2010-04-06 16:35:11

Mesazh i Papës një vit pas tërmetit në Akuila të Italisë


(06.04.2010 RV)Një vit pas tërmetit në Akuila të Italisë, Papa Benedikti XVI i shprehu Kishës së vendit dhe bashkësisë civile afërsinë e tij shpirtërore dhe i inkurajoi ta bazojnë rindërtimin, jo vetëm të shtëpive, por edhe të shpirtit e të shoqërisë, në fenë e Krishtit të Ringjallur. Mesazhi i Atit të Shenjtë u lexua gjatë Meshës së kremtuar natën e djeshme në bazilikën e Kolemaxhos dhe i drejtohet kryeipeshkvit të Akuilës, imzot Xhuzepe Molinari.
Në tekst, Papa Racinger i nxit abrucezët ta mbrojnë trashëgiminë e tyre shekullore fetare e morale, duke u siguruar lutjen e tij për ta e duke u dhënë të gjithëve bekimin apostolik. Në meshën e natës së djeshme, 25 mijë vetë kujtuan tërmetin e fuqishëm të 6 prillit të kaluar, i cili shkatërroi një pjesë të mirë të qytetit të Akuilës dhe shkaktoi 308 të vdekur, të personifikuar dje me 308 tingëllime të këmbanës së kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.