2010-04-17 12:04:41

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Pashkëve


(17.4.2010 RV)Ja përsëri në takimin tonë të së shtunës me Fjalën e Zotit që kremtohet e kumtohet në Meshën Shenjte të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 3-të Pashkëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Mendimi që mbizotëron liturgjinë e kohës së Pashkëve është prezenca e Jezusit të Ngjallur. Kjo është e vetmja gjë që na intereson e që ka rëndësi, sepse kemi nevojë për Të. Vetëm për Të.
Krishti i Ngjallur është i pranishëm në histori, ndërhyn realisht në ngjarjet njerëzore e sidomos atëherë kur “peshkimi” është i pafrytshëm, atëherë kur punët nuk ecin për së mbari, atëherë kur gjendemi me duar thatë pas mundimeve që kemi bërë për të arritur diçka, atëherë kur mbyllemi në vetmi tona absurde, duke harruar premtimin e Tij, se është me ne gjithmonë.
Sikur do të vërejmë më vonë, edhe në këtë diele të III-të të Pashkëve, pjesët biblike që kumtohen në Meshën Shenjte, vazhdojnë të na paraqesin përjetimin dhe eksperiencës e Pashkëve, duke e zgjatur në mënyrë të këndshme takimin shpirtëror në fe me Krishtin e Ngjallur, i cili na bën të gjithëve protagonist, secilin prej nesh në kushte e rrethana të veta e të ndryshme. Jezusi e ripërtërinë thirrjen e tij bërë apostujve dhe thirrja e Tij i bind që të bëhen peshkatarë njerëzish.
Kështu pra, rezultati përfundimtar i takimit tonë me të Ngjallurin është shkëndija që e ndez dhe bën të rritet e të shtohet e mira e përbashkët.
Pjesa ungjillore e kësaj së diele nga Gjon Ungjilltar (Gjn 21,1-19), na tregon për dëftimin e tretë të Jezusit ë Ngjallur në liqe, në vendin e gjatë punës së zakonshme të nxënësve të vet, derisa po peshkonin. Me gjeste të thjeshta e të përditshëm Krishti Gjallë u mundëson të vetëve ta njohin se kush është Ai dhe i bën protagonistë, në role të ndryshme: kështu grupi i apostujve përjeton një peshkim papritur, të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm, e nxënësi i dashur (shën Gjoni) e percepton, e kupton se Njeriu në bregun e liqenit është Zotëria JEZUS, shën Pjetri do të arrijë i pari përmes notimit tek Ai, e të gjithë përfitojnë nga shoqërimi – prezenca e Tij e ëmbël dhe e këndshëm gjatë drek
Të përforcuar nga përjetimi i ngjalljes së Mësuesit e të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, Pjetri e apostujt tjerë nuk sprapsen para kërcënimeve që merrnin prej autoriteteve të larta civile e politiko-fetare judaike. Njerëz të thjeshtë e në dukje të parë jo të përgatitur, i bëjnë ballë dhe qëndrojnë trimërisht para autoriteteve supreme Judaike.
Kështu, Leximet Biblike të kësaj së diele na paraqesin dëshminë apostolike për Krishtin e Ngjallur, na tregojnë për predikimin e tyre guximtar para autoriteteve civile të kohës duke ripohuar fenë në Hyjin e Gjallë e Veprues, që u ka besuar misionin e tij Hyjnor për të ruajtur grigjën, për kullotjen e udhëheqjen e grigjës (popullit). Apostujt e çonin para planin e shpëtimit për mbarë njerëzimin që Krishti i Gjallë u kishte besuar.
Sikur Pjetrit atë kohë, edhe neve sot, Jezusi na bën të njëjtën pyetje: “A më do ti mua?” E sikur nga Pjetri mori përgjigje dashurie, dhe atë e bëri bari e udhëheqës shpirtëror të të gjithë besimtarëve, po ashtu sot Jezusi pret përgjigjen tonë personale: “ A më do ti mua?”.
Kjo do të thotë se dashuria është gjithçka, se është çdo gjë në jetë: dashuria është fillimi, është forca, është mënyra, është sekreti i suksesit, është arsyeja e vetme për të cilën ia vlen të jetosh, të vuash, të veprosh, të pësosh, të qëndrosh, të shpenzosh të gjitha fuqitë shpirtërore e njerëzore.
Dashuria na sjell drejt e në zemër të Zotit dhe në zemër të të afërmit tonë.
Gjithmonë e në çdo çast, duhet ta duam Zotin e të afërmin: Zotin “me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë mendje”, e të “afërmin porsi vetveten”. (Mt 22,37.39).
“Këtë – thotë shën Augustini – duhet gjithmonë ta mendoni, ta meditoni, ta zbatoni e mishëroni.” “Ti, zbatoje dashurinë duke filluar nga i afërmi, me të cilin udhëton; kështu do të mbërrish tek Ai (Jezusi) me të cilin dëshiron të jesh përgjithmonë”.
Kështu, të jesh apostull, të jesh i krishterë do të thotë të jesh dëshmitar i gjallë, veprues e pohues jo vetëm i asaj që ka ndodhur në kohën e Jezusit, por edhe të asaj që sot Zoti bën dhe don të bëjë përmes nesh, përmes veprave të tona të përditshme, ta përçojë dashurinë e ofroi shëlbimin çdo njeriu.


Në këtë diele të Pashkëve, për të tretën herë pas ngjalljes, Jezusi u shfaqet nxënësve të vet. Pas ngjarjeve të Pashkëve, ecja e besimit të nxënësve duhet të vazhdojë: Ungjijtë janë të gjithë të njëzëshëm kur tregojnë vështirësinë e të krishterëve të parë për të besuar. Është një lodhje që akoma ne çdo ditë e përjetojmë.


Në Ungjillin e sotëm vërejmë dy momente: së pari Jezusi u kërkon nxënësve, që nuk kanë zënë asgjë gjatë peshkimit të natës. që t’i japin ndonjë gjë për të ngrënë; pastaj Ai vetë fillon të gatuajë peshkun për ta si një person që shërben me dashuri. Ai i kishte paralajmëruar: “Pa mua nuk mund të bëni asgjë”.


Dhe pikërisht mbi dashurinë Ai pyet Pjetrin duke i kërkuar për tre herë të dëshmojë dashurinë që për tre herë kishte mohuar. Përballë dobësisë së Pjetrit, i dobët si të gjithë ne, zbulohet madhështia e besnikërisë së Jezusit ndaj njeriut. Dialogu mes Jezusit dhe Pjetrit na thotë se nëse gabojmë, Jezusi nuk kujton gabimin tonë, por na fton të bashkëpunojmë në planin e madh të dashurisë së Hyjit.


Pjetri i forcuar nga prania e gjallë dhe reale e të Ringjallurit mund të deklarojë: “O Zot, ti e di që unë të dua”. Si përgjigje Jezusi i beson kujdesin baritor të grigjës së tij. Mbi të vetmen barkë, simboli i Kishës të vetme, të gjithë nxënësit janë të udhëhequr nga Pjetri. Në Kishë secili i shpall Krishtin vëllait tjetër siç ka bërë Gjoni me Pjetrin duke i thënë “Është Zotëria!” Asnjë nuk mund të njohë apo të ndjekë Krishtin i vetëm.
Liturgjia e Fjalës


Leximi i parë Vap 5, 27-32. 40-41

Pjetri me shumë çiltërsi, rrëfen para Sinedrit besimin e vet në Krishtin e ringjallur. Ishte e nevojshme të tregohej vdekja dhe ringjallja e Krishtit me terma që të kujtonin personin e Moisiut. Në fakt Pjetri e ka rinjohur Jezusin si “Prijës dhe Shëlbues”; tituj të tillë i ishin dhënë edhe Moisiut. Si njëri, ashtu edhe tjetri janë bërë kryetarë dhe shpëtimtarë të popullit edhe pse kanë qenë mohuar nga populli.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, i sollën apostujt e i qitën para Këshillit të Lartë. Kryeprifti i pyeti: “Po a nuk ju kemi urdhëruar zyrtarisht që të mos mësoni më në atë Emër? Dhe, ja, ju e keni mbushur mbarë Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni ta ngarkoni mbi ne gjakun e atij njeriu.”
Pjetri dhe apostuj përgjigjën: “Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit. Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit e faljen e mëkateve. Për këto ngajarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen.”
I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull, u urdhëruan që të mos flasin më në Emër të Jezusit dhe i lëshuan. Apostujt e lëshuan Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit. Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin duke mësuar e shpallur Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi.


Fjala e Zotit.


Psalmi 30

Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove

--- --- ---
O Zot, Hyji im,
unë të thirra e ti më shërove,
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
--- --- ---
Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij,
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!
--- --- ---
Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.
Ti vajin ma ktheve në valle,
ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare.
O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!
--- --- ---

Leximi i dytë Zb 5, 11-14

Një turmë e madhe që i brohoret Qengjit që i ka shpëtuar është imazhi i asaj që ndodh në Qiell. Një shenjë e kësaj asambleje festive është për ne Eukaristia që duhet të kremtojmë me më shumë entuziazëm dhe bindje. Hyji është pronari i vërtetë i historisë: nuk është një që mbizotëron, por një qengj i therur.

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull


Unë, Gjoni, në vegim dëgjova zëra shumë engjëjsh përreth fronit, gjallorëve dhe udhëheqësve. Ishin dhjetë, mijëra dhjetë mijërash e mijëra mijërash. Brohorisnin me zë të lartë: “I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!”
Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: “Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!” Kurse katër gjallorët thoshin: “Amen!” – ndërsa udhëheqësit ranë përmbys e adhuruan.


Fjala e Zotit.


ALELUJA, aleluja.
U ngjall Jezu Krishti, dhe i shëlboi
njerëzit në mëshirën e vet.
Aleluja
Ì Ungjilli Gjn 21, 1-19

Jezusi është në bregun e detit të Galilesë, simbol i amshimit, ndërsa nxënësit e tij gjenden në det në vështirësi e në rrezik. Nuk e njohin menjëherë Jezusin. Vetëm besimi mund t’i ndihmojë ta njohin. Jezusi vetë përgatit drekën dhe ha me ta pas peshkimit të mrekullueshëm. Pastaj ripohon Pjetrin, i cili e pati mohuar, si bariun kryesor të grigjës.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit


Në atë kohë, Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu. Ishin bashkë Simon-Pjetri, Toma që quhet Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy tjerë prej nxënësve të tij.
U tha Simon-Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” – i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur zbardhi drita, qe, Jezusi në breg. Nxënësit nuk dinin se ishte Jezusi. Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” – përgjigjën ata. Ai u tha: “Qitni rrjetën në anë e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk.
Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon-Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm – sepse ishte i zhveshur – dhe u hodh në det. Nxënësit tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk. Sepse nuk ishin larg bregut – kund dyqind kutë. Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. Jezusi u tha: “Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!”
Atëherë Simon-Pjetri hypi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun. Ishte kjo hera e tretë që Jezusi u dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.
Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon-Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri – i përgjigji – Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi!” – i tha Jezusi. Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” – i përgjigji Pjetri. “Kulloti delet e mia!” – vijoi Jezusi. I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe i përgjigji: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!”
I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia! Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të ngjeshë e do të çojë ku ti nuk dëshiron.” I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Mandej i tha: “Më ndiq mua!”
Homelia
Te dashur vellezer e motra sapo kemi degjuar lajmin e gezueshem se Krishti eshte ngjallur. Ky lajm nepermjet grave qe shkojne heret per te pereruar trupin e Krishtit ne varr kalon tek disheputj e nepermjet tyre kalon te te gjithe njerezit e vjen deri te ne sot. Por kjo prani e ngjallur e Krishtit kalon edhe nepermjet dyshimit te Tomes, për çka dëgjuam në ungjillin e javës së kaluar. Krishti eshte ngjallur dhe kjo eshte shpresa jone, te lumet ne qe do besojme edhe kur nuk shohim. Krishti i Ngjallur vazhdon te jete i pranishem ne Kishen e tij e ne menyre te veçante ne diten e Zotit ne kremtimin e dites se diele.
Ne kete te djele te trete te kohes se Pashkeve ende Kisha provon pranine e Krishtit te Ngjallur. Dishepujt jane te tronditur pas ikjes se mesuestit te tyre. Ndjehen te braktisur dhe te humbur. Kane pak besim. Nuk arrijne te shohin nepermjet besimit ate çka ka ndodhur. Ne bregun e detit te Galilese dishepujt jane bashke në punet e perditshme. Me ta eshte edhe Pjetri i cili vazhdon punen e tij te peshkatarit. Ai ka kaluar nepermjet pervojes se tradhetise. Ka hasur shikimin e Krishtit ndersa e çonin per ta denuar dhe eshte penduar per ate çka ka bere. Por tani ai ka harruar premtimin e Zoterise “Do te bej peshkatar njerezish”. Si gjithmone del per te zene peshk. Por ajo do te jete hera e fundit per te. Ne bregun e detit te Galilese Pjetri me dishepujt të jeter takojne Krishtin i cili i jep urdher te hedhin rrjeten per te zene peshk. Kete here Pjetri nuk do t'i thote me “Po kemi gjuajtur gjithe naten e nuk kemi zene gje”. Ata do ta hedhin rrjeten dhe do te zene peshk. Me pas Jezusi i fton te ulen me ta. I fton ne tryeze per te ngrene. Perserit gjestin e darkes se fundit me ta. Aty ne ate intimitet me mesuesin e tyre lind edhe dialogu i Jezusit me Pjetrin. Ishte e treta here qe Jezusi i ngjallur u shfaqej dishepujve te tij. Ky numer tre tregon persosmerine dhe plotesine.
Tre here Jezusi do ta pyese Pjetrin per dashurine e tij. Shikoj ne kete dialog shume te bukur dy aspekte qe do te doja t'i shtroja per reflektim. Se pari eshte ai aspekt qe Kisha ka pare gjithmone ne kete pjese te ungjillit te Gjonit, dmth krijimi i institucionit te Pjetrit. Pjetri do te jete ai qe do te udheheqe bashkesine e re te dishepujve te Krishtit. Ai do te jete per ta udheheqes dhe bari. Do t'i prije, por edhe do te kujdeset per bashkesine e re te lindur nga kraharori i shporuar i Krishtit. Ai si bari i mire do t'i prije grigjes duke ecur vete i pari.
I pari ai do te pershkoje rrugen e kete rruge do t'jua tregoje edhe te tjereve. Veprat e apostujve na tregojne pikerisht kete nder dhe detyre qe Pjetri ka pasur ne gjirin e bashkesise se krishtere. Por ne kete detyre ai nuk eshte i vetem. Me te eshte Krishti e me te jane edhe dishepujt e tjere te cileve Krishti u ka lene kete detyre te kullosin grigjen e tij. Papa bashke me ipeshkevinjete, si pasardhes te apostujve jane barinjte dhe udheheqesit e grigjes se Krishtit. Jane prijes dhe shembull. Jane udheheqes dhe barinj. Tregojne rrugen duke ecur ata te paret te ndriçuar nga drita e Ungjillit. Por kete ata nuk mund ta bejne nese nuk kane nje dashuri te pakushtezuar per Krishtin, megjithe dobesite njerezore qe mund te kene. Prandaj neve te gjitheve na lind detyra e madhe jo vetem te ndjekim zerin e barinjeve tani me ne krye papen, por edhe te lutemi per ta qe te jene prijes ne dashuri. Ja pra detyra e pare e Pjetrit dhe e apostujve te tjere, ja detyra e papes dhe e ipeshkevinjeve ne Kishe.
Aspekti i dyte qe do te doja te nenvizoja ndoshta shket pak ne nje lloj sentimentalizmi, por ndersa e lexoja kete pjese me erdhi ndermend nje shembellim shum njerezore. Jezusi kembengul ne pyetjen e tij ndaj Pjetrit tre here: “ Simon Gjoni a me do ti mua”. Jezusi merr pamjen e nje femije te vogel qe kerkon dashuri, qe lyp dashuri. “A me do ti mua?” Eshte Zoti ne nje fare menyre qe behet lypes i dashurise tone. Sa e sa here ky leitmotiv gjendet ne Beslidhjen e Vjeter. Zoti qe kerkon dashurine e popullit te tij. Duket se Jezusi kembengul pikerisht si nje femije dhe do te jete i sigurte per ate qe kerkon. Ai duket sikur po ve ne jete fjalen qe ka thene vete “Kerkoni me kembengulje!”. Sikurse vejusha me gjykatesin e padrejte.
Po te dashur vellezer e motra, mund te duket absure, por Zoti kerkon dashurine e njeriut, e kerkon me ngulm. A nuk degjuam nga goja e Jezusit te premten e madhe “Kam etje”. Zoti ka etje per dashurine tone, sepse per kete na ka krijuar qe ne ta duam, qe ai te jetoje kete marredhenie dashurie me ne. Pikerisht per kete ai la lartesite e qiellit, lumturine e Trinise se Shenjte qe te fitonte ne te gjitha menyrat dashurine e njeriut dhe kete e beri duke shkuar ne kryq dhe duke mundur vdekjen me ngjalljen e tij. Ky eshte Zoti yne dhe ne jemi te lumtur qe kemi nje Zot te tille, nje Zot qe u be i dobet dhe u dorëzua ne duart e njerëzve ne mënyre qe ata ta shihnin dhe te kthenin zemrën te ai.
Ungjilli i kësaj te diele na hap edhe nje dritare tjetër reflektimi. Krishti e deshi Pjetrin me gjithçka ishte ai. Nuk priti derisa Pjetri te behej i mire dhe i zellshëm, por e deshi ashtu sikurse ishte. Kjo është dashuria e Zotit qe na do ashtu siç jemi. Miqësia me Zotin do te na beje me te mire dhe me te zellshëm për te shpallur Fjalën e tij. Kjo është edhe dashuria e krishtere, ndryshe nga çdolloj tjetër dashurie. Nuk e do tjetrin pse është i mire me ty, por sepse është i dashur nga Krishti.

Duke ndjekur gjurmët e Krishtit, fjala e fundit e Ungjillit të kësaj së diele është “Eja pas meje”, e Pjetri ne krye te bashkësisë se pare te krishtere do te shpalle Krishtin e Ngjallur. Duke ecur pas gjurmëve te Krishtit Pjetri jo vetëm forcohet gjithnjë e më shume ne thirrjen e tij, por provon mbi veten dhe mbi gjithë komunitetin se te ecësh pas gjurmëve te Krishtit do te thotë te shkosh drejt përndjekjes së kryqit. Ngjallja e ka me vete edhe te premten e madhe. Janë pazgjidhshmërisht te lidhura njëra me tjetrën. Shume qarte ketë na e tregoi leximi i pare i kësaj së diele nga Veprat e Apostujve. Kisha e pare e krishtere ka vuajtur për Ungjillin, por Zoti ka qene gjithmonë pranë saj për ta asistuar. A nuk kemi pare te njëjtën gjë ne te gjithë historinë e Kishës? A nuk ka ndodhur e njëjta gjë edhe ne Shqipëri? Pikërisht atëherë kur u mendua se Kisha dhe besimi kishin mbaruar pune njëherë e përgjithmonë me shqiptaret, pikërisht atëherë Krishti triumfoi. Tradita qe ne kemi është shumë e vyer dhe mund të jetë një shembull për te gjithë ata qe i afrohen krishterimit. E ne si te krishtere duhet te shikojmë me admirim drejt martireve qe kane vuajtur, që kanë flijuar jetën e tyre dhe janë pushkatuar gjate komunizmit për shkak të Ungjillit të Krishtit të Gjallë, sepse ishin te krishtere, sepse ishin Shqiptare, sepse ishin te bindur se i duhet bindur Zotit, me shume se sa njerëzve.
Na jep o Zot dritën e Krishtit te Ngjallur dhe ne vështirësitë e jetës te mos tërhiqemi kurrë pas por te shpallim pa frike Fjalën tende. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.