2010-04-17 19:59:18

Papa gazetarëve, në avion, gjatë fluturimit për në Maltë.


(14.04.2010 RV)Lidhur me fjalët e Papës drejtuar gazetarëve, Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, saktësoi: “Në këtë çast jemi para shumë vështirësive e shumë mëkateve, ndërmjet të cilave, kriza e shpërdorimeve, e për ta mendonte Papa, duke folur për mbytjen e për korpin e plagosur, por duke theksuar edhe forcën shëruese, që vjen nga Ungjilli”.

Atë Lombardi:
Të dashur miq, ja pra, Shenjtëria e Tij është sërisht me ne, për të parin nga pesë shtegtimet e këtij viti, që janë tashmë në program. Jemi shumë të kënaqur, që është me ne edhe në fillim të këtij shtegtimi, sepse mund t’i bëjmë edhe urimet për dy përvjetore të këtyre ditëve, për atë të djeshmin, të ditëlindjes, e për atë të së hënës së ardhshme. Papa i mori pyetjet, që ia paraqitën disa nga ju e, prandaj, do të bëjë disa reflektime, do të japë disa mendime, mbi bazën e pritjeve tona. Nuk do të ndjekim skemën e herëve të tjera pyetje-përgjigje, pyetje-përgjigje. T’ia lemë Papës të na përgjigjet përmbledhtas.

Papa:
Të dashur miq, mirëmbrëma, të urojmë një udhtim të mbarë, pa këtë re të errët që dyndet mbi një pjesë të Evropës.
Atëherë, pse ky udhëtim në Maltë? Shkaqet janë të shumta.
I pari është Shën Pali. Përfundoi Viti kushtuar Apostullit në Kishën universale, por Malta kremton 1950-vjetorin e mbytjes së anijes, me të cilën lundronte; e ky për mua është një rast për të vënë në dukje figurën e madhe të Apostullit të Popujve, mesazhin e tij të rëndësishëm, pikërisht edhe për sot. Mendoj se mund ta sintetizoj thelbin e shtegtimit të tij, me fjalët që përdori ai vetë për këtë sintezë, në fund të Letrës drejtuar Galatasve: feja, që vepron me dashuri!
Këto kanë rëndësi edhe sot: feja, marrëdhënia me Hyjin, që shndërrohet, pastaj, në dashuri. Por mendoj se edhe mbytja e anijes na flet. Nga mbytja e anijes, Malta pati fatin të ketë fenë; kështu mund të mendojmë edhe ne, se përmbytjet e jetës mund të përbëjnë planin e Zotit për ne e mund të jenë edhe të nevojshme për fillesa të reja në jetën tonë.
Arsyeja e dytë: më pëlqen të jetoj në mes të një Kishe plot gjallëri, si kjo e Maltës, e cila është plot me thirrje edhe sot, plot me fe, në një kohë si jona; e gatshme për t’iu përgjigjur sfidave. E di se Malta e do Krishtin, se e do edhe Kishën, që është Korpi i Tij; e di se ky Korp është plagosur nga mëkatet tona, por edhe se Zoti e do këtë Kishë e Ungjilli i tij është forca e vërtetë, që pastron e shëron.
E treta: Malta është pika ku arrijnë rrymat e refugjatëve nga Afrika, për të trokitur në portat e Evropës. Ky është problem i madh i kohës sonë, e natyrisht nuk mund të zgjidhet nga ishulli i Maltës. Ne të gjithë duhet t’i përgjigjemi kësaj sfide, të punojnë që të gjithë të munden, në tokën e tyre, të jetojnë një jetë dinjitoze e, nga ana tjetër, të bëjmë të mundur që këta refugjatë të gjejnë, atje ku arrijnë, një hapësirë jete dinjitoze. Përgjigje, që i jepet një sfide të madhe të kohës sonë: Malta na kujton këto probleme e na kujton edhe se pikërisht feja është forca që jep dashuri e, prej këndej, edhe fantazi, për t’iu përgjigjur mirë kësaj sfide. Faleminderit!

Atë Lombardi:
Ju falënderojmë, e udhtim të mbarë atëherë! Do ta shoqërojmë edhe ne Papën me punën tonë e me informacionin tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.