2010-04-13 16:42:41

Të krishterët e Tokës Shenjtë kërkojnë përgjigje për situatën në Lindjen e Mesme


(13.04.2010 RV)Dje, në Veronë të Italisë, u paraqit për herë të parë thirrja e të krishterëve të Tokës Shenjtë “Kairos Palestina”, fryt i një pune të gjatë të Kishave të krishtera për t’iu përgjigjur gjendjes gjithnjë e më dramatike në këtë zonë të Lindjes së Mesme. Konferenca u organizua nga Pax Christi dhe Tryeza e Tokës Shenjte. Një nga personat që folën, ishte edhe atë Raed Abushalia, famullitar në Tajbeh, qytet ndërmjet Jeruzalemit e Ramallahut. Na shpjegon se ç’është “Kairos Palestina”:
Ky dokument është filluar më 11 dhjetor 2009, para Krishtilindjes, nga teologë palestinezë, që dëshironin t’i bënin thirrje botës në favor të palestinezëve të krishterë, të denonconin ç’po ndodh në Palestinë e të kërkonin fundin e pushtimit e të konfliktit.
Pra, ata që flasin përmes këtij dokumenti janë të krishterët palestinezë…
Po, janë krerë fetarë e laikë palestinezë, arabë e të krishterë, që bëjnë këtë thirrje të ngjashme më atë të Afrikës së Jugut në vitin 1985, quajtur “Kairos Afrika e Jugut”, me qëllim fundin e regjimit të aparteidit. Të gjithë krerët patriarkë dhe ipeshkvijtë e Kishës së Jeruzalemit miratuan pastaj një letër me titull: “Dëgjuam thirrjen e fëmijëve tanë”. Kjo letër u nënshkrua nga Patriku Fuad Tval, nga patriku ortodoks, ai armen e nga të gjitha Kishat e tjera.
Cili është realiteti i sotëm në Territoret Palestineze?
Kapitulli i parë i këtij dokumenti flet për gjendjen e përgjithshme: gjithçka duket e qetë tani, por nuk ka përparim, nuk shihet ndonjë rrugëdalje. Flitet për mungesën e lirisë, për pushtimin, për murin ndarës, për ngulimet izraelite, për mungesën e lirisë fetare, për refugjatët, për të burgosurit. Në Jeruzalem ndodh çdo gjë: ka emigrim të të krishterëve, nuk ka bisedime, ka një konflikt të brendshëm ndërmjet Fatahut dhe Hamasit në Gazë, ka ndarje ndërmjet Rripit të Gazës dhe Uest Benk. Gjendja është konfuze. Thirrja “Kairos” dëshiron të jetë fjalë feje, fjalë shprese e dashurie.







All the contents on this site are copyrighted ©.