2010-04-04 18:13:29

Ilaçi kundër vdekjes është Krishti


(04.04.2010 RV)Një legjendë e lashtë judaike, që e lexojmë në librin apokrif “Jeta e Adamit dhe Evës”, tregon se Adami, në javën e fundit të sëmundjes, dërgoi të Birin, Setin, së bashku me Evën, në Parajsë, për të kërkuar vajin e mëshirës. Besonte se po të lyhej me atë vaj, do të shërohej menjëherë. Ata të dy arritën në Parajsë, u lutën e qanë sa munden, në kërkim të drurit të jetës. Dikur iu duk Kryeengjëlli Mikel, i cili u tha se nuk kishin lejë ta merrnin vajin e drurit të mëshirës e se Adami duhej të vdiste. Më vonë, lexuesit e krishterë i shtuan përgjigjes së Kryeengjëllit, një fjalë ngushëllimi. Kryengjëlli i paskësh thënë Setit edhe se pas 5.500 vjetësh do të vinte Mbreti i dashur, Krishti, Biri i Zotit, e do t’i lyente me vajin e mëshirës të gjithë ata, që do të besonin në Të. Vaji i mëshirës prej amshimit, në amshim, do t’u jepej atyre, që duhet të rilindnin nga uji e nga Shpirti Shenjt. Atëhere – i paskej thënë Kryeengjëlli Setit - Biri i Hyjit, i pasur me dashuri, Krishti, do të zbresë në angrrat e dheut, do ta marrë tët atë e do ta çojë në Parajsë, pranë drurit të mëshirës.
Në këtë legjendë ndjehet fuqimisht gjithë vuajtja e njeriut përballë sëmundjes, dhimbjes, vdekjes, nga të cilat nuk mund të shpëtojë. Vërejmë edhe se njeriu i kundërvihet vdekjes me të gjitha forcat, nuk dëshiron të vdesë. Dikund – menduan njerëzit në rrjedhë shekujsh, në sa vdisnin njëri pas tjetrit - duhet të gjindet me siguri ilaçi, jo vetëm kundër kësaj apo asaj sëmundjeje, por sidomos, kundër fatalitetit të vërtetë, kundër vdekjes. Është e pamundur – mendonin prandaj - të mos gjindet dikund ilaçi i pavdekësisë…
Edhe sot e kësaj dite njerëzit vijojnë ta kërkojnë këtë ilaç, në përpjekjen për të jetuar sa më gjatë, me qindra vjet mundësisht, me që nuk mund ta zhdukin vetë vdekjen. Por a do të ishte punë e mirë kjo? Njeriu do të plakej frikshëm e për rininë nuk do të kishte më asnjë vend. Do të shkimbej çdo dëshrirë për përtëritje. Një jetë e tillë, e pambaruar, nuk do të ishte Parajsë, por dënim. Bari i vërtetë, që të shëron nga sëmundjet më të rrezikshme, pleqëria e vdekja, duhet të jetë ndryshe. Nuk duhet t’i sigurojë njeriut zgjatjen pafund të jetës tokësore. Duhet ta shndërrojë jetën e tij nga brenda. Duhet të krijojë një jetë të re, që të jep vërtetë amshimin. Jeta duhet shndërruar në mënyrë të tillë, që të mos mbarojë me vdekjen, por të fillojë me të, për të mos mbaruar më kurrë. Kjo është e reja prekëse e mesazhit të krishterë, e Ungjillit të Jezu Krishtit, që na thotë: “Po, ilaçi kundër vdekjes, bari i vërtetë i pavdekësisë, ekziston”. Është gjetur tashmë. Me të mund mjekohemi të gjithë. Madje nuk kemi fare nevojë të shpenzojmë miliona, për ta blerë: na dhurohet në Pagëzim. Nis në ne, një jetë e re, që fiton pjekurinë në fe. Njeriu nuk ka më frikë nga vdekja plakë, sepse fundi shndërrohet në një fillim të vërtetë, pa mbarim! Pikërisht kur vjen fundi, nis plotësisht jeta e re, jeta e dritës, jeta në dritë!

(Nga homelia e Papës në Meshën e Natës së Pashkëve)







All the contents on this site are copyrighted ©.