Pesë vjet më parë, Pashkët e Gjon Palit II. Papa që i dha Shqipërisë hierarkinë kishtare
pas komunizmit.
(02.04.2010 RV)Mbushen sot plot pesë vjet nga vdekja e Papës Gjon Pali II,
më 2 prill 2005, kur përfundoi një nga papnitë më të jashtëzakonshme në historinë
e Kishës. Shërbëtori i Zotit, që pritet të shpallet i Lumë në tetor të këtij viti,
do të mbahet mend si Papa i luftës kundër komunizmit deri në rënien e perdes së hekurt,
që e ndante Evropën më dysh. E tija është shprehja “Mos kini frikë!”, moto e papnisë,
që e shoqëroi në meditimet mbi argumente nga më të ndryshmet, në përpjekjen për të
dhënë kontributin e Kishës Katolike në përmirësimin e botës. Shqiptarët nuk e kanë
harruar vizitën e tij në Shkodër e në Tiranë, më 25 prill 1993, gjatë së cilës u dha
katolikëve hierarkinë kishtare dhe i nxiti të shohin me guxim të ardhmen. Sivjet,
përvjetori i vdekjes së Gjon Palit II përkon me të Premten e Madhe, prandaj po e kujtojmë
duke u kthyer pas në prillin e vitit 1979, në Pashkët e para të kremtuara nga Papa
Vojtila.
Kush është Krishti? Është 5 prilli i vitit 1979, kur Gjon Pali
II u drejton këtë pyetje universitarëve romakë, të cilët marrin pjesë në Meshën për
përgatitjen e Pashkëve. Papa i ardhur nga larg, është prej gjashtë muajsh timonieri
i Barkës së Shën Pjetrit e, që prej një muaji, ka publikuar “Redemptor Hominis”. Enciklika
e tij e parë, ku përvijohet programi i papnisë. Një program që mund të përmblidhet
me një fjalë të vetme, në një Vetje: Krishti. Karol Vojtila u kujton të rinjve të
Romës se Jezusi, Biri i Zotit, pranoi të vdesë si njerëzit, duke na mësuar si ta kuptojmë
jetën: “Na tregoi se jeta është kalim, jo vetëm i kufirit të vdekjes, por kalim
në një jetë të re. Kështu, Kryqi për ne është bërë katedra më e lartë e së vërtetës
së Zotit e të njeriut. Të gjithë duhet të jemi nxënës – “të vonuar ose jo” të kësaj
katedre. Vetëm atëherë do ta kuptojmë se Kryqi është edhe djepi i njeriut të ri”. Mbi
atë Kryq e ngul vështrimin Papa polak, që vjen nga një tokë martire, më 13 prill në
“Udhën e Kryqit” në Koloseum. Duke parë këtë Kryq, kryqin e fillimeve të Kishës, tha
ai, duhet të ndjejmë e të shprehim solidaritetin e thellë me vëllezërit tanë në fe,
të cilët janë objekt persekutimi e diskriminimi në epokën tonë: “Duke parë
Kryqin në Koloseum, t’i kërkojmë Krishtit që të mos u mungojë atyre – ashtu si personave,
që dikur janë martirizuar në këtë vend – fuqia e Shpirtit Shenjt, për të cilën kanë
nevojë”. Sigurisht, pranon Gjon Pali II në Natën e Pashkëve të 1979-ës, fjala
“vdekje” shqiptohet me një lëmsh në fyt. Ajo është gjithnjë diçka tronditëse. Por
i krishteri e di se Krishti, përmes Kryqit, fitoi mbi vdekjen. E që gjatë natës mund
të shohim dritën e agimit: “Ja nata e Pritjes së Madhe. Presim me fe, presim
me krejt qenien tonë njerëzore Atë, që në agim e bëri copë-copë tiraninë e vdekjes
dhe zbuloi Fuqinë Hyjnore të Jetës: ai është Shpresa jonë”. E pikërisht këtë
Shpresë, Shpresën e vërtetë, Gjon Pali II ia shpall botës më 15 prill 1979 në Mesazhin
Urbi et Orbi të Pashkëve: “Sa shumë na flet kjo Ditë, na flet me krejt të vërtetën
e zanafillës. Guri i këndit i krejt ndërtesës është vetë Jezu Krishti. Ky gur, i hedhur
nga ndërtuesit, që Zoti e ka rrezatuar me dritën e ringjalljes, vendoset në themelin
e fesë sonë, të shpresës e të dashurisë sonë”. Në Ditën e të Ngjallurit, në
Ditën e shpresës universale, Karol Vojtila i fton të gjithë të rizbulojnë thirrjen,
që secili e merr me Pagëzimin. Një mision, nënvizon Papa, i gjallëruar nga gëzimi
i Ringjalljes. E përfundon me thirrjen për shpresë, që jehon akoma sot, si atëherë.
Dita e Pashkëve është fillimi i një kohe të re: “Njeriu nuk mund ta humbë kurrë
shpresën në fitoren e së mirës. Kjo ditë u bëftë sot për ne fillimi i shpresës së
re”.
E paharrueshme, vizita e Gjon Palit II në Shqipëri, më 25 prill
1993. I paraqiti popullit të sapodalë nga komunizmi, ipeshkvijtë e rinj, u përqafua
me Nënë Terezën, njohu vuajtjet e Kishës e martirizimin e bijve të saj, nxiti krijimin
e një shoqërie të drejtë e demokratike. Po e kujtojmë me porosinë e tij për popullin
shqiptar, thënë në Tiranë, në sheshin Skënderbej, pikërisht para vendit, ku më parë
ngrihej shtatorja e diktatorit Enver Hoxha: “Popull shqiptar, ec përpara me
guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të
janë të mbjella farat e shpresës. Le të të shoqërojë forca e martirëve të tu, dëshmitarë
gjithmonë në rojë të lirisë, në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. Le
t’i ndrisë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja për
të huajin dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto, që përbëjnë pasurinë
më të çmuar shekullore shqiptare. Le ta ushqejë guximin tënd feja e besimtarëve
të tu në një Zot të vetëm, të cilët sëbashku me çdo njeri vullnetmirë do t’i përkushtohen
shërbimit ndaj drejtësisë e paqes”.