2010-04-02 16:30:25

Dy fjalë për të na shoqëruar, derisa ndjekim Udhën e Kryqit!


(02.4.2010 RV)Duke ndjekur Udhën e Kryqit na krijohen menjëherë dy bindje: bindja mbi fuqinë shkatërrimtare të mëkatit dhe bindja mbi fuqinë shëruese të dashurisë së Hyjit.
Fuqia shkatërrimtare e mëkatit: Bibla nuk lodhet së përsërituri se e keqja është e keqe sepse bën keq: mëkati është vetëdënim, sepse krimi përmban brenda vetes edhe ndëshkimin. Ja disa tekste tepër të qarta të Jeremisë profet: “Ata shkuan pas kotësisë dhe u bënë të kotë” (Jer. 2, 5); “Po të dënon fajësia jote, po të ndëshkon cubnia jote. Dije e shih sa gjë e keqe e e hidhur është të kesh lënë Hyjin tënd e të mos dridhesh më përpara meje” (Jer, 2, 19); “Fajet tuaja e çrregulluan këtë rend, mëkatet tuaja jua humbën mirëqenien”. (Jer. 5, 25)
E Izaia nuk është më pak i ashpër: “Prandaj kështu foli Shenjti i Izraelit: ‘Për arsye se e përbuzët këtë fjalë e shpresoni në mbrapshti e në pabesi dhe në to e mbështetni veten, këndej për ju ky mëkat do të jetë posi plasa, porsi vendi i fryrë në mur të lartë, që rrënohet në çast, kur nuk pritet; do të copëtohet si një enë dheu, do të thërmohet pa farë mëshire; asnjë copëz s’do të mbesë prej saj, as sa të kapësh me të një gacë nga zjarri, o prej pusit të nxjerrësh një pikë ujë”. (Is. 30, 12-14). E, duke folur në përkim me ndjenjat më të thella të popullit të Zotit, profeti ngre me forcë zërin: “Të gjithë ne jemi bërë si i papastri, si petk i ndytë - të gjitha drejtësitë tona: të gjithë u vyshkëm porsi gjethi, të këqijat tona na flakin si era”. (Is. 64, 5).
Por njëkohësisht profetët ngrenë zërin edhe kundër gurëzimit të zemrës, që ka si pasojë verbërinë. Kështu njeriu nuk arrin më të shikojë sa i rëndë është mëkati. Të dëgjojmë Jereminë: “Prej më të voglit deri në më të madhin, të gjithë janë dhënë pas horrjatisë, nga profeti te prifti, të gjithë po bëjnë dredhi. Mendjelehtas mjekojnë plagën e popullit tim e thonë: ‘ Paqe! Paqe!’. Po paqe nuk ka. Duhej të turpëroheshin për mbrapshtitë e tyre, por s’u vjen marre aspak; nuk dinë as të skuqen!”(Jer 6, 13-15)

Jezusi, duke hyrë brenda historisë të mbushur përplot me mëkate, mori mbi vete barrën e dhunës së mëkateve tona: prandaj duke e parë Jezusin, kuptohet qartë sa shkatërrimtar është mëkati e sa e sëmurë është familja njerëzore, dmth ne! Ti e unë!
Por, ka edhe një bindje të tretë. Jezusi iu përgjigj mburrjes sonë me përvujtëri; dhunës sonë me butësi, urrejtjes sonë me dashurinë që di të falë. Kryqi është ngjarja përmes së cilës Dashuria e Zotit hyn në historinë tonë, vjen pranë nesh, bëhet përvojë që shëron e shpëton.
Nuk mund të ikim nga një fakt: që në fillim të misionit, Jezusi flet për ‘orën e tij’ (Gjn. 2, 4), orë për të cilën ka ardhur (Gjn. 12, 27), orë të cilën e përshëndet me gëzim, duke brohoritur në fillim të Mundimeve të veta: “ Arriti koha!”.
Kisha e ruan me kujdes të madh kujtimin e këtij fakti e, në Besojmë, pasi pohon se Biri i Zotit “u mishërua në kraharorin e Virgjërës Mari e u bë njeri” menjëherë kujton “U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat, vdiq e u varros”.
U kryqëzua për ne! Jezusi, duke vdekur, provoi përvojën dramatike të vdekjes, ashtu siç është bërë nga mëkatet tona: por, duke vdekur, Jezusi e mbushi vdekjen me dashuri, dmth me praninë e Zotit: atëherë mund të themi me plot gojën se me vdekjen e Jezusit, vdekja u mund, sepse Krishti e mbushi vdekjen me forcën e kundërt të mëkatit që e lindi vdekjen: Jezusi e mbushi me dashuri.
Përmes fesë e pagëzimit ne jemi njohur me vdekjen e Krishtit, dmth me misterin e Dashurisë me të cilin Krishti e jetoi vdekjen edhe fitoi mbi të. E kështu nis shtegtimi i kthimit tonë tek Zoti, kthim që do të përplotësohet në çastin e vdekjes sonë të jetuar në Krishtin e me Krishtin: dmth në Dashuri.
Duke ndjekur Udhën e Kryqit, të zënë për dore me Marinë, t’i lutemi Krishtit të na dhurojë një thërrime nga përvujtëria e nga butësia e tij, në mënyrë që dashuria e Krishtit të Kryqëzuar të hyjë brenda nesh e të na dhurojë një zemër të re sipas masës së zemrës së Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.