2010-04-08 16:52:59

Pesë vjet më parë funerali i Gjon Palit II kremtuar nga kardinali Racinger: në sajë të fesë në Krishtin, mbarti një peshë përtej forcave njerëzore.


(08.04.2010 RV)RealAudioMP3 Si sot, pesë vjet më parë, me kremtimin e Meshës së dritës në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, udhëhequr nga kardinali Racinger, Kisha dhe bota mbarë i dhanë lamtumirën Papës Gjon Palit I.
Pesë vjet më parë, pothuajse në këto orë, percillej nga kjo botë drejt shtëpisë së Atit Qiellor i dashuri Papa Gjon Pali II. Sot dëshirojmë, mbi të gjitha, të falënderojmë përsëri Hyjin që na e dha për 27 vjet si atë e prijës të sigurtë në fe, si bari të zellshëm e profet të guximshëm të shpresës, si dëshmitar të palodhur e shërbëtor të pasionuar të dashurisë së Hyjit. E njëkohësisht, ta kujtojmë figurën dhe veprën e tij në shërbim të Hyjit Atë e të njeriu vëlla, devocionin e madh me të cilin Papa Wojtila kremtonte Misteret e shenjte dhe adhuronte të Shenjtueshmin Sakrament të elterit, qendër e jetës së tij dhe e misionit të tij të palodhshëm apostolik për të mirën e njerëzimit mbarë.

 
Pram më 8 prill të vitit 2005, një turmë e jashtëzakonshme njerëzish në Sheshin e Shën Pjetrit, i jepte lamtumirën e fundit Papës Gjon Pali II. Një ngjarje që, edhe në sajë të mediave, mori përmasa planetare e akoma sot, mbetet e skalitur në kujtesën e miliona njerëzve.

Era që shfleton Ungjillin! Turma e besimtarëve që thërret “Shenjt menjëherë”! Flamujt polakë në zi! Tingëllimi i këmbanave për mort! Purpuri i veshjeve të kardinajve, bashkremtues të meshës! Shtrëngimi i duarve ndërmjet krerëve të vendeve armike! Imazhe e tinguj të pashlyeshëm të një ngjarjeje, që ishte para së gjithash, dëshmi feje. Për çerek shekulli, Papa Vojtila kishte përshkuar rrugët e botës për të shpallur kudo Lajmin e Mirë.

E tani, mbarë bota ishte grumbulluar në sheshin e Shën Pjetrit për ta përqafuar për herë të fundit Papën e ardhur nga larg. Për të falenderuar meshtarin, bariun, njeriu që u përsëriti të gjithëve e secilit pa u lodhur: “Mos kini frikë. Hapjani, madje në dy kanatat, portat Krishtit”. Vetë Gjon Pali II, gjatë jetës së tij, u bë një me Krishtin.

Kështu e kujton kardinali i atëhershëm Racinger, i cili kremtoi funeralin. Gjon Pali II, tha atëherë shoku i rrugës e Papa i mëvonshëm, iu përgjigj thirrjes së Krishtit për ta ndjekur. Këtu qëndron sekreti e misteri i forcës së tij:
 
“Dashuria e Krishtit qe forca dominuese e Atit tonë të Shenjtë; kush e ka parë të lutet, kush e ka dëgjuar të predikojë, e di. E kështu, falë kësaj rrënjosjeje të thellë në Krishtin mundi të bartë peshën, që shkon përtej forcave njerëzore: të bëhej bari i grigjës së Krishtit, i Kishës së tij universale”.

Fjalët e fundit të kardinalit Racinger, tejet të mallëngjyera, përshkruajnë fort mirë ndjenjat e popullit të Zotit për Papën Gjon Pali II. Duke i folur drejtpërdrejt Karol Vojtilës, ai tha:
 
“Mund të jemi të sigurtë se Papa ynë i dashur qëndron tani në dritaren e Shtëpisë së Atit, na sheh e na bekon. Po, na beko, o Atë i Shenjtë. Ia besojmë shpirtin tënd Nënës së Zotit, Nënës tënde, që të udhëhoqi çdo ditë e do të të udhëheqë tani në lavdinë e amshuar të Birit të vet, Zotit tonë Jezu Krisht”.







All the contents on this site are copyrighted ©.