2010-04-14 12:09:04

Papa në audiencën e përgjithshme: Meshtarët të mos shpallin vetveten, por Krishtin në këtë kohë konfuzioni të madh.


(14.04.2010 RV)Jetojmë në një konfuzion të madh, përsa i përket vendimeve themelore për jetën. Filozofi, që kundërshtojnë njëra-tjetrën, lindin e zhduken e, nuk kujtojmë më se nga vijmë, për çfarë jemi bërë, ku shkojmë”. Kështu tha Papa Benedikti XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, gjatë së cilës foli për emergjencën edukative dhe për detyrat e meshtarëve në botën e sotme. Citoi një frazë domethënëse të Ungjillit: “Ndjej dhembshuri për popullin, janë si delet pa bari”.
“Të mësojë, të shenjtërojë, të qeverisë, në thelb – shpjegoi Ati i Shenjtë – janë tre veprimet e Krishtit të Ringjallur, i cili sot, përmes Kishës së vet, mëson, krijon fe, bashkon popullin e vet, e bën të pranishme të vërtetën, krijon bashkim e shenjtëron”. Këtë e bën nga dhembshuria. Edhe nëse kjo do të thotë të mbetesh i vetmi zë në shkretëtirë, Kisha duhet ta bëjë të pranishme, në konfuzionin e çorientimin e ditëve të sotme, dritën, që është Fjala e Zotit, që është vetë Krishti në botë.
E pastaj, duke iu drejtuar drejtpërdrejt meshtarëve, Papa i nxiti të mos shpallin vetveten e të mos kërkojnë suksesin. “Duke ndjekur shembullin e Jezusit, që thoshte “doktrina ime nuk është e imja”, nënvizoi Benedikti XVI, meshtari nuk interpeton ndonjë filozofi, nuk flet për të mbledhur admirues rreth vetes, ose për të formuar ndonjë parti: mëson në emër të Krishtit të pranishëm, propozon të vërtetën, që është Krishti vetë”.
E meshtari vazhdoi Papa, nuk është as zëdhënës i Teksteve të Shenjta, duhet t’i jetojë ai vetë së pari, në jetën e përditshme. Detyra e parë e tij është t’u mësojë të tjerëve, një detyrë – tha Benedikti XVI – që sot, në mergjencën e thellë edukative, është tepër e rëndësishme, nëse ushtrohet konkretisht përmes shërbimit të çdo meshtari, i cili duhet të ketë guximin të thotë: “Kjo doktrinë nuk është e imja, por jam goja e zemra e Krishtit”.
Duke u folur 35 mijë besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, ku priteshin vetëm 16 mijë, Papa e la mënjanë tekstin e përgatitur për të folur lirshëm mbi këto argumente të rëndësishme të fesë e të jetës së besimtarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.