2010-04-03 11:28:36

Ritet e simbolet e Natës së Shenjtë të Pashkëve


(03.4.2010 RV)Treditëshi i Pashkëve arrin kulmin në Natën që kremtohet ndërmjet së Shtunës së Madhe e të Dielës së Ringjalljes. E treta ndër ditët e shenjta është, ndër të gjitha, më e pasura me fjalë e shenja, që shprehin fitoren mbi vdekjen e mbi forcat e errëta të së keqes. Është shpresa që u ofrohet të gjithë atyre që besojnë në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur.
E Shtuna e Madhe është ditë lutjeje e agjërimi, jo si pendesë, por si pritje e dëshirë për bukën e vetme që ushqen me të vërtetë: bukën e të Ringjallurit.
Nata e Pashkëve dallohet nga e Shtuna e bën pjesë në ditën e Pashkëve; është festa e vërtetë, është një Natë “nëna e të gjitha netëve”.
Katër janë simbolet e liturgjisë së natës së Pashkëve, e cila kremton ringjalljen e Zotit: drita, fjala, uji dhe buka. Të gjitha shpjegohen me mënyrat me të cilat Jezusi e ka paraqitur veten: Jezusi është drita e botës, është fjala e fundit e Atit. Është uji që shuan etjen e përtërin, është buka e jetës.
Nata e Pashkëve na bën të hyjmë në plotësinë e misterit të tij: na bën të takojmë Jezusin si i Ringjalluri, i Gjalli, Ai që, duke na treguar fytyrën e vërtetë të Atit, mund të na mbushë me gëzim e shpresë. Nata e Pashkëve është rrënja e çdo shprese dhe e kuptimit të krishterë të jetës. Kush ndjek Jezusin për jetë, kush ka jetuar në ditët e mëparshme solidaritetin në dhimbje, tani mund të jetojë me gëzim festën.
Nëse gjatë Krezhmëve kemi reflektuar mbi peshën e mëkateve e mbi rrezikun e dështimit në jetë, këtu fillon shpresa për një ndihmë nga lart, që i jep vlerë ekzistencës, megjithëse në mes të errësirës e dhimbjes. Bashkësive të krishtera, Nata e Pashkëve duhet t’u japë guximin për ta dëshmuar këtë shpresë, guximin për ta arsyetuar shpresën e jetës, që mbajnë në zemër. T’u japë aftësinë për të ndërmarrë impenjime e iniciativa, që i thonë botës sa e mbushur me të ardhme e me mundësi pozitive është feja në Jezusin.
E tani të përshkruajmë e të përshkojmë së bashku ritet e simbolet liturgjike të Natës së Shenjtë të Pashkëve
Liturgjia e dritës
Çasti i parë i Natës së Pashkëve e përqendron vëmendjen mbi dritën: zjarri i ndezur në errësirë kujton Shpirtin dhe ngrohtësinë e Zotit, forcën e tij ripërtëritëse, por edhe dashurinë njerëzore, që i jep ngrohtësi e kuptim jetës.
Imazhi i qiriut në procesion drejt kishës e thërret popullin e besimtarëve të ndjekë Jezusin, dritën e botës. Qiriu që jep dritë duke u konsumuar, si Jezusi, u thotë të krishterëve se askush nuk mund të jetë dritë për të tjerët, pa flijuar e hequr dorë nga vetvetja. Do të ishim të kënaqur nëse nga sakrificat tona të vogla, të tjerët të përfitonin ngrohtësi e jetë. Për disa aspekte, bota është akoma e zhytur në errësirë.
Lajmi i Mirë i Pashkëve nuk mund të mbetet vetëm një himn fjalësh të bukura. Kulti i vërtetë i të krishterit është jeta e tij.
Ja me fjalë tjera Shërbesa e Dritës:
Bashkësia gjendet afër qiriut të Pashkëve që është simbol i Krishtit, dritës së botës.
Në shërbesën e dritës të kësaj nate duhet të veçohen momentet si bekimi i zjarrit që është shenjë e jetës që shndritë dhe ngrohë. Më pas në qiriun e Pashkëve meshtari gdhendë një kryq. Mbi të vihet shkronja greke Alfa ndërsa nën të shkronja Omega. Në katër anët e kryqit vihen katër numrat e vitit vijues, pastaj mundë të vihen pesë kokrrat e kemit po kështu në formë kryqi.
Prej zjarrit të bekuar ndizet qiriu i Pashkëve që simbolizon Krishtin e Ngjallur.
Pasi të jemi nisur drejt kishës, në hyrje të saj të gjithë ndezin qirinjtë që bartin në dorë nga qiriu i Pashkëve (Populli i Zotit udhëton në këtë botë i shndritur me dritën e Krishtit). Atëherë xhakoni, ose nëse ai nuk është, meshtari duke e lartësuar qiriun e Pashkëve këndon në hyrje të kishës, në mes dhe te elteri: Drita e Krishtit, në çka të gjithë përgjigjen: Falënderojmë Hyjin.

Pasi të vihet qiriu në shandan këndohet himni i qiriut të Pashkëve. Ky himn përmban pesë tema: 1) Ngjallja është krijim i ri; b) Dalja; Qiriu si udhëtregues i popullit (Dalja nga Egjipti); c) Qiriu është dritëza e Kishës e cila pret të Fejuarin e vet; d) Domethënia e paraqitjes së dritës dhe karakteri flijues i Pashkëve; dhe e) Simbolika e bletëve.
Pasi të ketë përfunduar himni të gjithë fikin qirinjtë dhe ulen, vazhdon shërbesa e fjalës.

Liturgjia e Fjalës
Liturgjia ofron mundësinë e shumë leximeve: zgjedhja e të gjithave ose vetëm e disave prej tyre duhet të japë kuptimin e domethënien e një historie të përshkuar nga iniciativa e Zotit. Fjala bëhet histori e përgatitet të presë Jezu Krishtin.
Fjala është në fillim të krijimit, nëpërmjet të cilit Zoti dhuron të qenit, pra i jep kuptim gjithçkaje ekziston. Në veçanti, krijon njeriun në përngjasim me Të, duke vendosur tek ai farën e një prirjeje të natyrshme drejt Krijuesit të vet.
Fjala e Zotit udhëheq rrugën e çlirimit e të rithemelimit të popullit, që bëhet popull i Zotit nëpërmjet mundit e kërkimit, gabimit e kthimit drejt Zotit.
Deri tek Ungjilli, ku tregimi i grave që gjejnë varrin e Jezusit bosh e çon besimtarin tek Ai, që nuk duhet kërkuar ndër të vdekurit, tek i Gjalli, që duhet takuar në historinë e përditshme.
Ja me fjalë tjera Shërbesa e Fjalës së Zotit: Kur mendojmë mbi veprat e mrekullueshme të cilat që nga fillimi Zoti i ka bërë në popullin e vet.
Për shërbesën e fjalës janë të paraparë shtatë lexime prej Besëlidhjes së Vjetër dhe dy prej Besëlidhjes së Re. Leximet e BV mundë të reduktohen në më së paku dy por asnjëherë nuk guxon të lihet leximi mbi daljen prej Egjiptit (Leximi i tretë).


Pas leximit të fundit të BV dhe lutjes meshtari këndon Lavdi… Vijon lutja dhe leximi i letrës nga BR. Kur ky përfundon solemnisht pas shtatë javësh këndohet Aleluja. Vazhdon Ungjilli dhe Homelia.
Liturgjia e Pagëzimit
Është çasti që na çon tek jeta e re e marrë përmes Pagëzimit: është pra momenti-kujtesë i ngjarjes themelore të qenies sonë si Kishë. Përtëritja e impenjimeve, që të tjerët i kanë marrë për ne në momentin e Pagëzimit do të thotë një vetëdije e re për përgjegjësinë tonë në histori.
Ja me fjalë tjera Shërbesa e Pagëzimit:: Sakrament ky përmes të cilit kemi kaluar nga vdekja në jetë. Bëhet përsëritja e premtimeve të pagëzimit, dhe nëse ka katekumen ( kandidat të rritur për pagëzim apo fëmijë) bëhet paraqitja dhe e nunave, e pastaj kremtohet pagëzimi i tyre. Nëse nuk ka asnjë kandidat për pagëzim, bashkësia e besimtarëve ftohet në lutje dhe bëhet bekimi i ujit. E pastaj bëhet përtëritja e premtimeve të pagëzimit, e më këtë rast nuk thuhet Besojma.
Liturgjia Eukaristike


“Krishti u ngjall!” Brohoritja që jehon në terrin e natës së Pashkëve, arrin kulmin në kremtimin eukaristik. Sigurisht është Eukaristia e çdo të diele, e çdo dite, por këtë natë, kur kemi rijetuar historinë e shëlbimit, e ndjejmë më fort se kurrë se ajo është kënga e gjithësisë, lavdërimi pa fund i qiellit e i tokës. Eukaristia e Natës së Pashkëve është një “akt falënderimi” krejt i veçantë: “Pashkët ishin momenti në të cilin e pati fillesën Eukaristia e vërtetë! Prandaj edhe misteri i natës së Pashkëve përqendrohet tek Eukaristia, të cilën Krishti nuk e paraqet i vetëm, por së bashku me Kishën e vet. Ajo merr pjesë në Eukaristinë e tij, që përuron solemnitetin e madh të Rrëshajëve, në të cilat bashkësia e krishterë e shëlbuar falënderon Atin së bashku me Birin”.

Ja me fjalë tjera Shërbesa Eukaristike: Populli i Zotit i rilindur me pagëzim paraqet flijen në Përkujtim të Krishtit, si shenjë falënderimi dhe ushqehet me korpin e gjakun e Krishtit të Gjallë.
Shërbesa Eukaristike është kulmi i këtij kremtimi me të cilën shprehet kuptimi themelor i saj: me praninë e Krishtin të Gjallë kalojmë nga vdekja në jetë të vërtetë.
Kremtimi i Meshës vazhdon si rëndomtë me lutjet përkatëse e të përshtatshme të kësaj të Kremte, sipas Mesharit Romak.

Kremtimi i Natës së Pashkëve nuk duhet të përfundojë para mesnatës, “sepse duhet të presim deri në atë çast të saktë kthimin e Hyjit”. Ajo Natë është e mbushur me misterin e pritjes. Qiriu qëndron pranë ambonit, i cili përfaqëson Varrin bosh. Ai është simbol i të Ringjallurit. Gratë që në mëngjes herët, shkojnë te varri për ta mbështjellë “trupin e vdekur” të Jezusit me një vaj të përmortshëm gjejnë Fjalën e ngjallur. Nata e Pashkëve kremton krejt Misterin e festës e në çdo pjesë të saj kryhet kalimi nga vdekja në jetë. Kulmi i Natës është Eukaristia: buka e të Ngjallurit për bashkësinë e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.