2010-04-18 18:59:43

Dashuria e Zotit shpëton e jo teknologjia; mos e lini veten në dorë të zërave që duan ta mënjanojnë fenë, tha Ati i Shenjtë në Floriana.


(18.04.2010 RV)Sot paradite, Sheshi i Hambarëve në Floriana nuk mjaftoi për 50 mijë besimtarët, që morën pjesë në Meshën e kremtuar nga Ati i Shenjtë. Priteshin vetëm 15 mijë. Gjatë homelisë, Papa u kërkoi maltezëve të mos shqetësohen nga zërat, që i ftojnë ta lënë mënjanë fenë. Nuk është teknologjia që shpëton – tha Benedikti XVI – por dashuria e Zotit. E nuk ka asnjë çast të jetës së njeriut, që nuk varet prej Hyjit. Vetëm Zoti e di rrugën, që na çon drejt një porti të sigurtë, theksoi Papa, duke iu referuar historisë së Shën Palit e të shokëve të tij, të cilët po mbyteshin në det, por Zoti i çoi drejt ishullit, ku Apostulli i Popujve themeloi bashkësinë e parë të krishterë në vitin 60 pas Krishtit.RealAudioMP3

Madhështore, pamja që ofronte sot paradite Sheshi i Hambarëve. Në të majtë të kishës së Shën Publit, elteri i Meshës, i mbrojtur nga një strehë dhe i inkuadruar në një seri kornizash të bardha bashkëqendrore. Edhe ato përmbylleshin brenda një gjysëmrrethi, që ngjante me një hoste gjigante. Pranë kryeipeshkvit të Maltës, imzot Paul Kremona dhe ipeshkvit të Gocos, imzot Mario Greh, Benedikti XVI kremtoi sëbashku me 800 meshtarë Meshën e Shenjtë, duke iu kthyer në homelinë e vet përvojës së Shën Palit, aq shumë e ndërthurur me historinë e maltezëve. Duke kujtuar çastet dramatike, para mbytjes së anijes së Apostullit, Papa theksoi se Shën Pali i këshilloi edhe të tjerët të kenë besim vetëm tek Zoti. Kështu duhet të bëjmë edhe ne, vazhdoi Ati i Shenjtë:
“Na tundon mendimi se teknologjia e sotme e përparuar mund t’i përgjigjet çdo dëshire e të na shpëtojë nga rreziqet. Por, nuk është kështu. Në çdo çast të jetës varemi krejtësisht nga Zoti, në të cilin jetojmë, lëvizim dhe ekzistojmë. Vetëm Ai mund të na mbrojë nga e keqja, vetëm Ai mund të na udhëheqë në stuhitë e jetës e vetëm Ai mund të na çojë drejt një porti të sigurtë, siç bëri për shën Palin e shokët e tij, që po mbyteshin në brigjet e Maltës”.
Janë brigje ku kanë zbarkuar shumë udhëtarë, vërejti Papa, por jo të gjithë kanë sjellë veç të mira. Ati i Shenjtë i lavdëroi maltezët, të cilët kanë ditur të zgjedhin më të mirat e gjërave që shekujt kanë sjellë në këtë vend dhe i nxiti të vazhdojnë në këtë rrugë:
“Jo gjithçka që na propozon bota sot ka aq merita sa të pranohet nga maltezët. Shumë zëra përpiqen të na bindin ta lemë mënjanë fenë në Zotin e në Kishën e Tij e të zgjedhim ne vetë vlerat dhe besimin me të cilin të jetojmë. Na thonë se nuk kemi nevojë për Zotin e për Kishën”.
Përkundrazi, shpjegoi Papa, në çdo fushë të jetës kemi nevojë për ndihmën e hirin e Zotit. Benedikti XVI nguli këmbë që maltezët ta dëshmojnë pasurinë e thellësinë e dhuratës së marrë nga Shën Pali para kujtdo që shkel në ishull:
“Çdo vizitor i Maltës duhet të impresionohet nga devocioni i njerëzve të saj, nga feja e gjallë që duket në kremtimet e ditëve të festës, nga bukuria e kishave dhe e shenjtëroreve. Kjo dhuratë duhet të ndahet me të tjerët, duhet shprehur”.
Edhe më i fortë u bë toni i Benediktit XVI, kur reflektimi i tij u ndal në rolin e meshtarëve. Më 9 maj 2001, në Sheshin e Hambarëve pati ardhur Papa Gjon Pali II për të shpallur të Lum një figurë shumë të dashur për maltezët, Dun Xhorxh Preka. Duke iu drejtuar priftërinjve, Benedikti XVI tha:
"Merreni si model dhe frymëzim për ju, ndërsa kryeni misionin për t’u kujdesur për grigjën e Zotit. Kujtoni edhe pyetjen që Zoti i Ringjallur, për tri herë, i bëri shën Pjetrit: “A më do?” Kjo është pyetja që Ai i drejton secilit. A e doni? A dëshironi t’i shërbeni duke dhuruar krejt jetën?”…Bashkë me Pjetrin kini guximin të përgjigjeni: “Po o Zot, ti e di që të dua” dhe pranojeni me mirënjohje detyrën madhështore që iu ka dhënë”.

Duartrokitjet e shoqëruan Atin e Shenjtë edhe gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore. Papa kujtoi devocionin e madh të maltezëve për Zojën e Bekuar, e cila nderohet veçanërisht në shenjtëroren e ishullit të Gocos, dhe vendosi një trëndafil të artë në këmbët e shtatores së Zojës pranë elterit, në shenjë dashurie e nderimi. Benedikti XVI u kërkoi të pranishmëve të luten edhe për të Lumin Bernardo Françesko de Hovos, që u ngrit në nderimet e elterit sot në Spanjë.







All the contents on this site are copyrighted ©.