2010-04-14 16:49:06

Presidenti i Shqipërisë Topi për vizitë në Maqedoni


(14.4.2010 RV)Me ftesë të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Presidentit i Shqipërisë, Bamir Topi nis sot një vizitë treditore në vendin fqinj. Topi i cili shoqërohet nga disa ministra, deputetë dhe përfaqësues të biznesit, takohet me drejtuesit më të lartë të Maqedonisë, me përfaqësuesit e partive politike shqiptare, me drejtuesit e komunave shqiptare si dhe me përfaqësuesit e universiteteve në gjuhën shqipe.
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, gjatë një takimi të sotëm në Shkup, konfirmuan se "për të dy vendet integrimi në strukturat euroatlantike është një alternativë e pazëvendësueshme për prosperitetin e mëtejshëm dhe stabilitetin e rajonit".
Presidenti shqiptar nisi sot vizitën e tij zyrtare në Republikën e Maqedonisë, me ftesë të Presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov. Fillimisht, Kryetari i Shtetit, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, dhe delegacionin që e shoqëron, u pritën me një ceremoni të posaçme zyrtare mirëseardhjeje nga Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, në Rezidencën Presidenciale në Shkup.
Pas takimit kokë më kokë dhe bisedimeve mes dy delegacioneve respektive, dy Presidentët konfirmuan për mediat vullnetin për forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
"Dy vendet kanë nivel të kënaqshëm të marrëdhënieve bilaterale, të cilat i ndërtojnë nëpërmjet dialogut të hapur për të gjitha çështjet e interesit të ndërsjelltë, ndërsa fokusi në të ardhmen duhet të vihet në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik", vlerësuan Presidentët e Maqedonisë dhe Shqipërisë, pas takimit të sotëm në Shkup.
Presidenti Ivanov theksoi se Maqedoninë dhe Shqipërinë i lidhin shumë gjëra, mes të cilave historia e përbashkët, gjeografia, si dhe sfidat e përbashkëta në pjesën e reformave dhe transformimeve shoqërore.
"Segment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik për të cilin vlerësoj se aspak nuk korrespondon me nivelin e marrëdhënieve politike, me mundësitë e të dy ekonomive dhe me faktin që jemi fqinj", theksoi Ivanov.
Ai u shpreh se në periudhën e ardhshme do të vazhdojë mbështetja e ndërsjelltë në planin e BE-së dhe NATO-s të proceseve integruese, sepse, integrimi i të gjitha vendeve të rajonit do ta përforcojë stabilitetin e tij.
Duke folur për përfitimet nga liberalizimi i vizave, të cilat qytetarët e Maqedonisë tashmë po i ndjejnë, Ivanov shfaqi shpresë se së shpejti do të përfitojnë edhe qytetarët e Shqipërisë, gjë që do të mundësojë përparimin e saj si shtet demokratik, i lirë dhe i hapur.
Presidenti shqiptar, Bamir Topi, theksoi se të gjithë duhet ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe se qytetarët shqiptarë së shpejti do të fitojnë regjim pa viza.
Ai e përshëndeti zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila kontribuon për zhvillim stabël të marrëdhënieve demokratike dhe për barazi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Topi u bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë që të bashkangjiten drejt zbatimit të Marrëveshjes së verifikuar nga komuniteti ndërkombëtar.
Dy presidentët në takim biseduan për çështje nga sfera e ekonomisë, për ndërtimin e Korridorit 8, hekurudhën dhe mbrojtjen e eko-zonës Ohër-Prespë.
Gjatë vizitës zyrtare në Shkup, Presidenti Topi do të takohet me autoritetet më të larta maqedonase dhe do të mbajë një fjalim para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, Kreu i Shtetit shqiptar Topi do të zhvillojë një sërë takimesh, si me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, me Kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanoski, me Kryetarin e BDI së, Ali Ahmeti, me Kryetarin e PDSH së, Menduh Thaçi, me ish presidentin Branko Cervenkovski, aktualisht Kryetar i Partisë opozitare LSDM, me Kryetarin e Partisë Demokracia e Re, Imer Selmani, me Kryetarin e Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, me Rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, Agron Reka, me Kryetarin e Komunës së Dibrës, Argëtim Fida. etj.







All the contents on this site are copyrighted ©.