2010-04-02 14:16:19

Sot, të Premten e Madhe, Ditën e dytë të Treditëshit të Pashkëve, Kisha kundron Mundimet e Vdekjen e Jezu Krishtit mbi Kryq.


(02.04.2010 RV) Sot, të Premten e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Ditën e dytë të Treditëshit të Pashkëve, Kisha kremton Liturgjinë e mundimeve e të vdekjes së Zotit tonë Jezu Krishtit mbi Kryq, kundron rrugën e dhimbshme të Krishtit deri në epilogun dramatik të vdekjes së tij mbi Kryq, adhuron Kryqin e Lumnueshëm e të Shenjtë të Shëlbuesit, i ofron besimtarëve ushqimin për Shëlbimin e tyre Kungimin e Shenjtë.

Me fjalë tjera, të Premten e Madhe Kisha me besimtarë të krishterë vihet para Krishtit të Kryqëzuar për të kundruar dashurinë e pakufishme shpëtimprurëse të Zotit për çdo njeri.
E Premtja e Madhe e Shenjtë e Pashkëve përkujton ngjarjet dramatike që shkojnë nga dënimi me vdekje e deri te kryqëzimi i Krishtit. E Premtja e Madhe është ditë pendese, agjërimi e lutjeje, ditë e pjesëmarrjes sonë në Mundimet e Krishtit Zot.

Bashkësia e krishterë pra sot e adhuron Kryqin e i afrohet Eukaristisë: dy burimeve e të mirave që na kanë çliruar nga armiqësia, errësira, që na kanë pajtuar me Zotin e ofruar shpëtimin e amshuar.

Vdekja e Krishtit mbi Kryq i jep kuptim vuajtjes. Të kundrosh fytyrën e masakruar të Krishtit: të Premten e Madhe Kisha i ftoi të krishterët t’i sjellin sytë nga Ai, që mori mbi vete gjithë mëkatet e ankthet tona njerëzore, e të lutemi posaçërisht për njerëzit që vuajnë ende sot botë. Fytyra e Krishtit sot pasqyrohet në fytyrën e çdo njeriu të poshtëruar, të fyer, të sëmurë, të vuajtur, të vetmuar, të braktisur e të flakur padrejtësisht nga radhët e shoqërisë njerëzore. Udha që bëri dymijë vjet më parë Krishti, duke u ngjitur në Kalvar deri mbi Kryq, është pasqyrë e udhës së njerëzimit në shekuj dhe pasqyrë e gjallë e dhimbjes në botën e sotme
 
E kështu sot pasdite, në orën 17.00 Papa Benedikti XVI kryesoi, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Liturgjinë e të Premtes së Madhe të Pashkëve: Liturgjinë e Fjalës së Zotit, adhurimin e Kryqit dhe ritin e kungimit.

Në orën 21.15, në sa ne përfundojmë programin tonë të së Premtes së Madhe, pranë në Koloseot fillon rikujtimi i Mundimeve të Zotit, Udha e Kryqit me Papën, pamjet e së cilës përshkojnë rrugët e Planetit përmes Mondovizionit. Në përfundim të kremtimit, Benedikti XVI do t’u drejtojë fjalën besimtarëve të mbarë botës e do t’u japë të gjithëve bekimin e tij apostolik. Meditimet, përgatitur nga kardinali Kamillo Ruini, lexohen nga gjatë Udhës së Kryqit që do të mbahet pranë amfiteatrit Koloseot.







All the contents on this site are copyrighted ©.