2010-04-17 19:59:07

Benedikti XVI në Maltë u kujton bashkëkohasve shenjtërinë e jetës, dinjitetin e martesës e të familjes, madhështinë e njerëzve, si bij të Hyjit.


(14.04.2010 RV)Nisi sot shtegtimi Apostolik i Papës në Maltë, kushtuar 1950-vjetorit të mbytjes së anijes, me të cilën lundronte Shën Pali, në udhëtim drejt Romës.
Benedikti XVI u nis sot, rreth orës 15.25 nga Aeroporti romak ‘Leonardo da Vinçi, për këtë udhëtim dyditor, të pasur me një sërë veprimtarish.
Arriti në Aeroportin Ndërkombëtar Maltez të Lua-së në orën 17.00.
Për ta pritur Atin e Shenjtë kishte dalë Presidenti i Republikës malteze, zoti George Abela dhe personalitete të tjera të larta kishtare e civile. Ndërmjet tyre, ipeshkvi-ndihmës i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, imzot Gjergj Frendo, domenikan maltez. Pas nderimeve ushtarake dhe fjalimit të mirëseardhjes, mbajtur nga Presidenti i Republikës, Papa u drejtoi përshëndetjen e parë banorëve të arkipelagut:
“Jien kuntent ħafna li ninsab fostkom! – Gëzohem që jam mes jush!” – me këtë përshëndetje në gjuhën malteze, Papa shprehu kënaqësinë e tij për arritjen në Maltë, duke sqaruar më pas, arsyen e kësaj vizite: kremtimet me rastin e 1950-vjetorit të arritjes së Shën Palit në ishull, përshkruar në Veprat e Apostujve. E kjo, për Papën nuk është thjeshtë rastësi por, e parë me sytë e fesë, është vepër të Provanisë Hyjnore:
“Në të vërtetë – theksoi Ati i Shenjtë – Malta ka qenë udhëkryq i shumë ngjarjeve të mëdha dhe i shkëmbimeve kulturore në historinë evropiane e mesdhtare, deri në ditët tona. Këto ishuj luajtën një rol kyç në zhvillimin politik, fetar e kulturor të Evropës, të Lindjes së Mesme e të veriut të Afrikës”.
E në këto vise, sipas planit të Zotit – vijoi Benedikti XVI – Shën Pali dhe ndjekësit e parë të Krishtit kumtuan Ungjillin. Veprimtaria e tyre misionare gjatë shekujve solli fryte të begata, duke kontribuar për formimin e kulturës së pasur e të fisme të Maltës. Fortifikimet, që zënë një vend tejet të rëndësishëm në arkitekturën e Ishullit, flasin vetë për luftërat e shumta në mbrojtje të krishterimit, të cilit Malta i doli zot, me heroizëm të pashoq, në tokë e në det:
Ju vijoni të luani një rol të rëndësishëm në debatet e sotme mbi identitetin, kulturën e politikat evropiane. Njëkohësisht shpreh kënaqësinë time për impenjimin e qeverisë në projekte humanitare, me rreze të gjerë, posaçërisht në Afrikë”.
Malta – vijoi Ati i Shenjtë – ka shumë për të dhënë në fusha nga më të ndryshmet, si ajo e tolerancës, e reciprocitetit, e emigracionit si dhe në zgjidhjen e problemeve të tjera, tejet të rëndësishme për ardhmërinë e Kontinentit. Kombi juaj – theksoi në vijim Benedikti XVI - duhet të vijojë ta mbrojë pazgjidhshmërinë e martesës, si institucion natyror e sakramentor, natyrën e vërtetë të familjes, shenjtërinë e jetës njerëzore nga zënia, në vdekjen e natyrshme e lirinë fetare:
"Malta ka lidhje të ngushta me Lindjen e Mesme, jo vetëm në termat kulturore e fetare, por edhe në ato gjuhësore. Më lejoni t’ju inkurajoj ta përdorni këtë harmoni aftësish e pikash force për një çështjeje më të madhe, për të shërbyer si urë në mirëkuptimin ndërmjet popujve, kulturave e feve të pranishme në Mesdhe”.
Papa u ndal posaçërisht tek rrënjët e krishtera të Maltës e tek veprimtaria misionare e maltezëve: në mënyrë të posaçme kujtoi Gjergj Prekën, të cilin e shpalli shenjt tri vjet më parë (më 3 qershor 2007) dhe përfundoi me përshëndetjen në gjuhën malteze:
“Il-Mulej ibierek lill-poplu kollu ta’ Malta u ta’ Għawdex! - Zoti i bekoftë të gjithë njerëzit e Maltës e të Gozos!”.
Më pas, në La Valeta, i bëri një vizitë mirësjelljeje Presidentit të Republikës, i cili e priti Atin e Shenjtë në Pallatin e Mësuesve të Mëdhenj.
Presidenti e shoqëroi Papën në oborrin e brendshëm të Pallatit, tek Salla e Gjelbër, ku u shkëmbyen dhuratat (nga ana e Papës, një mozaik kushtuar arritjes së Shën Palit në Maltë) e më pas, tek Salloni i Ambasadorëve, ku u zhvillua takimi privat.
Njëkohësisht, në një sallë tjetër të Pallatit u organizua takimi i Kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit me kryeministrin maltez.
Pas fotografive të rastit dhe përshëndetjes drejtuar turmës nga ballkoni i Pallatit, Papa u takua edhe me anëtarët e Komitetit organizues të Shtegtimit Apostolik. Pastaj doli në ballkon, për të përshndetur mijëra fëmijët e shkollave katolike, që e prisnin për t’i uruar, në kor, përvjetorin e Ditëlindjes dhe – jetë të gjatë!
Benedikti XVI u dha të bekimin e tij apostolik.
Nga Pallati presidencial, në orën 19.45, Benedikti XVI u nis për në Kishën e Shën Palit, në Rabat ku u lut disa minuta në heshtje. Zbriti, pastaj, në Shpellën e Shën Palit, i shoqëruar nga famullitari. Këtu vuri nënshkrimin në Librin e Artë, i dhuroi Shenjtërores një llambë kushtore prej argjëndi, u lut e më pas nënvizoi faktin se shtegtimi i tij në Maltë nisi me një çast urate të heshtur në Shpellën e Shën Palit, që solli në ishull fenë e Krishtit:
“Mbytja e anijes së Shën Palit dhe qëndrimi tij për tre muaj në Maltë, lanë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tuaj”.
E kjo na nxit të mos e humbasim kurrë besimin në Provaninë Hyjnore – tha Papa, duke shpjeguar, më pas, se arritja e Apostullit të Popujve në Ishull nuk ishte e programuar. Ai ishte nisur për Romë, por papritmas, ashtu si dikur në udhën e Damaskut, iu desh të ndryshonte drejtim, gjithnjë në emër të Krishtit, për të kumtuar misterin e Kryqit e mesazhin e dashurisë së Zotit, që i pajton njerëzit:
“Fjala e Ungjillit vijon të ketë edhe sot e kësaj dite fuqinë për të vërshuar mbi jetët tona e për t’ua ndryshuar rrjedhën drejt shndërrimit, drejt një jete të re, një ardhmërie plot shpresë…”.
Jetojeni fenë tuaj sa më vërtetësisht, së bashku me familjet tuaja, me miqtë tuaj, në lagje, në vendet e punës e në të gjithë indin e shoqërisë malteze! Kumtojani të gjithëve takimin tuaj me Krishtin e ngjallur, posaçërisht të rinjve, që janë ardhmëria e Maltës. Këtë thirrje të fuqishme me vlerë për të gjithë besimtarët, u bëri Papa maltezëve e, në përfundim u ndal tek perspektiva universale, duke theksuar: “Përballë kërcënimeve të shumta kundër shenjtërisë së jetës njerëzore, dinjitetit të martesës e të familjes, a nuk ndjehet fort nevoja t’ua kujtojmë bashkëkohasve tanë vazhdimisht madhështinë e dinjitetit tonë, si bij të Hyjit e thirrjen më të lartë, që na vjen nga Krishti? A nuk ka nevojë shoqëria t’i ripërvetësojë e t’i mbrojë këto të vërteta morale themelore, që janë në bazë të lirisë e të progresit të vërtetë?

Me këto fjalë e përfundoi lutjen Ati i Shenjtë, për të dalë më pas në tremen e Shenjtërores ku i drejtoi një përshëndetje turmën së pranishme në Shesh.
Takimi i sotëm i Papës me maltezët përfundoi rreth orës 20.30, kur Benedikti XVI u largua nga Kisha e Shën Palit, për të darkuar e për të kaluar natën në Nunciaturën Apostolike, në Rabat.
Shtegtimi do të arrijë kulmin nesër, e dielë, 18 prill, në Floriana, ku Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte, në Sheshin e Hambarëve. Pas Meshës, do të kremtojë, po këtu, edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, për të drekuar, në përfundim, me ipeshkvijtë e Maltës dhe grupin, që e shoqëron.
Në orën 16.00 të së dielës do të largohet nga Nunciatura Apostolike e Rabatit, në drejtim të Kalkarës. Papa do të shtegtojë me anije nga Kalkara drejt Portit të Madh të La Valetë. Këtu do të takohet me të rinjtë, të cilëve do t’u drejtojë edhe përshëndetjen e rastit.

Edhe ceremonia e lamtumirës do të mbahet në Aeroportin Ndërkombëtar të Lua-së, në orën 19.10. Fjalimi i fundit i Papës është pikërisht ai i lamtumirës, para nisjes drejt Aeroportit romak të Çampinos, ku pritet të arrijë rreth orës 20. 45.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.