2010-04-17 12:06:14

Papët e Malta.


(17.04.2010 RV)Shërbëtori i Zotit Gjon Pali II ka qenë tri herë në Maltë. Vizita e tij e parë apostolike në vend zgjati nga 25 deri më 27 maj 1990. Tre muaj më pas, më 1 shtator 1990, avioni papnor bëri një ndalesë teknike në Ishull, në fillim të shtegtimit për Afrikë (Tanzani, Burundi, Ruanda e Jamasukro, në Bregun e Fildishtë). Së fundi, më 8 e 9 maj 2001, Papa Vojtila, gjatë shtegtimit të tij apostolik jubilar në Greqi Siri, në gjurmët e Shën Palit, u ndalua edhe në Maltë, ku kremtoi Meshën Shenjte me ritin e lumnimit të Atë Gjergj Prekës, themelues i Shoqërisë së Doktrinës së Krishterë.
Është vizita e katërt papnore në Maltë, pas tri vizitave të Gjon Palit II, më pak se një vit pas përfundimit të Vitit kushtuar Shën Palit (28 qershor 2008 - 29 qershor 2009), shpallur nga Papa Racinger për kremtimin e dymijëvjetorit të ditëlindjes së Apostullit të Popujve i cili, sipas historianëve, duhet të ketë lindur ndërmjet viteve 7 e 10 pas Krishtit. Ndërsa shtegtimi, që nisi sot, i kushtohet 1950-vjetorit të mbytjes së anijes, me të cilën udhëtonte Shën Pali në arkipelag. Sipas traditës, anija duhet të jetë mbytur në vitin 60, gjatë udhëtimit të Shenjtit drejt Romës. Apostulli i Popujve – lexojmë në Veprat e Apostujve – u prit me humanitet të madh nga popullsia vendase. Këtu u ndalua tre muaj, para se të nisej për Sicili. Më 16 qershor 2005, Benedikti XVI, duke pritur ambasadorin e ri maltez pranë Selisë së Shenjtë, kujtoi rrënjët e thella të krishtera të Maltës, trashëgimi vlerash kulturore e fetare, mbi të cilat mund të ndërtohet një ardhmëri me solidaritet e paqe. Krijimi i një Evrope të bashkuar e solidare – pati nënvizuar – është detyrë e të gjithë popujve që banojnë në këtë shtëpi të përbashkët. Evropa duhet të dijë t’i harmonizojë interesat legjitime të çdo kombi, me kërkesat e së mirës së përbashkët të mbarë Kontinentit.







All the contents on this site are copyrighted ©.