(02.04.2010 RV)Ungjijtë tregojnë ngjarjet e shumta që ndodhën në udhën drejt
varrit të zgavruar në zemër të shkëmbit, mbi të cilin kryqtarët ngritën bazilikën
vigane të Varrit të Shenjtë. Të shumta edhe shenjat simbolike që flasin për kuptimin
e mbinatyrshëm të kësaj udhe e të përfundimit të saj. Kujtojmë velin e zi të errësirës
që mbështjell gjithë tokën nga mesdita deri në orën tre të pasdites’ (Mateu 27, 45),
shenjë e gjykimit hyjnor, parafolur nga Amosi profet (8,9): “Atë ditë do të bëj të
perëndojë dielli në mesditë!”. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe grisja e papritur më
dysh e tisit të tempullit, shenjë e ‘zbulesës’ së misterit të Zotit në Krishtin e
kryqëzuar. Edhe varret e hapura, prej nga dalin të vdekurit e ringjallur, për
të cilat na flet Mateu (27, 52-53) ‘pas ngjalljes së Tij’, janë simbol i ngjarjes
së lumnueshme të gjyqit të mbramë e i cakut të fundit të njeriut e historisë njerëzore.
Fakte të tjera, të treguara nga ungjilltarët, reflektojnë për torturën që provoi Jezusi
në orën e tmerrshme të kryqëzimit, kur gozhdat përshkonin mishin e thyenin kockat,
plagë që shkaktonin dhimbje përtej durimit njerëzor, në sa shqyheshin nga pesha e
trupit që vdiste dalë-nga-dalë. Simbolik edhe përshkrimi i ‘poskës’ – që në latinisht
ka kuptimin e pijes së përgatitur duke përzierë verë me vrer, ose, siç e përshkruan
Marku, me mirrë, që ia dhanë Krishtit, kur pati etje e kërkoi të pinte diçka, për
të njomur buzët rreshkura nga tmerri i kryqëzimit. Por tradita vë, me të drejtë, theksin
mbi fjalët e fundit të Jezusit. Në kundërshtim me çka pohon një nga vargjet e lutjes
së famshme të përshpirtshme afro-amerikane: “E gozhduan mbi kryq e nuk pëshpëriti
asnjë fjalë”, përdorur si titull i romanit të Hainrih Bëlit: “E nuk tha asnjë fjalë
të vetme” (1953) në të cilin tregohet historia e një çifti të kryqëzuar, sipas Ungjijve
Jezusi në Kryq shqipton shtatë fraza, të cilat i shërbyen kompozitorit të famshëm
Hajden (1787) për t’i muzikuar “Shtatë fjalët e Shëlbuesit mbi kryq”. Ja edhe
fjalët: Kryqëzuesve: “Fali, o Atë se nuk dinë ç’ bëjnë!”. Nënës dhe nxënësit
të tij më të dashur, Gjonit: ‘Grua, qe yt bir!’; “Qe nëna jote”. Keqbërësit të
penduar, ndoshta ndonjë kryengritës kundër Romës, gozhduar përkrah tij: “Për të vërtetë
po të them: sot do të jesh me mua në Parriz (Parajsë)”. Pastaj: “Elě Elě, lemŕ
sabachtani?” -që do të thotë: “Hyji im, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?”. E akoma:
“Kam etje”. Së fundi: “Gjithçka u krye” dhe “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj
shpirtin tim”. Të gjitha këto fjalë meritojnë një studim tepër të kujdesshëm, siç
është bërë në ekzegjezë. Ne mjaftohemi të shënojmë se ato zbulojnë gamën e larmishme
të ndjenjave të Jezusit e të temave teologjike që përmblidhen në këto fraza të shkurtra,
herë të pëshpëritua e herë të klithura. Nga njëra anë realizmi i kryqëzimit për
Ungjijtë është provë e fuqishme e mishërimit: Krishti vuan pikërisht si çdo njeri. Tek
“Krishti në kryq”, Borges na e përshkruan kështu Jezusin: “Mjekrra e zezë i varet
mbi kraharor./ Fytyra e tij s’është fytyra e piktorëve. / Është e rreptë fytyra e
tij, fytyrë hebreu. / Po unë atë nuk e shoh./ Vijoj, prandaj, me ankth ta kërkoj/
deri atë ditë, / kur hapat e mi të heshtin mbi tokë”. Nga ana tjetër, të gjithë
mbeten të prekur thellë në shpirt nga heshtja e Atit qiellor. Shën Luka, siç dihet,
e zbut këtë mungesë pikëlluese me një lutje plot besim që del nga buzët e shkrumbuara
të Jezusit, kur thotë fjalën e shtatë e të fundit. Por Mishërimi duhet parë edhe
si kalim përmes errësirë shpirtërore, përmes përvojës së Jobit, figurë biblike që
shpesh lexohet me sy kristologjik. Këtë mendon e shpreh Turoldo në një nga ‘Këngët
e fundit’: “Jo, të besosh në Pashkët / s’është fe e vërtetë: / tepër mirë ndjehesh
për Pashkë./ Feja e vërtetë / Është tek e Premtja e Madhe!” “Judenjtë kërkojnë
shenja, grekët, dije: ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shakndull për judenjtë,
marrëzi për paganët”. Pali, duke u shkruar Korintianëve (I, 1, 22-23) me shprehje
lapidare vë në qendër të krishterimit Krishtin e Kryqëzuar, ashtu si është edhe në
qendër të Kishave e të një numri të jashtëzakonshëm ikonash. Që të bindesh për këtë,
mjafton të soditësh ‘Të Kryqëzuarin’ e Mathias Grynevald në muzeun alsasian të Kolmarit
“kryevepër në të cilën gjen shprehjen e vet më të thellë ankthi i pafund i shpirtit”
siç shkruan në ‘Atje’ (dmth në Kalvar)(1891) Joris-Karl Huismans. Ne po zgjedhim një
figurë që i përmbledh të gjitha të tjerat: figurën që e gjejmë te Gjoni Ungjilltar:
shporimin me heshtë të kraharorit të Krishtit, prej nga del gjak e ujë: Për ungjilltarin,
uji është simbol i tempullit të ri hyjnor, në të cilin hyhet për t’u larë me ujin
e pagëzimit e për të pirë gjakun eukaristik. Uji e gjaku janë Shpirti që do t’i japë
jetë njerëzimit të vdekur e mëkatar. Historia e rikujtimit të Mundimeve të Zotit,
duke përsëritur skenat tragjike të së Premtes së Madhe, është shumë e lashtë. Nis
që në shekullin XII, kur kryqtarët dhe shtegtarët që ktheheshin nga Toka Shenjte,
të tronditur nga ç’kishin parë e kishin dëgjuar, nisën të rikrijojnë në lutje skena
të gjalla nga orët e fundit tokësore të Jezusit. Në shekullin XIV, dominikani spanjoll
Alvaro di Kordoba e organizoi këtë kremtim kaq dramatik kishtar në 6 stacione apo
pushime. Por apostulli i vërtetë i Udhës së Kryqit është Shenjti françeskan Leonardo
di Porto Mauricio (1676-1751), predikatar i famshëm në të gjithë Italinë. Nën ndikimin
e tij u ngritën 572 Udhë Kryqi, e edhe kjo e Koloseut në Romë, ku sonte kremton Papa
së bashku me besimtarët e ardhur nga mbarë bota.