2010-04-06 16:36:46

Solidaritet për Papën nga e gjithë bota. Raporti qeveritar i SHBA-ve për abuzimet.


(06.04.2010 RV)Nga e gjithë bota, vazhdojnë t’i vijnë Papës Benedikti XVI dëshmi solidariteti për sulmet e këtyre ditëve, shkaktuar nga abuzimet seksuale të disa eksponentëve të klerit me fëmijët.
Janë njerëz të thjeshtë, apo të kulturës, besimtarë e jo, ata që i shkruajnë Atit të Shenjtë, të revoltuar me fushatën e jashtëzakonshme kundër tij, e cila sipas disa analistëve, nuk ka për qëllim të godasë priftërinjtë pedofilë, por Benediktin XVI, pavarësisht nga dora e tij e fortë kundër “flligështisë në Kishë”, siç pati thënë vetë kardinali Racinger i atëhershëm, në meditimet e Udhës së Kryqit të vitit 2005, pak para vdekjes së Gjon Palit II e pak para se të zgjidhej ai vetë, Papë. Fushatë edhe më skandaloze, nëse lexohet raporti qeveritar amerikan i vitit 2008 mbi abuzimet seksuale: mëse 64% kryhen nga prindërit, të afërmit ose njerëz të familjes, pra brenda marrëdhënieve familjare; në shkollat e vendit, gati 10% e fëmijëve pëson abuzime. Meshtarët katolikë janë përgjegjës për 0,03% të tyre.
Për intelektualin amerikan Xhorxh Vaigel, i intervistuar nga gazeta italiane “La Stampa”, Papa sulmohet, sepse pohon ekzistencën e së vërtetës, ndërsa “forca të fuqishme në Perëndim” e mohojnë atë. Në fajet e disa eksponentëve të Kishës, pohon Vaigel, ndokush sheh mundësinë për t’i zhvlerësuar mësimet e saj mbi të drejtën për jetën, mbi familjen e themeluar mbi martesën etj.. Për të mos folur për avokatët e paskrupullt, që dëshirojnë të fitojnë shuma të majme përmes Vatikanit.
“Kristianofobia po rritet” – pohon kryeipeshkvi italian i Kieti-Vastos, imzot Bruno Forte. Dihet, nënvizon prelati, por askush nuk flet për këtë, se të krishterët janë grupi fetar më i persekutuar në botë. Besimtarët viktima të sulmeve e diskriminimeve arrijnë shifrën 200 milion. Perëndimi indinjohet për shumë gjëra, por nuk harxhoi as një të qindtën e fjalëve të shpenzuara për pedofilinë e priftërinjve, në favor të të krishterit, që u dogj i gjallë në Pakistan, apo të shtatë të tjerëve të kryqëzuar në Sudan, apo të dhjetra vetëve të vrarë qëllimisht në Irak e në Indi.
Për kardinalin francez, Rozher Eçegaraj, është në natyrën e Kishës të sulmohet, por nga kjo furtunë ajo duhet të dalë e pastruar dhe e përforcuar në fe.
Në të njëjtën linjë, Patriku i Venedikut, Anxhelo Skola, për të cilin Papa s’bën tjetër veçse ndjek gjurmët e Krishtit. Imzot Skola citon lumnitë: “Lum ju kur t’ju shajnë, t’ju persekutojnë e duke gënjyer, të thonë çdo gjë të keqe kundër jush për shkakun tim”.
Solidaritet për Papën kanë shprehur edhe një grup të burgosurish në burgun Augusta-Brukoli. “Shenjtëri – shkruajnë në një mesazh për Benediktin XVI – Jezusi është kryqëzuar. Me ekzekutimin e një dënimi të padrejtë, fryt i një vendimi të padrejtë, gjykohet përfundimisht historia. Nga ana e Krishtit të kryqëzuar qëndron e drejta e heshtur e Dashurisë. Nga ana tjetër, gënjeshtra e padrejtësia. Shenjtëri, bijtë tuaj të burgosur janë pranë jush me zemër e me lutje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.