2010-04-12 17:21:19

Papa në lutjen Mbretëreshës Qiellore: duhet dëshmuar Dashuria përdëllyese e Zotit.


“Misioni i Kishës është t’ia çojë të gjithëve lajmin e mirë, realitetin gazmor të dashurisë së mëshirshme të Zotit”. Këtë theksoi dje Papa Benedikti XVI gjatë lutjes drejtuar Mbretëreshës Qiellore. Ati i Shenjtë kujtoi edhe viktimat e aksidentit ajror, që ndodhi pardje në Rusi, në të cilin humbën jetën, përveç presidentit Leh Kaçinski, edhe disa nga autoritetet më të larta të popullit polak, duke nënvizuar se lutet për shpirtin e të vdekurve. Më pas Papa foli posaçërisht për Festën e Mëshirës Hyjnore.

Me të Dielën e sotme – shpjegoi Ati i Shenjtë –Tetëditshi i Pashkëve përfundon, si të ishte një ditë e vetme, e bërë nga Zoti, përplot me frymën e Ringjalljes e të gëzimit të dishepujve, që shikojnë Jezusin. Që nga lashtësia, kjo e dielë njihet me emrin ‘in albis”, ‘e Diela e bardhë’. Gjon Pali II – kujtoi Papa – ia kushtoi këtë të dielë Mëshirës Hyjnore, me rastin e shenjtërimit të motër Maria Faustina Kovalskës, më 30 prill të vitit 2000.
“Me mëshirë e mirësi hyjnore është e pasur faqja e Ungjillit të Shën Gjonit (20,19-31) e kësaj së Diele. Në të rrëfehet sesi Jezusi, pas Ringjalljes, i vizitoi dishepujt e tij, mbledhur në Çenakull, në sa dyert ishin të mbyllura, prej frikës së judejve. Shën Agostini shpjegon se portat e mbyllura nuk e penguan hyrjen e atij korpi, në të cilin banonte hyjnia”.
Jezusi u tregon dishepujve shenjat e mundimeve, duke e lejuar Tomën, që nuk beson, t’ia prekë plagët. E, duke ndjekur Tomën në mosbesimin e tij, nuk mund të mos pyesim: “Si është e mundur që një dishepull të dyshojë?”:
“Në të vërtetë mirëdashja hyjnore na lejon të përfitojmë edhe nga mosbesimi i Tomës, përveçse nga qëndrimi i dishepujve besimtarë. Duke i prekur plagët e Zotit, dishepulli që ngurron, shëron jo vetëm mosbesimin e vet, por edhe tonin”.
Vizita e të Ringjallurit nuk kufizohet në hapësirën e ngushtë të Çenakullit, por shkon shumë më përtej, në mënyrë që të gjithë të mund të marrin dhantinë e paqes e të jetës, me ‘Frymën krijuese’. Në të vërtetë Jezusi, dy herë me radhë u tha dishepujve: “Paqja me ju! e shtoi: “Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”:
“Ky është misioni i Kishës, që asistohet përjetësisht nga Ngushëlluesi: t’ua çojë të gjithëve lajmin e gëzueshëm, realitetin gazmor të dashurisë përdëllyese të Zotit, me qëllim që – siç thotë Shën Gjoni – të besojnë se Jezusi është Krishti, Biri i Hyjit e që, duke besuar, të kenë jetë, në emër të tij”.
Në dritën e kësaj fjale, Ati i Shenjtë inkurajoi, posaçërisht të gjithë barinjtë, ta ndjekin shembullin e Gjon Maria Vianejt:
“… Famullitarit Shenjt të Arsit i cili, në kohë të vet, diti ta shndërrojë zemrën e jetën e shumë njerëzve, sepse i bëri ta perceptojnë dashurinë e mëshirshme të Zotit. Edhe në kohën tonë ndjehet ngutshëm nevoja për një kumtim të tillë e për një dëshmim të tillë të vërtetësisë së kësaj dashurie”.

Pas lutjes së Mbretërshës Qiellore, Papa shprehu ngushëllimet e tij për aksidentin tragjik të avionit në Rusi, gjatë të cilit humbën jetën presidenti i Polonisë, së bashku me disa autoritete të Shtetit polak, si dhe gjithë grupi shoqërues, duke përfshirë edhe ipeshkvin në shërbim shpirtëror të forcave ushtarake.
Ati i Shenjtë, më pas, u drejtoi një përshëndetje të posaçme shtegtarëve, të ardhur në Romë me rastin e së Dielës së Mëshirës Hyjnore, duke uruar që figura e Krishtit të mëshirshëm, ta ndriçojë vazhdimisht jetën e secilit. Papa, në përfundim, kujtoi se dje fillonte në Torino ekspozimi solemn i Sindonës, pëlhurës së shenjtë, me të cilën besohet se qe mbështjellë Krishti, para se të varrosej:
“Edhe unë, në dashtë Zoti, do të shkoj për ta nderuar, më 2 majin e ardhshëm. Më gëzon kjo ngjarje e cila, edhe një herë, po nxit një lëvizje të jashtëzakonshme shtegtarësh, por edhe studimesh, reflektimesh e, sidomos, një rikujtim të pazakontë të misterit të vuajtjes së Krishtit”. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.