2010-04-14 11:38:09

Afër 600 viktima nga tërmeti në Kinë


(14.04.2010 RV)Janë së paku 600, viktimat e 10000, të plagosurit pas tërmetit të fuqishëm që ra në provincën veriperëndimore kineze të Kingait. Sipas autoriteteve shtetërore, lëkundjet janë ndjerë në orën 7.49 me orën lokale (1.49 në Shqipëri) dhe kanë qenë gati 7 ballë të shkallës Rihter. Epiqendra është lokalizuar në distriktin e Jushusë, në një thellësi prej 33 kilometrash.
Makina e ndihmave është vënë menjëherë në funksionim. Në zonën e tërmetit kanë shkuar 700 ushtarë e 5000 vullnetarë. Tenda, rroba dimri e mbulesa janë dërguar tashmë nga Pekini në Kingai. Vetëm 200 km nga epiqendra kalon hekurudha më e lartë në botë, ajo Kingai-Tibet, por deri tani nuk ka lajme për dëme. Tërmeti është dëgjuar edhe në provincën e Sishuanit, ku lëkundje të ngjashme, në vitin 2008, shkaktuan 87 mijë viktima. Ja ç’na thotë telefonikisht nga Pekini, korrespondenti i gazetës italiane “La Stampa”, Françesko Sishi:RealAudioMP3
Është një zonë e vështirë; është larg, e lodhshme për t’u arritur. Nga ana tjetër është edhe një zonë pak e populluar. Ndryshe nga Sishuani, ku ra tërmeti në vitin 2008 e ku densiteti i popullsisë ishte tepër i lartë, këtu kemi më pak njerëz. Por, problemi është se gjendja e ndërtesave në këtë zonë nuk ishte shumë e mirë: shtëpitë janë ndërtuar me tulla e dru e duket se kanë rënë si kështjella letre. Prandaj, fatkeqësisht, pritet që numri i viktimave të rritet.
Flitet për gjendjen dramatike të një shkolle, e cila ka rënë sëbashku me nxënësit, që ndodhen nën rrënoja. Pas përvojave të mëparshme, a ka filluar Kina kontrollin e ndërtesave publike?
Në teori, fushata për kontrollin e ndërtesave publike, në veçanti të shkollave, filloi pikërisht pas tragjedisë së tërmetit të vitit 2008. Tani duket se, ndryshe nga ç’ndodhi në Sishuan, pjesa më e madhe e shkollave nuk janë shkatërruar. Gjithsesi, kjo do të thotë se një pjesë kanë rënë. Presim që, nga njëra anë, të shpërthejë një skandal publik për fëmijët e nbyllur brenda shkollës, por nga ana tjetër, të forcohet kontrolli mbi ndërtesat publike, sidomos mbi shkollat e spitalet, që janë më delikate e të brishta.







All the contents on this site are copyrighted ©.