2010-04-15 15:38:32

Topi takon Ivanon në Shkup. Të përforcohen marrëdhënieve ekonomike


(15.4.2010 RV)Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov u shprehën sot në Shkup për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe dhe ngritjen e tyre në nivelin e marrëdhënieve politike.
Në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Maqedoni, Presidenti Topi dhe homologu i tij maqedonas morën pjesë në punimet e Forumit ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar, ku ishin të pranishëm dhe një grup i rëndësishëm i biznesit të dy vendeve fqinje.
Sipas një njoftimit për shtyp nga Presidenca, Kreu i shtetit shqiptar, në fjalën përshëndetëse u shprehu mirënjohjen sipërmarrësve të vendit fqinj dhe të gjitha strukturave shtetërore dhe private, ekonomike dhe financiare maqedonase për kontributin e dhënë në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë e Maqedonisë, gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal.
Në të njëjtën kohë, Presidenti vuri në dukje se ka ende nevojë për të punuar në drejtim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-maqedonas në ato standarde ku aktualisht gjendet bashkëpunimi politik bilateral. Duke vënë në dukje resurset e rralla natyrore që kanë dy vendet tona, Kryetari i Shtetit shqiptar u shpreh se ne duhet të tregohemi mjaft të kujdesshëm dhe rigorozë në hartimin dhe zbatimin e strategjive që do të mundësonin zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e ekosistemit në këto zona.
Në vijim, Presidenti Topi u ndal dhe në disa prej projekteve konkrete të shtetit shqiptar për përmirësimin e hapësirave infrastrukturore në vend, të cilat së bashku me mundësitë që rrjedhin nga liberalizimi i lëvizjes së lirë, do të kontribuonin në rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare bilaterale e rajonale, si dhe krijimin e ridimensionimin e bashkëpunimit ekonomik.
Gjithashtu, Kryetari i Shetit vuri në dukje interesimin e palës shqiptare për rritjen e investimeve të kompanive prestigjioze ndërkombëtare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera përreth. Në këtë kontekst, Presidenti Topi nënvizoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e energjitikës për krijimin e një sistemi energjitik integral, bashkëpunimin ndërkulturor, në fushën e turizmit, bujqësisë, etj.
Edhe Presidenti maqedonas Ivanov ndau të njëjtin mendim me Presidentin Topi për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dypalësh duke shprehur besimin se ky do të ishte një kontribut mjaft i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme dhe thellimin e forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, Presidenti Topi do të vizitojë sot Tetovën, ku do të ndalet në Universitetin e këtij qyteti dhe më pas do të jetë për një vizitë dhe në Komunën e Dibrës ku pritet të marrë titullin "Qytetar Nderi".







All the contents on this site are copyrighted ©.