2010-04-01 15:41:22

Papa gjatë Meshës së Bagmit: “Kush dashuron është i gatshëm të vuajë si Krishti, që kur e fyenin nuk iu përgjigjej fyerjeve.”


(01.04.2010 RV)“Si meshtarë jemi të thirrur që në bashkim me Jezu Krishtin të jemi njerëz paqeje, jemi të thirrur që t’i përgjigjemi dhunës dhe të kemi besim te fuqia e dashurisë që është më e madhe” Kështu u shpreh Ati i Shenjtë Racinger gjatë Meshës së Bagmit kremtuar në Vatikan, në këtë të Enjte të Madhe që hapi triditëshin e Pashkëve. Më pas Papa Benedikti XVI shtoi: “Është pjesë e simbolit të Vojit të Shenjtë edhe vetë fakti që ai na bën më të fortë për luftë. Kjo gjë nuk bie në kundërshtim me temën e paqës, por është një pjesë e saj. Lufta e të krishterëve ishte jo përdorimi i dhunës por edhe gatishmëria e tyre, dje dhe sot, për të vuajtur për të mirën, për Zotin. Lufta e të krishterëve është se ata si qytetarë të mirë respektojnë ligjin dhe bëjnë atë që është e drejtë dhe e mirë. Ata refuzojnë atë çka në ligjet në fuqi nuk përbën drejtësi, por padrejtësi.
Lufta e martirëve ishte ajo “jo” e hapur që i thanë padrejtësive. Refuzimi i pjesëmarrjes në ritet e idhujtarisë, në adhurimin e perandorit, nuk u gjunjëzuan përpara gënjeshtrave, përpara adhurimit të individëve dhe të fuqisë së tyre. Duke i thënë “jo” gënjeshtrave dhe të gjitha pasojave që burojnë prej tyre ata rritën pushtetin e së drejtës dhe të së vërtetës. Në këtë mënyrë i shërbyen paqës së vërtetë.
Edhe sot është tepër e rëndësishme që të krishterët të ndjekin të drejtën, e cila është themeli i paqës. Edhe sot është e rëndësishme për të krishterët që të mos ta pranojnë një padrejtësi që është ngritur në rang të drejte – për shembull kur bëhet fjalë për vrasjen e foshnjeve të pafajshme që nuk kanë lindur ende. Pikërisht në këtë mënyrë i shërbejmë paqës dhe pikërisht kështu vërejmë se po ecim në gjurmët e Jezu Krishtit për të cilin Shën Pjetri thotë: “Kur e fyenin nuk përgjigjej me fyerje. Kur e mundonin nuk kërcënonte se do të hakmerrej por ia lëshonte veten në dorë Atij që gjykon me drejtësi. Ai i mori mëkatet tona në trupin e vet në kryq, në mënyrë që duke mos jetuar më për mëkatin, ne të jetonim për drejtësinë” (1. Pt. 2, 23). Më tej Papa Racinger vazhdoi: “Kush dashuron është i gatshëm të vuajë për të dashurin dhe për dashurinë e vet, dhe pikërisht në këtë mënyrë provohet një gëzim më i thellë”.

Që tek emri ynë i krishterë, vuri në dukje Papa “është i pranishëm misteri i Vajit” që na çon tek emri i Krishtit, i cili është "I Shuguruari":RealAudioMP3

“Të jesh i krishterë do të thotë: të vish nga Krishti, t’i përkasësh Krishtit, të Zgjedhurit të Zotit, Atij të cilit Zoti i dhuroi pushtetin mbretëror dhe meshtarinë. Do të thotë t’i përkasësh Atij që Zoti e shenjoi me bagëm – jo me një vaj të prekshëm si lëndë materiale, por me Atë që përfaqësohet nga Vaji i Bagmit: me Shpirtin e Tij të Shenjtë. Kështu, vaji i ullirit kthehet, në mënyrë krejt të veçantë, në një simbol të zbritjes së Shpirtit Shenjtë tek Jezusi Njeri.”

Nga kjo vetëdije shpirtërore të vetë të krishterit burojnë përgjegjësi konkrete. Simbolizmit të vajit, pohoi më pas Benedikti XVI i përket edhe fakti se ai na bën më të fortë për luftë”, gjë që i bën të krishterët ta respektojnë ligjin “si shtetas të mirë” por edhe të “bëjnë atë që është e drejtë dhe e mirë”, ashtu sikurse edhe të refuzojnë të kryejnë atë që në ligjet në fuqi nuk është një e drejtë, por një padrejtësi”:

“Edhe sot është e rëndësishme që të krishterët të ndjekin të drejtën, që është edhe themeli i paqës. Edhe sot është e rëndësishme që të krishterët të mos e pranojnë një padrejtësi që është ngritur në rang të drejte ligjore – për shembull, kur bëhet fjalë për vrasjen e foshnjeve të pafajshme, që nuk janë lindur ende. Pikërisht kështu ruajmë paqën dhe pikërisht kështu vërejmë se po ecim nëpër gjurmët e Jezu Krishtit për të cilin Shën Pjetri thotë: “Kur e fyenin nuk përgjigjej me fyerje. Kur e mundonin nuk kërcënonte se do të hakmerrej por ia lëshonte veten në dorë Atij që gjykon me drejtësi.”

“Lufta e të krishterëve – shpjegoi pak më përpara Papa – ka qenë dhe është mos përdorimi i dhunës. Përkundrazi ata kanë qenë dhe janë ende tani të gatshëm për të vuajtur për të mirën, për Zotin”. Për ta paqja është një vlerë që buron drejtëpërsëdrejti nga Zoti dhe është fryt i sakrificës së Jezusit:

“Të krishterët duhet të jenë njerëz paqeje, njerëz që e njohin, e pranojnë dhe e jetojnë misterin e Kryqit si mister të pajtimit. Krishti nuk fiton me shpatë por nëpërmjet Kryqit. Fiton duke e mundur urrejtjen. Fiton nëpërmjet forcës së dashurisë së tij më të madhe (...) Si meshtarë jemi të thirrur të jemi në bashkim me Jezu Krishtin, njerëz paqeje, jemi të thirrur t’i kundërvihemi dhunës dhe të besojmë në forcën e dashurisë që është më e madhe”.

Dhe për meshtarët ka një domethënie akoma më të lartë që duhet mbajtur parasysh, nënvizoi Benedikti XVI. Vaji – që në greqisht quhet “elaion” – me të cilin meshtarët e rinj shugurohen, është i lidhur ngushtësisht me konceptin e Mëshirës Hyjnore, që në greqisht quhet “eleos”. Një lidhje kjo që nënkupton një përgjegjësi tepër të qartë:

“Vajimi për meshtarinë do të thotë gjithmonë edhe detyra për t’i çuar Mëshirën e Zotit Njerëzve. Në llambën e jetës sonë nuk duhet të mungojë kurrë vaji i mëshirës. Le ta sigurojmë gjithmonë në kohë pranë Zotit – në takimin me Fjalën e Tij, duke marrë Sakramentet, duke u lutur së bashku me Të”.

Shenjë e hirit, pra, është simbol i forcës, por jo vetëm kaq. Vaji – kujtoi më pas Papa Racinger, sipas përkufizimit të një psalmi të vjetër, është edhe Prurësi i gëzimit. Është Shpirti i Shenjtë, që është “gëzimi që buron nga Zoti”:

“Ky gëzim është një gjë shumë e ndryshme nga zbavitja apo nga gëzimi i jashtëm për të cilin lufton shoqëria e sotme. Zbavitja, sipas vendit, është padyshim gjë e mirë dhe e pëlqyeshme. Ëështë mirë të qeshësh. Por zbavitja nuk është gjithçka. Ajo është vetëm një pjesë e vogël e jetës sonë dhe atje ku ajo don të bëhet gjithçka, atje kthehet në një maskë pas së cilës fshihet dëshpërimi o së paku dyshimi a është apo jo, jeta, një gjë me të vërtetë e mirë, e se mos do të ishte më mirë të mos ekzistonin fare.”

Përkundrazi, përfundoi Benedikti XVI:

“Gëzimi që buron nga Krishti është i ndryshëm. Ai na jep krahë, po, por ama mund të vijë me ne edhe në vuajtje. Na jep aftësinë të vuajmë dhe në vuajtje të mbetemi të gëzuar brenda nesh.” përfundoi Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.