2010-04-05 13:49:30

Presidenti Topi dekoron imzot Mirditën e 3 udhëheqës tjerë të bashkësive fetare në vend me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu".


Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi dekoroi sot, me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", katër udhëheqësit më të lartë shpirtërorë të bashkësive fetare në vend, ndër ta imzot Rrok Mirditën, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit e president iKonferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë.
Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti Topi dekoroi Kryetarin e Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e tij, Anastas Janullatos, Arqipeshkvin Metropolit të Tiranë- Durrësit dhe Kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirditën, dhe Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhin.
Katër klerikët u dekoruan nga Kreu i Shtetit me motivacionin: "Për kontributin dhe veprimtarinë e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, për ringritjen e institucioneve të kultit si dhe për forcimin e pasurimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare të popullit shqiptar".
Në fjalën e tij, Presidenti Topi veçoi bashkëjetesën fetare, si një vlerë të veçantë të popullit shqiptar. "Kjo bashkëjetesë është atribut i bashkësive fetare përfaqësuese, që predikojnë me urtësi dhe përkushtim besimin e tyre, por është edhe bashkëjetesa e qytetarëve shqiptarë", tha Presidenti Topi.
Kreu i shtetit theksoi se "bashkësitë fetare kanë punuar gjithmonë në favor të kësaj vlere dhe gjatë krizave dhe traumave shoqërore në etapa të ndryshme të tranzicionit, përfaqësuesit e këtyre bashkësive janë shndërruar në kolona të paqes sociale".
"Diktatura synoi me çdo mjet ta shkëpuste shqiptarin nga besimi e Zoti, duke persekutuar klerin dhe mbyllur objektet e kultit, fakt ky që në vitin 1967 pati kulmin e vet tragjik. Në vitin 1990-të, me rrëzimin e komunizmit do të dukeshin edhe e pasojat e këtij ndryshimi në jetën e bashkësive fetare", tha Presidenti Topi.
Kreu i Shtetit shprehu besimin se "bashkësitë fetare në vend, ashtu siç kanë bërë deri tani nën frymën e traditës dhe të kujdesit për një shoqëri të lirë e demokratike, do t'i izolojnë zërat ekstremistë dhe fondamentalistë në gjirin e tyre", pasi sipas tij, "shfaqja e tyre pikësëpari nuk tolerohet nga vetë besimtarët".
Përdorimi i fesë për qëllime politike është i papranueshëm, tha më tej Presidenti Topi, duke shtuar se "futja e argumentit fetar si prapavijë politike është rrezik për harmoninë dhe laicitetin e shtetit".
"Fetë e mëdha disponojnë shumë objekte kulti, të cilat nuk janë vetëm trashëgimi shpirtërore, por edhe kulturore. Ato nuk mund të shihen thjesht si prona të bashkësive, por si pasuri kombëtare, të cilën shteti duhet ta mbrojë, duke e restauruar e promovuar në disa këndvështrime, si emblema të identitetit dhe qytetërimit shqiptar", tha më tej Kreu i Shtetit.
Ai siguroi se "do të ushtroj gjithë autoritetin për të ndikuar në përmirësimin e kujdesit në nivel institucional për këto çështje".
Ndërsa, katër udhëheqësit më të lartë shpirtërorë të bashkësisë fetare shqiptare i shprehën Kryetarit të shtetit falenderimin dhe mirënjohjen e tyre të veçantë për vlerësimin që u bëri.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe personalitetet më të larta të institucioneve të pavarura dhe të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, si dhe Nunci Apostolik në Tiranë. Më hollësisht të ndjekim informacionin nga don Gjergj Meta…..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.