(04.04.2010 RV)Sot e diel, Kisha katolike kremtoi solemnitetin e Pashkëve. Nesër,
e hënë, atmosfera e Pashkëve vijon me tetëditshin e Festës së madhe.
Ashtu si në zanafillë të Kishës, edhe sot e kësaj dite, kumtimi i Apostujve përqendrohet
mbi ngjalljen e Krishtit, ngjarje e paparashikueshme dhe e papërfytyrueshme për mendjen
njerëzore. Kremtohet e Hëna e Engjëllit. Përkujtohen edhe Shën Vinçenci Ferrer
e Shën Irena, virgjër e martire.
E martja e tetëditshit të Pashkëve, është
edhe festë liturgjike e Shën Galës, vejushë romake dhe e Shën Pjetrit nga Verona,
domenikan e martir. Na kujtojnë se, që të lindë feja, nuk mjafton vetëm varri i zbrazët;
besimi i vërtetë lind e lulëzon nga takimi me Krishtin. Nga shenjat që pamë, duhet
të kalojmë tek prania e gjallë e Zotit në zemrat tona.
E mërkura e tetëditshit
të Pashkëve na fton të meditojmë për lutjen e besimtarëve: kur kalon çaste të
vështira, i krishteri nuk u drejtohet magjistarëve, as besimtarëve hipokritë, që mbahen
si shenjtorë, por ia drejton lutjen e vet Zotit, sepse vetëm Ai mund të bëjë mrekulli.
Ai e shenjtorët, që ndërmjetësojnë pranë Tij për ne. Sot – Shën Gjoni de la Sale,
themelues i shkollave të krishtera.
Të enjten e tetëditshit të Pashkëve
jehon rishtas gëzimi i ngjalljes së Krishtit. E kumton, në liturgji, Shën Pjetri,
i cili na kujton se ngjallja e Krishtit, bekim për të gjithë njerëzit, kërkon pendesë,
kthim në rrugën e Zotit. Është festa përkujtimore e Shën Dionisit, ipeshkëv i Korintit.
Liturgjia e së premtes së tetëditshit të Pashkëve, festë përkujtimore e Shën
Liborit, ipeshkëv i Lë Mans, na fton të meditojmë mbi mësimin e madh të Ungjillit,
me vlera aktuale për të gjitha kohët: “Guri, që ndërtuesit e flakën, erdhi e u bë
guri i këndit (Ps. 117). Çështja e Jezusit nuk përfundon me vdekjen në kryq,
por me ngjalljen e Tij. E gëzimin për ringjalljen mund ta provojë vetëm ai, që ia
hap zemrën fjalës së Zotit, ai që ia vë veshin zërit të Tij e që jeton me sytë drejtuar
nga Kryqi i Tij.
E shtuna e tetëditshit të Pashkëve na kujton se feja
nuk duhet të mbetet në heshtje, nuk duhet mbajtur vetëm për vete. Duhet kumtuar me
gjithë forcën e besimit e, sidomos, duhet jetuar ditë për ditë, duke e dëshmuar më
shumë me vepra, sesa me fjalë. Është festa e Shën Magdalenës nga Kanosa, virgjër,
themeluese e Bijve e Bijave të dashurisë së krishterë.
E diela e ardhshme,
e dyta e Pashkëve, i kushtohet Mëshirës Hyjnore.