(04.03.2010 RV) Nxënësit e Emmausit takohen me Krishtin e ngjallur: ata nuk
e dinë kush është ky “Shtegtar misterioz”, e megjithatë fjalët e tija ua ngrohin zemrat
aq, sa t’i luten: “Rri me ne”. E njohin më pas në të thyer të bukës. “Fjala e Zotit
e Buka e Eukaristisë – mister e dhuratë e Pashkëve, mbeten në shekuj kujtim i përhershëm
i mundimeve, i vdekjes dhe i ngjalljes së Krishtit!” E edhe ne, sot, në ditën e Pashkëve
të ngjalljes, së bashku me të gjithë të krishterët e botës përsërisim: Jezus i
kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne!” “Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurtë e
njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës! Ti, Fjalë e gjallë e Atit, jepu
shpresë e besim atyre që e kërkojnë kuptimin e vërtetë të jetës së tyre. Ti,
Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun e uritur për vërtetësi, për liri, për
drejtësi, për paqe. Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit, mësona fjalë e gjeste
paqeje: paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt; paqe për Vendet e Lindjes së
Mesme e të Afrikës, ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké: paqe për mbarë njerëzimin,
mbi të cilin varet përherë rreziku i luftërave vëllavrasëse. Edhe ne, burrat
e gratë e mijëvjeçarit të tretë, kemi nevojë për ty, o Zot i ngjallur! Rri me
ne deri në fund të kohëve. Bëj që progresi material i popujve të mos i errësojë
kurrë vlerat shpirtërore që janë shpirti i qytetërimeve të tyre. Na ndihmo,
të lutemi, në shtegtimin tonë. Besojmë në Ty, në Ty shpresojmë, sepse vetëm
ti ke fjalët jete të pasosur…