2010-04-06 12:30:50

Kardinali Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, për vizitë në Kili


(06.4.2010 RV)Nga dita e sotme, 6 prill e deri më datën 14 prill kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, gjendet për një vizitë në Kili, vend që kohë më parë u dëmtua nga tërmeti. Ai shkoi me ftesë të Konferencës ipeshkvnore dhe të qeverisë së Vendit, me rastin e dyqind-vjetorit të Republikës së Kilit.
Gjatë kësaj vizite zyrtare, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë ka një program të ngjeshur me impenjime kishtare, bashkëbisedime me autoritetet civile e takime të ndryshme me popullin e Kilit duke filluar nga dita e sotme në Santiŕgo të Kilit.
Nesër në kryeqytet, kardinali Bertone do të takohet me Presidentin e Republikës, pastaj do të transferohet në dioqezën e Punta Arenas; këtu të enjten më 8 prill, do të zhvillojë disa aktivitete, që do të përfundojnë me kremtimin e Meshës së Shenjtë në Kishën katedrale të qytetit, në ora 19.00.
Etapa tjetër e vizitës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit në Kili do të jetë në Konsepsion ku do të kryesojë kremtimin Eukaristik, ndërsa pasdite do të takohet me të rinjtë dhe me komunitetin e Talkahuanos.
Të shtunën e ardhshme, kardinali Bertone do të vizitojë Shenjtëroren e Shën Terezës së Andeve në Auko e të Shën Albertit Hurtado.
Të dielën e Bardhë do të marrë pjesë në ceremonitë tradicionale liturgjike, duke e mbyllur ditën me kremtimin e Meshës në Katedralen e Santiagos, në ora 17.00, e gjatë këtij kremtimi, kardinali Bertone do t’ia besojë solemnisht Kishën dhe popullin e Kilit mbrojtjes amnore të së Lumes Mari Virgjër para figurës së Zojës së Bekuar Misionare të Karmelit, të cilën Papa Benedikti XVI e bekoi javën e kaluar, për t’ia dhuruar Kilit me rastin e 200 vjetorit të Republikës. Kjo ikonë e Virgjërës Mari, gjatë këtij viti do të shtegtojë nëpër Kili me rastin e kremtimeve që janë programuar për këtë jubile.
Gjithnjë gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit në Kili, është në program edhe një konferencë që do të mbahet pranë Universitetit Papnor katolik të Kilit mbi temën “Kisha e Shtetit 200 vjet pas pavarësisë kombëtare. Historia e perspektivat”; një tjetër takim do të jetë ai me bashkësitë saleziane; kremtimi i Meshës në Shenjtëroren kombëtare në Maipů me rastin e 100 vjetorit të Episkopatit të Kilit.







All the contents on this site are copyrighted ©.