Në debatin mbi shpërdorimet seksuale, cili është kursi i Kishës? Flet zëdhënësi i
Vatikanit Atë Lombardit.
(09.04.2010 RV)Debati mbi shpërdorimet seksuale, e jo vetëm nga ana e klerit,
zë vendin e parë ndërmjet lajmeve e komenteve, me tone nga më të ndryshmet. Si mund
të lundrohet në këto ujëra të trazuara, me një kurs të sigurtë e duke iu përgjigjur
thirrjes ungjillore: “Dil në det të hapur!”?
Mbi të gjitha, duke vijuar të
kërkojmë të vërtetën e paqen për ata që janë fyer. Një nga gjërat, që të bën më shumë
përshtypje, është se po dalin në dritë shumë plagë shpirtërore, që mbetën të fshehura,
ndonëse gjithnjë të hapura, për shumë e shumë kohë, nganjëherë për dhjetra vjet. Shumë
nga viktimat nuk kërkojnë dëmshpërblime ekonomike, por ndihmë shpirtërore, një mendim,
që mund t’ua lehtësojë dhimbjen e plagës. Diçka duket se nuk është kuptuar akoma deri
në fund. Ndoshta duhet të fitojmë një përvojë më të thellë për ngjarjet, që ndikuan
kaq negativisht mbi jetën e njerëzve, të Kishës e të shoqërisë. Shembull për këtë,
në nivel kolektiv, është urrejtja e dhuna në konfliktet ndërmjet popujve, që kapërcehen
me shumë vështirësi, kur është fjala për arritjen e pajtimit të vërtetë. Shpërdorimet
e plagosin thellë shpirtin e njeriut. Prandaj bënë mirë ato episkopate, të cilat rinisën
me guxim ecjen në rrugën e nxitjes së viktimave për të folur lirisht, duke i dëgjuar
me vëmendje, pa llogaritur se problemi ishte përballuar e kapërcyer përmes qendrave
të dëgjimit, ngritur kohë më parë, e po ashtu, edhe episkopatet ose ipeshkvijtë e
veçantë të cilët, me dashuri atërore, i kushtojnë viktimave vëmendje shpirtërore,
liturgjike e njerëzore. Duket i sqaruar fakti se numri i padive të reja lidhur me
shpërdorimet, siç po ndodh në SHBA, po pakësohet, por rruga për shërimin në thellësitë
e shpirtit për disa, fillon vetëm tani, për të tjerë, duhet akoma të fillojë. Në Kontekstin
e vëmendjes ndaj viktimave, Papa ka shkruar se është i gatshëm për takime të reja
me ta, duke përfshirë në këtë udhë mbarë bashkësinë kishtare. Por për të pasur rezultate
të thella, kjo udhë duhet përshkuar me frymën e respektimit të njerëzve e të kërkimit
të paqes.
Përveç vëmendjes për viktimat, duhet, pastaj, të vihen vendosmërisht
në jetë procedurat korrekte të gjykimit kanonik të fajtorëve e të bashkëpunimit me
autoritetet civile, përsa u përket kompetencave të tyre gjyqësore e penale, duke pasur
mirë parasysh veçoritë e normativave e të situatave, në vende të ndryshme. Vetëm kështu
mund mendohet ndërtimi me sukses i klimës së drejtësisë e të besimit të plotë në autoritetet
kishtare. E theksojmë këtë, sepse drejtues të ndryshëm të bashkësive apo të institucioneve,
për shkak të mungesës së përvojës, ose të përgatitjes së mangët, nuk i kanë të qarta
këto kritere, që mund t’i ndihmojnë për të ndërhyrë me vendosmëri, edhe kur një ndërhyrje
e tillë, për ta, është e vështirë dhe e dhimbshme. Por ndërsa ligji civil ndërhyn
me norma të përgjithshme, ndërhyrja kanonike duhet të ketë mirë parasysh peshën e
rëndë morale të shpërdorimit të besimit, që kanë njerëzit tek barinjtë e bashkësisë
dhe të kontradiktës flagrante me sjelljen shembullore që duhet të kenë njerëzit e
Kishës. Në këtë kuptim, transparenca dhe rreptësia imponohen si kërkesa urgjente,
për të dëshmuar kursin e urtë e të drejtë në Kishës.
Në perspektivë, formimi
dhe seleksionimi i kandidatëve për meshtari, e më në përgjithësi, i personelit të
institucioneve edukative e baritore, janë kushti i parë për parandalimin e shpërdorimeve
seksuale të mundshme. Arritja e pjekurisë së shëndoshë të personalitetit, edhe në
pikëpamjen e seksualitetit, ka qenë gjithnjë një sfidë e vështirë; e sot, akoma më
shumë, ndonëse njohuritë më të thella psikologjike e mjekësore ndihmojnë mjaft në
formimin shpirtëror e moral. Dikush ka vërejtur se shumica e shpërdorimeve ka ndodhur
në periudhën më të nxehtë “të revolucionit seksual”, domethënë në dekadat e kaluara.
Kur flitet për formim, duhen pasur mirë parasysh edhe këto rethana e, më në përgjithësi,
rrethanat e shekullarizimit. Në fund të fundit bëhet fjalë për të zbuluar e për riafirmuar
kuptimin dhe rëndësinë e seksualitetit, të pastërtisë e të marrëdhënieve afektive
në botën e sotme, në forma shumë konkrete e jo vetem verbale, abstrakte. Duhet sqaruar
mirë se dhunimi ose nënvleftësimi i tyre mund të bëhet burim i çregullimeve e i vuajtjeve
të rënda. Siç vëren Papa, duke u shkruar irlandezëve, të krishterët e meshtarët mund
t’u përgjigjen sot kërkesave të thirrjes së tyre, vetëm duke e shuar etjen në burimet
e fesë e të miqësisë me Krishtin. Kush e do të vërtetën dhe vlerësimin objektiv
të problemeve, do të dijë t’i kërkojë e t’i gjejë njoftimet e duhura për një mirëkuptim
më të përgjithshëm të problemit të pedofilisë e të shpërdorimeve mbi të miturit në
kohën tonë e në vende të ndryshme, duke e kuptuar shtrirjen dhe perversitetin e problemit.
Mund të kuptohet, kështu, më mirë, në ç’mënyrë Kisha katolike ndan me të tjerët jo
vetëm problemet e veta, në ç’masë rëndojnë mbi të e ç’ndërhyrje të posaçme duhet
të bëjë e, së fundi në ç’masë përvoja e Kishës në këtë fushë, mund të jetë e nevojshme
edhe për institucionet e tjera, ose për mbarë shoqërinë.
Në këtë aspekt na
duket se mediat nuk kanë punuar ende sa duhet, posaçërisht në vendet ku prania e Kishës
ka më shumë peshë e ku, prandaj, ndikojnë më shumë shigjetat e kritikës. Por dokumente,
si Raporti kombëtar i SHBA mbi keqtrajtimin e fëmijëve, meritojnë të njihen më shumë,
për të kuptuar cilat janë fushat ku shoqëria duhet të ndërhyjë me urgjencë e cilat
janë përmasat e problemit. Vetëm në vitin 2008 në SHBA u identifikuan 62. 000 të paditur
për shpërdorime mbi të miturit, ndërsa grupi i meshtarëve katolikë është aq i vogël,
sa nuk u mor fare parasysh si i tillë.
Mund të themi, prandaj, se impenjimi
për mbrojtjen e të miturve e të të rinjve, është një fushë e pamasë dhe e pashterrshme
pune, e cila shkon shumë përtej problemit, që ka të bëjë me disa anëtarë të klerit.
Ata, që ia kushtojnë me ndjeshmëri, bujari e vëmendje forcat e tyre, meritojnë mirënjohje,
respekt e inkurajim nga ana e të gjithëve e, posaçërisht, nga ana e autoriteteve kishtare
e civile. Kontributi i tyre është themelor për paqen e besueshmërinë e punës edukative
e të formmit të rinisë në Kishë e jashtë saj. Me të drejtë Papa i vlerësoi lart në
Letrën për Irlandën, por natyrisht, duke pasur parasysh një horizont shumë më të gjërë. Së
fundi, Papa Benedikti XVI, prijës korrekt në rrugën e rreptësisë e të vërtetësisë,
e meriton plotësisht respektin dhe mbështetjen, që po ia dëshmon mbarë Kisha. Ai është
Bari në lartësinë e duhur, për t’i bërë ballë me drejtësi e siguri kësaj kohe të vështirë,
në të cilën nuk mungojnë kritikat e insinuatat pa asnjë bazë; larg çdo paragjykimi,
duhet pohuar se Ai është një Papë që ka folur shumë për të Vërtetën e Zotit e për
respektimin e së vërtetës, në përgjithësi, duke u bërë edhe dëshmitar i besueshëm
i saj. E shoqërojmë e mësojmë prej tij qëndrueshmërinë e nevojshme për t’u rritur
me frymën e së vërtetës e të transparencës, duke e zgjëruar vazhdimisht horizontin
mbi problemet e rënda të botës e duke iu përgjigjur me durim avazit të “zbulimeve”
të pjesëshme ose të hamendësuara, që bëjnë çmos për ta dëmtuar besueshmërinë e tij,
të institucioneve ose të personave të tjerë të Kishës. Pikërisht për këtë dashuri
durimtare e të palëkundshme kemi nevojë në Kishë, në shoqërinë ku jetojmë e në mënyrën
si komunikojmë e si shkruajmë, në se dëshirojmë t’u shërbejmë bashkëkohasve, e jo
t’i pështjellojmë.