Mesazhi i kardinalit Tarçizio Bertone dhe Letra e ipeshkvijve maltezë, në prag të
shtegtimit apostolik të Benedikit XVI në Maltë.
(12.04.2010 RV)“Historia e Maltës lidhet ngushtë me Shën Palin, që kumtoi në
ishull lajmin e mirë të Jezusit të Ringjallur dhe me dëshmimin e Krishtit nga shumë
brezni katolikësh”. Kështu shkruhet në mesazhin, drejtuar katolikëve maltezë, nga
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, me rastin e vizitës
baritore të Papës në Maltë, më 17 e 18 prillin e ardhshëm. Në mesazhin e
tij, kardinali Bertone nënvizon se në këto ditë përgatitore për shtegtimin apostolik,
Ati i Shenjtë u kërkon të gjithë besimtarëve të luten, që vizita të jetë kohë përtëritjeje
shpirtërore për mbarë Kishën malteze. Ndërsa në Letrën e tyre baritore,
ipeshkvijtë maltezë, duke krahasuar arritjen e Shën Palit në ishull, me shtegtimin
e Papës në Maltë , i ftojnë besimtarët ta dëgjojnë me kujdes mesazhin e Atit të Shenjtë,
pa u frikësuar nga sfidat, në kërkim të vazhdueshëm të mesazhit të Krishtit. “Dymijë
vjet më parë, gjatë qëndrimit të tij të shkurtër mes nesh e përmes predikimit të Ungjillit
– shkruajnë - Pali u priu banorëve të Maltës e të Gozos drejt Jezu Krishtit, drejt
shpresës së krishterë, që lindi në zemrat e tyre". Prej këndej, pyetja aktuale: “Cilat
janë frytet dymijëvjeçare të predikimit të Ungjillit në ishull?”.I ftojmë të gjithë
– nënvizojnë edhe një herë ipeshkvijtë - edhe ata që e ndjejnë veten të pushtuar nga
dyshimet, lidhur me fenë, ta dëgjojnë mesazhin e Papës, që është mesazhi i Krishtit
- e zërin e një Kishe, gjithnjë të gatshme për të dialoguar e për t’ia hapur portat
gjithë botës, ashtu ai ia hapi Malta Palit në orë të vështira.