2010-04-13 15:16:01

Kryeipeshkvi i Atlantës: kardinali Racinger inkurajoi prelatët amerikanë të luftonin me forcë abuzimet seksuale dhe të mbështesnin viktimat


(13.04.2010 RV)Shtohen iniciativat e lutjes e të solidaritetit me Benediktin XVI para sulmeve gazetareske të këtyre javëve, për çështjen e abuzimeve seksuale të disa eksponentëve të klerit katolik me të miturit. Akuzat kundër Papës janë krejtësisht të pabazuara, thekson kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve në periudhën 2001-2004, imzot Uilton Grègori, kryeipeshkëv i Atlantës. Ai kujton, në mikrofonin tonë, dorën e fortë të kardinalit Racinger në mbështetje të viktimave e kundër meshtarëve përgjegjës për abuzimet:
Ne e dinim me siguri se e vetmja mënyrë për të rivendosur besimin në shërbimin meshtarak ishte t’i siguronim besimtarët se asnjë meshtar përgjegjës për abuzimet nuk do të kishte më lejen për të vepruar si meshtar në baritorinë kishtare, pavarësisht se me sa vjet më parë kishin të bënin akuzat. Dëshironim vërtet të mbronim fëmijët.
Si ishin kontaktet me Vatikanin?
Para së gjithash, duhet të them se më prisnin gjithnjë mirë. Anëtarët e Kuries më bënin pyetje të vështira, që përfshinin të gjitha perspektivat, por nëse duhet të veçoj ndonjë, që e kishte kuptuar plotësisht rëndësinë e situatës, që na mbështeste më shumë në masat që po merrnim dhe, që na inkurajonte të shkonim deri në fund, ai person ishte kardinali Racinger. Pa dyshim që ishte i vetëdijshëm më shumë se të tjerët për rëndësinë e reagimit e të përgjigjes me dorë të fortë.
Pas ngjarjeve të abuzimeve seksuale ju miratuat Kartën për mbrojtjen e fëmijëve. A keni pasur direktiva nga kardinali Racinger, apo nga krerë të tjerë të Vatikanit?
Kanë qenë ipeshkvijtë amerikanë ata që hartuan dokumentin, por kardinali Racinger na mbështeti shumë. Natyrisht, detajet u rishikuan jo vetëm nga kardinali, por edhe nga krerë të dikastereve të tjera. Ka pasur debate e kardinali Racinger pati një rol të rëndësishëm ndërmjetësimi me anëtarët e Kuries. Pikërisht ai na përkrahu e na dha forcë për ta vazhduar në këtë rrugë.







All the contents on this site are copyrighted ©.