2010-04-12 17:20:15

Një udhëzues për laikë e jo kanonistë mbi procedurat lidhur me akuzat për shpërdorimet mbi të miturit.


(12.04.2010RV)U botua sot në kanalin e Selisë së Shenjtë (www.vatican.va), në Fokusin kushtuar përgjigjes, që jep Kisha, për çështjen e shpërdorimeve mbi të miturit) një Udhëzues, që ndihmon për të kuptuar procedurat bazë të Kongregatës për Doktrinën e Fesë (Kdf), lidhur me akuzat për shpërdorime seksuale. Nuk është fjala për një dokument të ri, por për një skedë, që përmbledh procedurat operative të përcaktuara prej kohe, e që mund t’i ndihmojnë laikët e jo kanonistët. Procedurat i referohen Motu Proprio Sacramentorum sanctitatis tutela (MP SST) të 30 prillit 2001 dhe Kodit të së Drejtës Kanonike të vitit 1983.
Përsa u përket procedurave paraprake, dioqeza heton çdo rast dyshimi për shpërdorime seksuale nga ana e ndonjë kleriku mbi një të mitur. Kur dyshimi vërtetohet, njoftimi i çohet Kdf-së. Ipeshkvi vendas ia përcjell të gjitha informacionet e nevojshme Kdf-së dhe shpreh opinionin e tij lidhur me masat afatshkurtëra edhe afatgjata, që duhen marrë. Duhet të ndjekë, më pas, dispozitat e ligjit civil përsa i përket padisë për krime të tilla pranë autoriteve civile. Në fazën paraprake e derisa çështja të përfundojë, ipeshkvi mund të marrë masa parandaluese për mbrojtjen e bashkësisë, duke përfshirë edhe viktimat. Në të vërtetë ipeshkvi vendas ka gjithnjë pushtet për t’i mbrojtur fëmijët, duke e kufizuar veprimtarinë e cilitdo meshtar të dioqezës së tij. Kjo bën pjesë në autoritetin e tij si ipeshkëv, të cilin është i thirrur ta ushtrojë në atë masë, që e shikon të arsyeshme, për t’i siguruar fëmijët nga dëmtimet, e ky pushtet mund të ushtrohet me urti nga ipeshkvi para, gjatë e pas çdo procesi kanonik.
Përsa u përket proceseve të autorizuara nga Kdf-ja, dikasteri e studion rastin e paraqitur nga ipeshkvi vendas e, kur është e nevojshme, kërkon njoftime plotësuese. Kdf-ja mund ta autorizojë ipeshkvin vendas për të zhvilluar hetimet për një proces penal gjyqësor, para një gjykate kishtare vendase. Çdo lloj apelimi në raste të tilla, duhet të paraqitet pranë gjykatës së Kdf-së-. Kdf-ja mund të autorizojë ipeshkvin vendas të zhvillojë hetimet për një proces penal admnistrativ, përpara një delegati të ipeshkvit vendas, të mbështeur nga dy ndihmës-gjykatës. Meshtari i akuzuar thirret për t’iu përgjigjur akuzave dhe ka të drejtë të paraqesë pranë Kdf-së, kërkesë për prishjen e vendimit, që e dënon me ndëshkim kanonik. Vendimi i kardinajve anëtarë të Kdf-së është përfundimtar. Kur meshatri gjykohet si fajtor, të dy proceset, gjyqësori e administrativi-penal – mund ta dënojnë me disa ndeshkime kanonike, që shkojnë deri në dorëheqjen nga gjendja klerikale. Gjatë këtyre proceseve mund të trajtohet drejtpërdrejt edhe çështja e dëmeve të pësuara.
Në raste posaçërisht të rënda, në të cilat kleriku, gjatë një procesi, gjykohet si fajtor për shpërdorime seksuale mbi të miturit ose kur provat janë të pakundërshtueshme, Kdf-ja mund ta çojë rastin drejtpërdrejtë para Atit të Shenjtë, me kërkesën që Papa të lëshojë një dekret për dorëheqje nga gjendja klerikale ‘ex officio’. Pas një dekreti të tillë papnor, nuk mund të bëhet kurrfarë kundërshtimi kanonik. Kdf-ja i çon Atit të Shenjtë edhe kërkesat e meshtarëve të akuzuar të cilët, të vetëdijshëm për krimet e kryera, kërkojnë të shkarkohen nga shërbimet e meshtarisë e të rikthehen në gjendje shekullare. Ati i Shenjtë e pranon këtë kërkesë, për të mirën e Kishës (“pro bono Ecclesia).
Në ato raste, kur meshtari i akuzuar i pranon krimet e tij dhe premton të jetojë në lutje e pendesë, Kdf-ja autorizon ipeshkvin vendas të lëshojë një dekret, që ndalon ose kufizon shërbimin publik të këtij meshtari. Në rast shkeljeje të kushteve të dekretit, nuk përjashtohet dorëheqja nga gjendja klerikale. Kundër këtyre dekreteve është e mundur të bëhet ankesë për prishje vendimi pranë Kdf-së. Vendimi i Kdf-së është përfundimtar.

Së fundi, Udhëzuesi kujton se Kdf-ja po rishikon disa nene të Motu Proprio Sacramentorum sanctitatis tutela (MP SST) të 30 prillit 2001, me qëllim që ta rifreskojë, në dritën e kompetencave të posaçme që i njihen Kdf-së nga papët Gjon Pali II e Benedikti XVI. Modifikimet, që do të propozohen, në diskutim e sipër, nuk do t’i ndryshojnë procedurat e mësipërme.







All the contents on this site are copyrighted ©.