2010-04-17 13:57:39

Shën Publi


(17.04.2010 RV)Publo do të thotë ‘i pari’ i ishullit: në Veprat e Apostujve (Vap. 28, 7-10) për të lexojmë: “Në afërsi të atij vendi ishte malli i kryetarit të ishullit, që quhej Publios. Ai na priti e na përbujti bujarisht për tri ditë. I ati i i Publit ishte në shtrat ndër ethe e i sëmurë nga barku i keq. Pali hyri tek ai, u lut, e bekoi, duke vënë duart mbi të dhe e shëroi. Pas kësaj ngjarjeje filluan të vijnë edhe të sëmurë të tjerë të ishullit e shëroheshin. Ata, atëherë, na bënë nderime të shumta e, kur rimorëm lundrimin, na sollën ushqimet, që na nevojiteshin”.
Kështu Publi qe maltezi i parë, që u kthye në krishterim nga vetë Shën Pali.
Më pas Apostulli i Popujve e shuguroi ipeshkëv. U bë kështu, edhe Bariu i parë, në krye të grigjës malteze e, më pas, edhe martiri i parë, sepse derdhi gjakun për Krishtin në Athinë. Kisha e Shën Publios, në të cilën kremtohet çdo 18 prill festa e Shenjtit, do të jetë e zbrazët e do të shërbejë si sakresti për Papën dhe grupin që e shoqëron, sepse Mesha do të kremtohet në Sheshin e Hambarëve të lashtë në Florianë. Është sheshi më i gjerë i ishullit, ku mbahen kremtime të mëdha civile e fetare e mund të zërë reth 10 mijë besimtarë. Këtu, më 9 maj 2001, gjatë shtegtimit të tij apostolik jubilar në Greqi, Siri e Maltë në gjurmët e Shën Palit, Gjon Pali II kremtoi Meshën Shenjte me ritin e lumnimit të Atë Gjergj Prekës, themelues i Shoqërisë së Doktrinës së Krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.