2010-04-14 16:46:18

Qeveria e Kosovës duhet të luftojë korrupsionin në nivele të larta


(14.4.2010 RV)Qeveria e Kosovës duhet t'i kthejë fjalët në vepra sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivele të larta, deklaroi Piter Feith. Adresimi i çështjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin, sipas Përfaqësuesit civil ndërkombëtar në Prishtinë, nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e imazhit të Kosovës jashtë, por dhe me pritjet që ekzistojnë brenda vendit. "Populli në Kosovë e ndjen se janë marrë masa të pamjaftueshme kundër korrupsionit, ndaj presin më shumë", tha Feith.
Përfaqësuesi më i lartë ndërkombëtar në Kosovë theksoi rëndësinë e vendimit të GJND së. "Mbijetesa e projektit të pavarësisë tashmë po përballet me një provë kritike dhe Kosova shpreson që vendimi do të jetë së paku i baraspeshuar, të ketë elemente pozitive në mënyrë që të arrihen njohje të mëtejshme dhe qasje më e mirë në organizmat ndërkombëtare, çfarë do të mund të ndihmojë zhvillimin socio ekonomik", tha Feith.
Duke folur për shkallën e bashkëpunimit mes Kosovës e Serbisë, Faith theksoi se "shumë nga ministrat e BE së janë disi të shqetësuar, pasi nuk kemi parë atë lloj ecurie që do të donim. Ndoshta është ende herët dhe duhet të presim për vendimin e Gjykatës, por është koha të fillojmë të mendojmë për një të ardhme ndryshe", tha Feith. Deklaratat e Piter Feithit u bënë gjatë një paraqitje në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Evropiane në Dublin të Irlandës.







All the contents on this site are copyrighted ©.