2010-04-07 17:38:20

Papa në audiencën e përgjithshme: “Kemi nevojë për dëshmitarë entuziastë e guximtarë të Krishtit të Ngjallur”.


(07.04.2010 RV)“Lajmi i mirë i Pashkëve, kërkon dëshmitarë entuziastë e guximtarë”. Këtë theksoi sot Papa gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, stolisur me një pranverë të vërtetë lulesh. Benedikti XVI, që arriti me helikopter nga Kastel Gandolfo, i ftoi besimtarët ta shpallin me bindje më të thellë fenë e tyre në Krishin e Ringjallur, në një botë ku nuk mungojnë vuajtja, dhuna e keqkuptimet.

Një lajm i bukur, gazmor, që e mbush botën me hare: kumtimi i Ringjalljes, i fitores së Krishtit mbi të keqen e mbi vdekjen:
“Ky, në të gjithë historinë e botës, është padyshim ‘lajmi më i mirë’, është Ungjilli, i kumtuar e i trashëguar në shekuj, brez pas brezi”.
Pashkët e Krishtit janë akti më i lartë e më i paarritshëm i pushtetit hyjnor. Janë ngjarje krejtësisht e jashtëzakonshme, fryti më i bukur e më i pjekur i misterit të Zotit – shpjegoi Benedikti XVI – por njëkohësisht ngjallja e Krishtit është edhe fakt historik real, i dëshmuar e i dokumentuar. Feja jonë – shtoi Papa – bazohet mbi transmetimin e vazhdueshëm e besnik të këtij ‘lajmi të mirë’, që kërkon dëshmitarë entuziastë e guximtarë, të sigurtë – nënvizoi Ati i Shenjtë – se Zoti, sot, ashtu si dje, vepron së bashku me dëshmitarët e tij:
Ky është një fakt, të cilin mund ta vërejmë menjëherë, atje ku lulëzojnë filizat e paqes së vërtetë e të qëndrueshme, ku impenjimi dhe shembulli i të krishterëve e i njerëzve vullnetmirë, frymëzohet nga respekti e drejtësia, dialogu i durueshëm, nderimi i vërtetë për të tjerët, dëshira për të shërbyer pa asnjë interes, flijimi vetjak e komunitar. Por, për fat të keq, në botë shikojmë edhe shumë vuajtje, shumë dhunë, shumë mosmarrëveshje”.
Prej këndej, urimi i Papës, që Pashkët të jenë rast i përshtatshëm për ta rizbuluar e për ta shpallur me bindje më të thellë, besimin në Zotin e Ringjallur:
Ta lemë, pra, Zotin e Ringjallur t’na i fitojë zemrat".
Kështu e përfundoi katekizmin Ati i Shenjtë, pasi falënderoi aradhet e panumërta të besimtarëve në Krishtin, që nuk e kanë harruar kurrë se mandati i tyre kryesor është pikërisht të kumtojnë deri në skajet më të largëta të botës, Zotin e ngjallur.

Gjatë përshëndetjeve përfundimtare në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI i uroi mirëseardhjen një grupi diakonësh të Kolegjit Papnor irlandez, të saposhuguruar, duke u kërkuar t’i përngjasin plotësisht Zotit të bindur, zemërbutë e të përvujtë, e t’i shërbejnë me besnikëri ndërtimit të Kishës së Tij mbi tokë.
Një përshëndetje të përzemërt – përmes agjensisë së shtypit Itar-Tass - Benedikti XVI ua drejtoi të gjithë rusëve, në atdhe e në botë, duke uruar që Pashkët e kremtuara me gëzim, sivjet së bashku, t’i forcojnë gjithnjë më shumë lidhjet e vëllazërimit e të hapin shtigje te reja bashkëpunimi në rrugën e së vërtetës e të dashurisë së krishterë.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.