(17.04.2010 RV)Nga Veprat e Apostujve: Anija thyhet (Vap 27, 39-44) Kur
zbardhi drita, detarët nuk e njohën tokën. Hetuan një gji në breg të rrafshët dhe
vendosën, në se do të ishte e mundur, ta shtinin anijen atje. I zgjidhën spirancat
dhe i lanë në det. Njëkohësisht zgjidhën edhe të lidhmet e timonit, e ngrehën velin
paranik në drejtim të erës dhe u drejtuan kah bregu. Po hasën në cekinë e anija u
ngul në rërë: pjesa e parë e ngelur, nuk luante vendit, kurse kiçin e shkallmonte
stuhia e valëve. Atëherë ushtarët menduan t’i mbysin të burgosurit, prej frikës
se ndonjeri prej sish, pasi të shpëtojë me not, do të ikë. Por centurioni, me që donte
ta shpëtonte Palin, nuk i la ta çojnë në vend këtë mendim: u dha urdhër atyre që dinin
not, të hidhen të parët në ujë e të dalin në tokë, kurse të tjerët, të shpëtonin kush
me dërrasa e kush me copa të thyera të anijes. Kështu dolën të gjithë në tokë shëndosh
e mirë.
Pali në ishull të Maltës (Vap 28, 1-6) Vetëm pasi shpëtuam
e morëm vesh se ishulli quhej Maltë. Vendasit na treguan një njerëzi të jashtëzakonshme.
Ndezën një zjarr të madh e na afruan të gjithëve përreth tij, sepse kishte filluar
të bjerë shi e bënte ftohtë. Pali mblodhi një krah rrozga e i qiti në zjarr. Kur ja,
prej të nxehtit doli një gjarpër e iu kap për dore. Kur vendasit panë se si gjarpri
i varej për dore, i thanë njëri-tjetrit: “Ky me siguri qenka vrasës: i shpëtoi detit,
por drejtësia nuk e lë të jetojë!”. Pali e shkundi gjarprin në zjarr e nuk ndodhi
kurrnjë e keqe. Ata prisnin se menjëherë do të ënjtet e do të bjerë vdekur, porse,
mbas një pritjeje të gjatë, panë se atij s’po i ndodh asgjë e jashtëzakonshme. Atëherë
ndërruan mendin e thoshin: “Qenka hyj”.