2010-04-07 18:21:41

Sot, festa liturgjike e Shën Gjon Pagëzuesit de La Sal.


(07.04.2010 RV)Gjoni lindi në Reims të Francës, më 30 prill 1651, nga prindër fisnikë, por jo të pasur. Ishte një nga të dhjetë fëmijët, që u rritën në prehër të kësaj familjeje vërtetë katolike. Me gjithë vështirësitë ekonomike, prindërit bënë çmos t’i shkollonin të gjithë fëmijët, e dhe Gjonin, i cili kreu fakultetin e letërsisë e të filozofisë. Po nuk e ndoq karierrën shkollore, që i hapej para. Zgjodhi rrugën meshtarake e, më 1678, ia kushtoi gjithë jetën Zotit. Nisi një veprimtari shumë të frytshme, duke bashkëpunuar me shkollat, themeluar nga Adrian Nijel, shekullar me kushte, që punonte për shkollimin e bijve të popullit. E kjo, sepse asokohe shkollat drejtoheshin nga mësues të padijshëm e pa kurrfarë aftësie për të ushqyer dashurinë për kulturën. E pikërisht nga mësuesit u nis Shën Gjoni. I mblodhi të gjithë mësuesit e Nijelit në një shtëpi të përbashkët, nisi të jetojë me ta, të studiojë me ta e t’i bëjë të studiojnë, duke vërejtur edhe metodat e shkollave të tjera. Përcaktoi një nga metdoat më moderne e përdori si gjuhë bazë frëngjishten, duke hequr dorë nga dhënia e mësimeve në latinisht.
Më 1680 lindi bashkësia e “Vëllezërve të shkollave të krishtera”. Anëtarët nuk ishin meshtarë, vishnin veladon të zi me jakë të gjërë, të bardhë e mbathnin këpucët karakteristike prej druri të fshtarëve francezë. Nën drejtimin e Shën Gjonit hapën edhe shkolla të reja. Më 1687 ngritën noviciatin e tyre. Më 1688 u thirrën të japin mësim në Paris, ku që vitin e parë shkollën e tyre e ndoqën një mijë nxënës. Për shkak të kritikave e të pengesave, që i erdhën nga jashtë, Shën Gjoni u detyrua ta çonte bashkësinë e tij në Shëngjin, pranë Ruenit, ku edhe vdiq, më 7 prill 1719.Është pajtor i mësuesve.







All the contents on this site are copyrighted ©.