltë vëllazëror. Sigurisht – vërejti Hirësia e Tij – nuk mund të harrohen sfidat e botës moderne, që duhet t’i përballojë çdo dishepull i Krishtit. Por – vijoi – na ndihmon drita e shpresës së krishterë, me sigurinë se hiri i Zotit vijon të veprojë mes nesh! Ky besim në Provaninë Hyjnore – kujtoi më pas – e udhëhoqi gjithnjë edhe kardinalin Tomas Špidlík, që ndërroi jetë të premten e kaluar. Kardinali Sodano, në përfundim, i shprehu edhe një herë Papës mirënjohjen për mesazhin e shpresës dhe e mbylli fjalën e tij me urimin e përzemërt: “Ad Multos Annos!”- “Për shumë vjet!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.