2010-04-14 16:44:44

Papa në audiencën e përgjithshme: meshtari duhet të kumtojë të Vërtetën e Ungjillit, jo idetë e veta.


(14.04.2010 RV)Në këtë kohë tejet të pështjelluar, kur njeriu nuk e ka të lehtë të zgjedhë rrugën e jetës, meshtari është i thirrur të kumtojë të Vërtetën e Ungjillit: këtë theksoi sot Benedikti XVI gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Papa, që u kthye dje nga selia e Kastel Gandolfos, foli posaçërisht për detyrën themelore të Kishës, që ushtrohet nga meshtari: t’u japë besimtarëve mësimin e fesë.
Në çastin e përshëndetjeve, Papa kujtoi posaçërisht viktimat e tërmetit të mbrëmshëm, që dëmtoi rëndë provincën veriperëndimore kineze të Kingait.
E pas Kinës, duke përshëndetur shtegtarët e ardhur nga Polonia, u përsëriti ngushëllimet për viktimat e aksidentit ajror, në të cilin humbi jetën edhe presidenti polak.
Atmosfera në Sheshin e Shën Pjetrit ishte tejet gazmore: plot urime e brohori për Papën, i cili më 16 prill do të kremtojë 83 vjetorin e ditëlindjes.RealAudioMP3

Në katekizmin e audiencës, Papa u përqendrua kryesisht tek shërbimi i meshtarit e, në mënyrë të veçantë, tek detyra e tij për t’u mësuar besimtarëve të vërtetat e fesë. Kjo detyrë – theksoi Papa – sidomos sot, është tejet urgjente:
“Jetojmë në një konfuzion të madh, që na pengon të zgjedhim rrugët e jetës, të kuptojmë ç’është bota, nga vijmë, ku shkojmë, si duhet të sillemi për të bërë mirë, si duhet të jetojmë, cilat janë vlerat me të vërtetë të rëndësishme... Këtyre problemeve u përgjigjen shumë filozofi, që i kundërvihen njëra-tjetrës; që lindin e zhduken sakaq, gjë që krijon pështjellim, kur është fjala për të marrë vendimeve themelore e për të zgjedhur mënyrën e jetesës, sepse përgjithësisht nuk e dimë si jemi bërë, pse jemi bërë e ku shkojmë”.
Në këtë situatë, vijoi Papa, na vjen në ndihmë vetë Zoti, i cili pati dhimbsuri për popullin e vet, per delet pa bari, që e ndiqnin në shkretëtirë. Vetë Zoti e shpjegoi Fjalën e Hyjit. Ai vetë – shtoi Papa – është Fjala e Hyjit, që dha drejtimin. Ky është edhe roli i meshtarit, i cili flet në emër të Krishtit:
“Ta bëjë të pranishëm në konfuzionin, në çorientimin e kohëve tona, dritën e Fjalës së Zotit, Dritën që është vetë Krishti në këtë botë. Prandaj meshtari nuk mëson idetë e veta, nuk i shërben një filozofie, që e ka shpikur ai vetë, që e ka gjetur vetë, ose që do t’i pëlqente; meshtari nuk flet nga vetja, nuk flet për veten, për të fituar admirues a, ndoshta, për të krijuar ndonjë parti të vetën… Nuk flet për punët e veta, për shpikjet e veta, të lindura nga pështjellimi i të gjitha filozofive. Meshtari jep mësim në emër të Krishtit, që është i pranishëm, propozon të Vërtetën, vetë Krishtin, Fjalën e Tij, mënyrën e Tij të jetesës, të ecjes përpara”.
Të jesh meshtar, do të thotë të jesh i zhytur në të vërtetën, pohoi Benedikti XVI. E në kontekstin e Vitit Meshtarak, kujtoi se meshtari është i thirrur të kumtojë Fjalën e Zotit, të Vërtetën, që shpëton edhe në kohë të vështira, si kohët e sotme:
Zëri i meshtarit, për pasojë, shpesh herë mund të duket si ‘zëri i njërit, që bërtet në shkretëtirë”(Mk 1,3), por pikërisht këtu qëndron forca e tij profetike: ai nuk është kurrë i njëjtë, as i njësueshëm me asnjë kulturë, me asnjë mendësi sunduese. Ai ka për detyrë të kumtojë të vetmen risi, që është e aftë të sjellë përtëritjen e vërtetë e të thellë të njeriut, të kumtojë të renë se Krishti është i Gjalli, është Hyji pranë nesh, Zoti që punon në jetë e për jetën e botës e që na jep të Vërtetën, na mëson mënyrën si të jetojmë”.
Meshtari – vijoi të reflektojë Papa - nuk duhet të ketë pretendimin ta imponojë të vërtetën sipas tij. Përkundrazi: në të besimtarët duhet të shikojnë njeriun e përvujtur, që është i sigurtë se ka takuar të Vërtetën, se e Vërteta e ka rrokur dhe e ka shndërruar, e prandaj, nuk mund të mos e kumtojë. Meshtarinë – tha Benedikti XVI – nuk mund ta japë askush, e askush nuk mund ta kërkojë nga vetvetja: sepse është përgjigje, që i jepet thirrjes së Zotit, vullnetit të Hyjit, jo për të kumtuar të vërtetën personale, por të vërtetën e Tij. Prej këndej, Papa i ftoi përsëri meshtarët të ndjekin plot besim, shembullin e Shën Gjon Maria Vianejt:Ai ishte njeri me urti të madhe e me forcë heroike përballë presioneve kulturore e shoqërore të kohës së vet, në përpjekjen për t’u prirë shpirtrave, që i qenë besuar, drejt Zotit. Thjeshtësia, besnikëria e vetvetishmëria qenë karakteristikat themelore të predikimit të tij, në të cilin të gjithë shikonin fenë e shenjtërinë e Famullitarit të Arsit. Populli i krishterë qe përfocuar në fe e, siç ndodh me të gjithë mësuesit e vërtetë të çdo kohe, shikonte në të dritën e së Vërtetës”.
Në çastin e përshëndetjeve, Papa kujtoi në mënyrë të veçantë meshtarët miq të Bashkësisë së Shën Egjidit dhe kapelanët e aviacionit civil, ardhur nga vise të ndryshme të botës. Një përshëndetje të posaçme u drejtoi edhe oficerëve e ushtarakëve, të ardhur nga Kazerta, të cilët i inkurajoi të vijojnë impenjimin fisnik të dëshmimit të krishterë në botën ushtarake.







All the contents on this site are copyrighted ©.