2010-04-09 18:30:57

Magjisteri i Benediktit XVI për Krishtin, ‘gur këndi’: mbi këtë shkëmb, bashkësia e Kishës është e sigurtë në çdo kohë.


(09.04.2010 RV)Liturgjia e së Premtes së Tetëditshit të Pashkëve kremtoi, përmes fjalëve të Pjetrit, Krishtin, i cili u bë ‘gur i këndit”, pasi qe flakur nga ata ndërtues, që nuk arritën ta njohin e ta pranojnë e që, prandaj, e mbërthyen mbi Kryq. Mbi këtë gur themeli, ka përsëritur shumë herë gjatë këtyre viteve Benedikti XVI, mbështet forca e Kishës, mësimi i saj, autoriteti i ipeshkvijve, përvoja e bashkësive të krishtera.
Po kujtojmë, më poshtë, disa pohime të Papës mbi këtë temë:
Kur flasim për traditë, lidhur edhe me sjelljet e një shoqërie a të një vendi, na vjen në mend ai kompleks zakonesh rituale, nganjëherë krejt të thjeshta, që përcillen nga breznia në brezni, duke i dhënë forcë solemne kujtimeve të lashta e të rëndësishme për këtë shoqëri a për këtë vend, gjë që i bën t’i përballojnë kohët.
Shumë më i thellë është, për Kishën, koncepti i ‘Traditës Apostolike’, që nuk bazohet mbi përsëritjen e thjeshtë të zakoneve të lashta fetare, të shpikura nga njeriu, por lind nga veprat e Krishtit me Apostujt e parë e arrin deri tek përvoja e sotme e Krishtit në Kishën e vet, tek lidhja ndërmjet besimtarëve dhe barinjve të tyre, me fjalë të tjera, shpjegon Benedikti XV, tradita vijon.
Për virtyt të Shpirtit Shenjt përvoja e Krishtit të Ngjallur, e jetuar nga bashkësia apostolike në zanafillën e Kishës, mund të jetohet gjithnjë nga breznitë e reja, sepse transmetohet dhe vihet në jetë në fe, në kult e në bashkimin e popullit të Zotit. Kështu edhe ne tani, në kohën e Pashkëve, e jetojmë takimin me Krishtin e Ngjallur. Nuk është thjeshtë diçka që i përket së kaluarës, por përmes bashkimit të fesë, të liturgjisë, të jetës së Kishës, është realitet i pranishëm, që duhet ta vemë në jetë.Në orën e vendimeve solemne për jetën e Kishës, Shpirti Shenjt është i pranishëm – nënvizon Papa. Kisha ecën dhe rritet në frikën e Zotit, përplot me ngushëllimin e Shpirtit Shenjt. E Tradita Apostolike qëndron pikërisht në këtë transmetim të pasurive të shëlbimit, që jetohet vazhdimisht nga bashkësia e krishterë, në forcën e Shpirtit të bashkësisë së zanafillës. Tradita, pra, është bashkimi i besimtarëve rreth barinjve të ligjshëm në rrjedhën e historisë...:
“Tradita nuk është transmetim sendesh ose fjalësh, koleksion gjërash të vdekura; tradita është lum i gjallë që na lidh me zanafillën. Është lum i madh, që na çon në portin e amshimit. Duke qenë kështu, në këtë lum të gjallë vërtetohet gjithnjë fjala që kemi dëgjuar në fillim, Fjala e Zotit: ‘Unë jam me ju në të gjitha ditët e jetës, deri në fund të fundit të botës”(27 prill 2006).
Siguria ngushëlluese e pranisë së Jezusit pranë të vetëve gjatë ditëve të veçanta të historisë, duhet transmetuar qartë – thekson në disa raste Papa – posaçërisht kur është fjala për të rinjtë, ndërtuesit e Kishës të së nesërmes. Një Kishë – u tha Papa një ditë – që mund t’i ndryshojë stilet e saj të jashtme, por që nuk do ta ndryshojë kurrë gurin e këndit, Krishtin.
Shpesh Papa i ka inkurajuar kategoritë e ndryshme të edukatorëve: prindërit i ka porositur t’i edukojnë fëmijët që ta dallojnë të mirën nga e keqja me shembullin e jetës së tyre e të fesë së tyre;
mësuesit - të mos kufizohen në dhënien e nocioneve e të informacioneve por, në përkim të plotë me prindërit, ta ushtrojnë me mjeshtri artin fisnik të formimit të njeriut;
klerit, rregulltarëve e katekistëve, Benedikti XVI u kujton se për t’u propozuar të rinjve Krishtin, duhet së pari të jenë vetë dëshmitarë të sinqertë e të guximshëm të lirisë që i bën njerëzit vërtetë të lirë;
masës vigane të të rinjve, që mblidhet shpesh në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI i kujton se nuk janë thjeshtë objekt i edukimit, por protagonistë të tij, se Hyji është mik i fshehtë i zemrave tona; Ai dëshron ta ndriçojë dhe e ndriçon jetën tonë, “Atij mund t’i besojmë plotësisht”:
“Ju vetë jeni të thirrur të jeni mjeshtër të rritjes suaj morale, kulturore e shpirtërore. Ju takon ju, ta pranoni lirisht në zemër, në mendje e në jetë, trashëgiminë e së vërtetës, të mirësisë e të bukurisë, që u formua në rrjedhë shekujsh e që ka si gur këndi, Jezu Krishtin. Ju takon ju ta përtërini e ta zhvilloni më tej këtë trashëgimi, duke e çliruar nga mashtrimet e nga shëmtimet, që shpesh e tjetërsojnë e shkaktojnë në shpirtin tuaj mosbesim e zhgënjim”(23 shkurt 2008).
“Tempulli i ndërtuar me tulla “ – pohon një herë tjetër Papa – është simbol i Kishës së gjallë, i bashkësisë së krishterë e cila, që nga Shën Pjetri e Shën Pali Apostuj, kuptohet si ‘ndërtesë shpirtërore, e ngritur nga Hyji me gurë të gjallë, që janë të krishterët, të cilët e ndërtojnë jetën mbi një themel të vetëm, që është Jezu Krishti:
Zoti dëshiron të ndërtojë në botë një tempull shpirtëror, një bashkësi që ta adhurojë në shpirt e në vërtetësi (Gjn 4,23-24). Por kjo na kujton edhe rëndësinë e ndërtesave materiale, në të cilat bashkësia mblidhet për të kremtuar lavdinë e Zotit”(9 nëntor 2008).
Prandaj Papa i porosit të gjitha bashkësitë t’i ruajnë me kujdes të madh ndërtesat e e veta kishtare, që përbëjnë një trashëgimi të çmuar fetare e historike, sepse bukuria e harmonia e Kishave, të ndërtuara për të lumnuar Zotin, është ftesë për ne, qeniet njerëzore, të kufizuara e mëkatare, që të bëjmë kthesë, për të formuar një kozmos, një ngrehinë të rregulluar mirë, në bashkim me Shenjtin e Shenjtorëve, Jezusin!







All the contents on this site are copyrighted ©.