2010-04-17 13:56:56

Malta.


(17.04.2010 RV)Malta, shtet i pavarur që nga viti 1964 e Republikë, që më 13 dhjetor 1974, është anëtare e Bashkimit Evropian nga 2 maji i vitit 2004. Dy partitë kryesore (Nacionaliste e Laburiste) i zëvendësojnë njëra-tjetrën në pushtet. Dhoma e Përfaqësive me 65 anëtarë të zgjedhur e me mandat për 5 vjet, zgjedh, me mazhorancë, Presidentin e Republikës. Kryeministër është kryetari i partisë, që siguron mazhorancën gjatë zgjedhjeve.
Kufijtë dhe shtrirja gjeografike: Arkipelagu mesdhetar, ndërmjet bregdetit sicilian e atij tunizian, përfshin ishullin e Maltës, të Gozos (Ghawdex), të Kominos (Kemmuna) e disa të tjerë, më të vegjël. Territori është i përthyer, me bregdet malor, të dhëmbëzuar.
Malta është anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtimin, e Komonuelthit, e Këshillit të Evropës, e OKB-së, OSBE-së, BE-së, e WTO-së (Organizatës Botërore të Tregtisë).
Kryeqyteti është Valleta, me 7. 200 banorë.
Qytete të tjera të rëndësishme: Mdina (450 banorë brenda mureve të kryeqytetit të lashtë); Rabat, me 13 mijë banorë; Floriana, Senglea, Kospikua, Vitorioza, Çitadela, Viktoria.
Gjuhë zyrtare është ajo malteze, por përdoret shumë edhe gjuha angleze.
Sipërfaqja e arkipelagut është 315,6 kilometra katrore.
Popullsia: 443. 000 banorë (95,3% e popullsisë banon në qytete).
Grupet etnike: maltezë 93%, anglezë 2,1%, arabë 2%, italianë 1,5%, të tjerë 0,6%.
Besimi kryesor është ai katolik (94,4%); të tjerët përbëjnë 5,6% të popullsisë.
Monedha: që nga 1 janari i vitit 2009 Malta përdor euron.
PBB (Prodhimi i Brendshëm Brut)/banorë: 15. 293 dollarë në vitin 2006.

Gjetjet më të lashta arkeologjike në trojet e sotme të Maltës, janë tempujt megalitikë, ndërtuar rreth 3. 600 vjet para Krishtit. Në vitet 800-480 para K. ishulli u kolonizua nga fenikasit, të cilët e quajtën “MLT”, që do të thotë ‘strehim’, për shkak të portit natyror të Valetës. Në vitin 218 para K u pushtua nga romakët. Këtu, në vitin 60 para K. u mbyt anija, me të cilën shtegtonte Shën Pali, në përpjekjen për ta përhapur krishtërimin në të katër anët e botës së asokohshme. Më pas Ishulli ra në dorë të bizantinëve (395-870), të arabëve (deri më 1090), normanëve (deri më 1194), svevëve gjermanikë (deri më 1266), anzhuinëve (deri më 1283), kur Malta kaloi nën kurorën e Aragonës.
Rregulltarët e parë të krishterë, që u vendosën në ishull, ishin françeskanët. Më 1370 ata themeluan kuvendin e tyre të parë, në Rabat. Më 1418 arritën edhe karmelitanët e kështu me radhë: më 1460 u themelua kuvendi i parë augustinian; më 1530 perandori Karli V ia lëshoi arkipelagun Kalorësve të Urdhërit të Shën Gjonit, të cilët u detyruan të largohen nga Rodi, pas rrethimit nga Sulltan Sulejmani.
Në vitin 1565 Malta u rrethua nga flota otomane: nën drejtimin e Mjeshtrit të madh La Valetë, 540 kalorës e 4 mijë maltezë i bënë ballë 48 mijë ushtarëve e detarëve otomanë, derisa arritën përforcime nga Sicilia. Në vitin 1566 u hodhën themelet e Kryeqytetit, që mori emrin e “La Valetë”, për nder të Mjeshrit të Madh të Urdhërit të Shën Gjonit, që e kishte shpëtuar nga rreziku otoman.
Më 1588 këtu arritën kapuçinët, pas të cilëve, më 1592, jezuitët. Më 1798 Napoleon Bonaparti pushtoi ishujt, duke dhunuar asnjanësinë e Urdhërit: kalorësit u larguan nga Malta e u strehuan në Trieshtë.
Me Traktatin e Parisit të vitit 1814, Malta kaloi nën Kurorën britanike.
Më 1903 u miratua Kongregata e Bijave të Zemrës së Krishtit për edukimin e vajzave të varfëra. Më 1907 themelohet Shoqata e Doktrinës së Krishterë nga ana e Gjergj Prekës (1880-1962), shpallur shenjt nga Benedikti XVI, më 3 qershor 2007, në Romë.
Më 1942 Malta bombardohet rëndë nga aviacioni gjerman e ai italian; dekorohet , më pas, me “George Cross” nga mbreti Gjergji VI.
Malta u shpall e pavarur nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1964.
Më 1981-87 u krijua një atmosferë tensioni ndërmjet qeverisë laburiste e Kishës katolike, lidhur me pronat kishtare dhe shërbimin falas të shkollave katolike: Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Kishës. Më 1989 Selia e Shenjtë dhe Malta nënshkruan Marrëveshjen për arsimin dhe edukatën katolike në shkollat shtetërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.