Tetëditëshja e Pashkëve: një udhëtim drejt Rrëshajëve.
(06.04.2010 RV) Ditët ndërmjet të Dielës së Ngjalljes dhe të Dielës që vjen
pas, quhen “Tetëditëshja e Pashkëve”, sepse krijojnë idenë e një dite të vetme. Po
cila është domethënia e Tetëditshes së Pashkëve? Përgjigje: - Pashkët
janë kulmi i Liturgjisë së krishterë e i jetës së krishterë, sepse pikërisht për Pashkë
Krishti vdiq e u ngjall për ne e na dhuron vetveten në Shpirtin Shenjt. Ja pse ky
mister kryesor i mbush plot zemrat, fenë e vetë liturgjinë. E ja pse në histori u
ndje nevoja për ta zgjeruar, në një farë mënyre, begatinë e emocioneve të kësaj dite
që është dita e ditëve e që kujtohet çdo të diel në mister, përmes kremtimit të një
Tetëditsheje, që quhet Tetëditëshja e Pashkëve. Janë tetë ditë që konsiderohen si
një ditë e vetme, dita e të Ngjallurit, drita e të cilit duhet përvetësuar gjithnjë
më thellë, pikërisht duke e kundruar e duke vijuar ta kundrojmë misterin e këtij takimi
me të Ngjallurin, që e ndryshon rrënjësisht jetën tonë. Pra mund të themi se kjo është
javë hiri, në të cilën duhet t’i hapim zemrat për të vërshuar ndër to, bukuria e Krishtit
të ngjallur. Pyetje: - Pse dita e parë pas Pashkëve quhet‘e Hëna
e Engjëllit’? Përgjigje: - Kjo e hënë quhet tradicionalisht e Hëna e
Engjëllit, për të nënvizuar një element të ngjarjes së madhe të Pashkëve e pikërisht
çastin kur Maria Magdalena shkon në kopsht, dëgjon dikë që e thërret e kujton se është
kopshtari. Në të vërtetë në këtë figurë gjejmë diçka shumë të bukur, idenë e kopshtit
të parë në botë, kopshtit të Parajsës Tokësore, që rikrijohet e përtëritet nga Ai
që u ngjall. Engjëjt kanë një rol të rëndësishëm në ngjarjen e madhe të Pashkëve.
Ata u kumtojnë grave që shkojnë te varri, se Krishti nuk është më aty. Janë, pra,
dëshmitarë që përhapin gëzimin e lajmit të bukur e përvojën e zemrës së re që Krishti
ka ardhur të na dhurojë me vdekjen e ngjalljen e Tij. Pyetje: -
Ç’do të thotë të jetosh si i ringjallur në jetën e përditshme? Përgjigje:
- Jeta e krishterë është jetë që buron nga Pashkët, nga Krishti i Gjallë e kjo
do të thotë që bashkon në mënyrë të pandashme vdekjen e ringjalljen, dhimbjen e gëzimin,
errësirën e dritën. Ky është reflektimi që duhet të bëjë gjithnjë i krishteri, duke
kujtuar pagëzimin e vet, që do të thotë zhytje në misterin e Pashkëve. Kjo konkretisht
do të thotë se në këtë botë s’ka të krishterë që të mos mund të shkëputet nga përvoja
e errësirës dhe e dhimbjes. Krishti erdhi të na shpëtojë nga mëkati, Krishti erdhi
t’i japë kuptim vuajtjes sonë e errësirës sonë, por ne do të jemi plotësisht të lirë
vetëm atëherë kur ta kundrojmë fytyrë për fytyrë, në lumninë e Ditës së tetë, në lumninë
e Pashkëve të mbramë e përfundimtare të Jeruzalemit qiellor. Në një farë mënyre stili
i Pashkëve të jetës është të jetosh çdo ditë me zemrën e festës. Pyetje:
- Siç dihet, menjëherë pas kremtimit të Pashkëve nis koha që na përgatit për Rrëshajë.
Si duhet jetuar këtë kohë kishtare e shpirtërore? Përgjigje: - Koha
e Pashkëve është kohë e Kishës. Libri i Veprave të Apostujve është Ungjilli i Kishës.
Na përshkruan pikë për pikë përhapjen dhe rrezatimin e dëshmisë së Pashkëve në Kishën
që po lindte, nga Jerusalemi e në mbarë botën. Është, pra çasti në të cilin duhet
të rizbulojmë hirin e madh se bëjmë pjesë në Kishë, se jemi mbledhur nga i Ngjalluri
me forcën e Shpirtit të Tij të Shenjtë, i cili na bashkon përmes Fjalës së Zotit e
sakramenteve, por edhe çasti për të rizbuluar urgjencën e transmetimit të kësaj dhurate
të mrekullueshme që na ofron Krishti Gjallë, përmes dëshmisë të dashurisë, të fesë
e të shpresës, si në marrëdhëniet e përditshme, ashtu edhe në vrullin e ri të veprimtarisë
sonë misionare, për t’ua kumtuar edhe atyre që nuk e njohim akoma, bukurinë e Krishtit,
fuqinë e Dritës së Ngjalljes së Tij.