Editorial i atë Federiko Lombardit: Çarmatimi bërthamor është lajm i mirë.
(11.04.2010 RV)Javës që kaloi SHBA-të dhe Rusia u impenjuan për të reduktuar
armatimet bërthamore strategjike, me një marrëveshje që u konsiderua historike. Vetëm
disa ditë më parë, presidenti amerikan Barak Obama pati deklaruar se Uashingtoni nuk
do t’i përdorë armët bërthamore kundër shteteve, që nuk i kanë. Duke shpjeguar politikën
e re në këtë fushë, Obama theksoi se ato do të mbahen vetëm për mbrojtje. Pikërisht
nënshkrimit të marrëveshjes START 2, ia kushton komentin e kësaj jave, zëdhënësi i
Vatikanit, atë Federiko Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm. Ta dëgjojmë: “Të
enjten, më 8 prill, në Sallën spanjolle të Kështjellës së Pragës, po ajo ku pak muaj
më parë Papa Benedikti XVI u pati folur autoriteteve politike dhe Trupit diplomatik
të Republikës Çeke, presidentët e SHBA-ve dhe të Rusisë nënshkruan marrëveshjen START
2 për reduktimin e armatimeve strategjike bërthamore. Papa pati kujtuar rënien e mureve
të 20 vjetëve më parë e pati thënë: “Aspiratat e qytetarëve dhe përgjigjet që priteshin
nga qeveritë kërkonin modele të reja në jetën publike e solidaritet ndërmjet kombeve
e popujve, pa të cilat e ardhmja e drejtësisë, paqes e përparimit të shumëpritur,
do të kishte mbetur pa përgjigje”. Në këtë kuptim, START 2 është lajm i
mirë, pasi kapërcehet një gjendje amullie e rifillohet rruga drejt reduktimit e –
shpresojmë – eliminimit të arsenaleve luftarake më të rrezikshme. Bombat bërthamore
kufizohen në 1.550 ndërsa raketat në 800: 30% më pak në krahasim me vitin 2002. Janë
gjithnjë të mjaftueshme për ta shkatërruar planetin tonë, por janë më pak në krahasim
me kohën e grumbullimit pa kufi, akumulim i padobishëm e i çmendur. Të flitet për
paqe, besim e solidaritet, kur akoma ekzistojnë mijëra bomba bërthamore të fuqishme,
është ndoshta tepër optimiste, por rruga është e drejtë dhe vazhdimi i saj, urgjent. Fiton
kështu besueshmëri kërkesa për çarmatimin bërthamor, që u bëhet shteteve të tjera
me ambicie bërthamore dhe, mund të përdoren burime ekonomike, shkencore e njerëzore
të jashtëzakonshme për nevojat më urgjente të njerëzimit e të zhvillimit. Çdo përpjekje
në këtë drejtim duhet inkurajuar e Kisha do të jetë gjithnjë nga ana e veprimtarëve
të paqes”.