Kosova përgatitet për regjistrimin e popullsisë pas 30 vjetësh
(08.4.2010 RV)Vitin që vjen Kosova ka në agjendë regjistrimin e popullsisë,
i munguar prej 30 vjetësh, që vlerësohet një nga projektet e mëdha, që realizohet
pas pavarësisë. Ky proces do të mbahet nga 31 marsi deri me 15 prill 2011.
Nën organizimin e Ministrisë së Administratës Publike (MAP), Komisionit Qendror për
Regjistrimin e Popullsisë dhe Entit të Statistikës të Kosovës, i cili funksionon në
kuadër të kësaj ministrie para dy ditësh u mbajt takimi i parë me kryetarët e komunave
të Republikës së Kosovës mbi përgatitjet për regjistrimin e popullsisë, ekonomive
Familjare dhe Banesave. Ministrja e sapoemëruar e MAP-së, Edita Tahiri
e vlerësoi procesin e regjistrimit si një projekt madhor me rëndësi nacionale, por
edhe sfidë njëkohësisht. "Regjistrimi do të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të
kushteve sociale dhe jetësore të qytetarëve tanë në vitin 2011, që në fakt është një
instrument esencial për politika, planifikime dhe vendimmarrje efektive në të mirë
të mirëqenies së qytetarëve", theksoi ajo. Tahiri shtoi se reforma qeveritare
e ndërmarrë nga Kryeministri Hashim Thaçi rrit përgjegjësinë që përballë proceseve
të rëndësishme, ashtu siç është regjistrimi i popullsisë, të tregojmë vetëdije të
lartë shtetërore për të dëshmuar se jemi në gjendje të funksionalizojmë çdo dimension
të shtetit tonë të ri. Ministrja Tahiri ka premtuar se Ministria që drejton
do të bëjë angazhime shtesë dhe do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet relevante
të Republikës së Kosovës, institucionet ndërkombëtare përkatëse, me theks të veçantë
EUROSTAT-in, si dhe me donatorët, që ky proces të jetë i suksesshëm dhe i pranueshëm
nga të gjitha komunitetet, duke theksuar dy procese të rëndësishme që ndodhen para
secilit - ngritjen e komponentëve të shtetit të ri, për të krijuar themele të qëndrueshme,
si dhe synimet evropiane dhe euroatlantike, të cilat e shtojnë përgjegjësinë dhe obligimet.
Kryetari i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë , Rifat Blaku, njëkohësisht
dhe zëvendësministër i MAP-së, ka kërkuar angazhim dhe mobilizim maksimal nga kryetarët
e komunave për të administruar mbi 1460 lokalitete, mbi 5100 qarqe regjistruese, mbi
440 mijë ekonomi shtëpiake dhe një numri shumë të madh regjistruesish dhe monitoruesish,
për të realizuar këtë proces sipas standardeve ndërkombëtare. Detajet teknike
dhe profesionale të këtij procesi i ka paraqitur Kryeshefi Ekzekutiv i Entit të Statistikave
të Kosovës, Avni Kastrati, i cili ka dhënë edhe sqarimet e nevojshme për kryetarët
e komunave. Ekspertët e demografisë vlerësojnë se numri i kosovarëve është
më se 2 milionë e 700 mijë - rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezidentë) dhe
rreth 500.000 jashtë vendit. Shifrat janë të përafërta, meqë në Kosovë nuk ka pasur
regjistrim të plotë të popullsisë që nga vitit 1981.