Feja lind nga takimi me Krishtin e ngjallur, në jetën e Kishës
Të dashur dëgjues e vëllezër e motra, sot dëshirojmë të flasim mbi marrëdhëniet ndërmjet
Shën Palit e Apostujve, që e ndoqën Krishtin përpara tij. Këto marrëdhënie mbështeteshin
në Krishtin e Gjallë e shquheshin gjithnjë nga respekti i thellë, e njëkohësisht nga
çiltërsia me të cilën Apostulli i Popujve, Pali e mbronte të vërtetën e Ungjillit.
Ndonëse edhe Pali ishte bashkëkohës me Jezusin e Nazaretit, nuk pati kurrë mundësi
ta takojë gjatë jetës së Tij publike. Prandaj, kur u verbua në rrugën e Damaskut,
ndjeu nevojën të këshillohej me dishepujt e parë të Mësuesit Hyjnor, që i zgjodhi
Ai vetë për ta çuar Ungjillin deri në skajet më të largëta të tokës. Në Letrën
drejtuar Galatasve, Pali përpilon një relacion kushtuar marrëdhënieve me disa nga
të Dymbëdhjetët: në mënyrë të posaçme me Pjetrin, i cili qe zgjedhur si Kephas, fjalë
aramaike, që do të thotë shkëmb, mbi të cilin po ngrihej Kisha (cfr Gal 2,9), me Jakun,
‘vëllain e Zotit’ (cfr Gal 1,19) e me Gjonin (cfr Gal 2,9): Pali nuk ngurron t’i njohë
si shtyllat e Kishës. Posaçërisht i rëndësishëm është takimi me Kefën (Pjetrin), në
Jeruzalem; Pali ndenji pranë tij 15 ditë ‘për t’u këshilluar me të’ (cfr Gal 1, 19),
ose më mirë të themi, për t’u njohur me jetën tokësore të Krishtit të Ngjallur, i
cili e kishte ‘rrëmbyer’ në rrugën e Damaskut e po ia ndryshonte rrënjësisht jetën:
nga persekutues i Kishës së Zotit, u bë ungjillëzues i asaj feje në Mesinë e kryqëzuar
e Birin e Hyjit të cilën, në të kaluarën, kishte bërë çmos ta shkatërronte (cfr Gal
1,23).
Ç’ njoftime mori Pali për Jezusin gjatë tri vjetëve pas takimit
të Damaskut? Në Letrën e parë drejtuar Korintianëve mund të dallojmë dy fragmente,
me të cilat Pali u njoh në Jeruzalem, të përpiluara si elemente qendrore të traditës
së krishterë, traditë themelore. Ai i transmeton gojarisht, ashtu si i ka marrë, me
një formulë shumë solemne: “Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta, që
edhe unë vetë i mora”. Ngul këmbë, kështu, për besnikërinë mbi gjithçka ka marrë,
për t’ua transmetuar besnikërisht të krishterëve të rinj. Janë elemente themelore
e lidhen me Eukaristinë e me Ngjalljen e Krishtit. Është fjala për fragmente të formuluara
që në vitet tridhjetë. Arrijmë, kështu, tek vdekja, varrosja në zemër të tokës e tek
Ngjallja e Jezusit (cfr 1 Cor 15,3-4). Po i kujtojmë njërën e tjetrën: fjalët e Jezusit
në Darkën e mbramë, (cfr 1 Cor 11,23-25) për Palin janë vërtetë qendër e jetës së
Kishës: Kisha ndërtohet duke u nisur nga kjo qendër e duke u bërë kështu vetvetja.
Përtej kësaj qendre eukaristike, në të cilën rilind gjithnjë Kisha – edhe për teologjinë
e Shën Palit, për gjithë mendimin e tij – këto fjalë patën ndikim të dukshëm në marrëdhëniet
vetjake të Palit me Jezusin. Nga njëra anë dëshmojnë se Eukaristia ndriçon mallkimin
e kryqit, duke e bërë bekim (Gal, 3,13-14), e nga ana tjetër shpjegojnë rëndësinë
e vetë vdekjes e ngjalljes së Jezusit. Në Letrat e tij, ajo ‘për ju’ e themelimit
të Eukaristisë, bëhet ‘për mua’ (Gal, 2,20), duke u përvetësuar, sepse e di që në
atë ‘ju’, ishte ai vetë e se Jezusi e pranonte dhe e donte; e nga ana tjetër ‘për
të gjithë’ (2 Kor 5-14): kjo ‘për ju’ bëhet ‘për mua’ e ‘për Kishën’ (Ef 5,25), bëhet
flijim shpërblyes i kryqit ‘për të gjithë’ (cfr Rom 3,25). Kisha themelohet e njihet
si ‘Korpi i Krishtit’ nga Eukaristia e në Eukaristi (1 Kor 12,27), e ushqyer çdo ditë
nga forca e Shpirtit të Krishtit të Ngjallur.
Teksti tjetër, mbi Ringjalljen,
transmeton përsëri të njëjtën formulë besnikërie. Shkruan Shën Pali: “E njëmend, më
së pari ju shpall ato të vërteta, që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet
tona, sikurse e paralajmëroi Shkrimi Shenjt, qe varrosur e të tretën ditë u ngjall
së vdekuri, si u tha në Shkrimin Shenjt, e iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetave”(1
Kor 15,3-5). Edhe në këtë traditë, që iu transmetua Palit, rikujtohet kjo ‘për mëkatet
tona’, e cila thekson se Krishti ia dhuroi vetveten Atit, për të na çliruar nga mëkatet
e nga vdekja. Nga ky dhurim i vetvetes, Pali krijon shprehjet më prekëse e më rrëmbyese
të marrëdhënieve tona me Krishtin: “Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri
mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit” (2 Kor 8,9). Ia vlen të kujtosh
komentin me të cilin murgu i asokohshëm agostinian, Martin Luteri, i shoqëronte këto
shprehje paradoksale të Palit: “Ky është misteri i madhërishëm i hirit hyjnor për
mëkatarët: që përmes një shkëmbimi mahnitës, mëkatet tona nuk janë më tonat, por të
Krishtit, e drejtësia e Krishtit nuk është më e Krishtit, por jona” (Koment i Psalmeve
të 1513-1515). E kështu u shpëtuam.
Në kerygma (kumtimin) fillestar, transmetuar
gojë më gojë, meriton të vihet në dukje përdorimi i foljes “u ngjall”, në vend të
‘qe ngjallur’, përdorimi i së cilës do të ishte më logjik, në vijim të ‘vdiq’ ...
e u varros”. Forma foljore ‘u ngjall’ u zgjodh për të nënvizuar se ngjallja e Krishtit
ka të bëjë me të tashmen e jetës së besimtarëve: mund ta përkthejmë kështu: “u ngjall
e vijon të jetojë” në Eukaristi e në Kishë. Kështu të gjitha Shkrimet Shenjte bëjnë
dëshmi për vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, sepse – siç shkruante Ugo San Vitore
– “të gjitha Shkrimet hyjnore përbëjnë një libër të vetëm, e ky libër është Krishti,
nga që i gjithë Shkrimi Shenjt flet për Krishtin e përplotësohet në Krishtin”. (De
arca Noe, 2,8). Në se Shën Ambrozi i Milanos mund të thotë se ‘në Shkrimin Shenjt
ne lexojmë Krishtin’, këtë e bën sepse Kisha e zanafillës i lexonte të gjitha Shkrimet
e Shenjta të Izraelit duke u nisur nga Krishti e duke u kthyer tek Krishti.
Përsëritja
e dukjeve të Krishtit të ngjallur Kefës, të Dymbëdhjetëve, më se pesëqind vëllezërve
e Jakut, mbyllet me cekjen se Krishti iu duk edhe vetë Palit në rrugën e Damaskut:
“E më së fundi m’u dëftua edhe mua, dështakut” (1 Kor 15,8). Me që ai e persekutoi
Kishën e Hyjit, në këtë rrëfim shpreh mendimin se është i padenjë për të qenë apostull,
me të njëjtën vlerë si ata që i paraprinë. Por Hiri i Hyjit në të nuk ishte i kotë
(1Kor 15,10). Sidoqoftë pohimi se e merr fuqinë nga Hiri hyjnor, e bashkon Palin me
dëshmitarët e parë të ngjalljes së Krishtit: ‘Si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë
e kështu edhe ju besuat (1 Kor 15,11). Është i rëndësishëm identiteti e uniciteti
i kumtimit të Ungjillit: si ata, ashtu edhe unë, predikojmë të njëjtën fe, të njëjtin
Ungjill të Jezu Krishtit, që vdiq e u ngjall e që na dhurohet në të Shenjtnueshmin
Sakrament të Eukaristisë.
Rëndësia që i jep ai Traditës së gjallë të Kishës,
të cilën ajo ua përcjell bashkësive të saj, dëshmon sa i gabuar është vizioni i atyre,
që mendojnë se Pali është shpikës i krishterimit. Para se ta kumtonte Jezu Krishtin,
Zotin e tij, ai e takoi në rrugën e Damaskut dhe e ndoqi pas në Kishë, duke e vëzhguar
jetën e Tij në të Dymbëdhjetët e në të gjithë ata, që e ndoqën pas, rrugëve të Galilesë.
Në katekizmat e ardhshme do të kemi mundësi të thellohemi në ndihmesën që i dha Pali
Kishës së zanafillës: por misioni që mori nga Krishti i Ngjallur për ungjillëzimin
e paganëve ka nevojë të përforcohet e të garantohet nga ata, që i dhanë atij e Barnabës
dorën e djathtë, në shenjë miratimi të apostullimit të tyre, të ungjillëzimit të tyre
e të pranimit të tyre në të vetmin bashkim me Kishën e Krishtit (cfr Gal 2,9). Kuptohet
atëherë se shprehja “por edhe nëse e kemi njohur Krishtin në mënyrë thjesht njerëzore”
(2 Kor 5,16), nuk do të thotë se jeta e Tij tokësore është pa vlerë për pjekurinë
tonë në fe, përkundrazi, që nga çasti i Ngjalljes së Tij e ndryshon mënyrën e lidhjes
sonë me Të. Ai është njëkohësisht Biri i Hyjit ‘pasardhës i Davidit për kah trupi,
por i dëftuar Bir i Hyjit me pushtet sipas Shpirtit Shenjt mbas ngjalljes prej të
vdekurve”, siç do të kujtojë Pali në fillim të Letrës drejtuar Romakëve (1, 3-4). Sa
më shumë përpiqemi të gjejmë gjurmët e Jezusit të Nazaretit nëpër rrugët e Galilesë,
aq më tepër mund të kuptojmë se Ai mori mbi vete natyrën tonë njerëzore, duke u bërë
si ne në gjithçka, përveç mëkatit. Feja jonë nuk lind nga një mit, as nga një
ide, por nga takimi me të Ngjallurin, në jetën e Kishës.