2010-04-01 12:36:14

Mesha in Coena Domini (në Darkën e Krishtit) hap ritet e Treditëshit të Pashkëve.


(01.04.20010 RV)Me kremtimin e Meshës ‘in Coena Domini’ - kremtim i Darkës së Mbrame të Zotit, kur Jezusi i dhuron Kishës në fasha ‘ilaçin e pavdekësisë”, Eukaristinë. Gjatë ritit, meshtari, duke përsëritur gjestin e Jezusit, u lan këmbët 12 personave të bashkësisë së vet kishtare.
Në Faqen ungjillore të këtij kremtimi nga Shën Gjoni, Apostulli, me një gjuhë shumë solemne, tregon sesi Jezusi ua lau këmbët nxënësve të vet. Është një akt sa profetik, aq edhe simbolik. Me këtë gjest konkret, Jezusi vë në dukje pikërisht atë që himni i madh kristologjik, Letra drejtuar Filipianëve, e përshkruan si misterin e Krishtit. Jezusi zhvesh rrobat e lumnisë së vet Hyjnore, ngjesh ‘leckën’ njerëzore e bëhet skllav. Ua lan këmbët e ndyra dishepujve, duke i bërë të aftë të hyjnë në gostinë hyjnore në të cilën i fton.
Në vend të pastrimeve të jashtme të kultit, që e lajnë njeriun ritualisht, duke e lënë ashtu siç ishte, Jezusi na bën të pastërt me fjalën e tij e me dashurinë e tij, me dhurimin e plotë të vetvetes. E vijon të na lajë me fjalën e tij. Në se e pranojmë këtë fjalë me meditim, lutje e fe, ajo ngjall në shpirtin tonë forcën pastruese. Ditë për ditë na duket se na mbulon ndyrësia shumëformëshe, na mbulojnë fjalët boshe, paragjykimet, dija e kufizuar dhe e tjetërsuar, falsiteti. Gjithë kjo ndyrësi e pushton shpirtin tonë e na krijon rrezikun të bëhemi të paaftë për të njohur të vërtetën e për të bërë të mirën.
Në se i pranojmë fjalët e Jezusit me zemër të hapur, do ta ndjejmë se janë larje e vërtetë, pastrim i vërtetë i shpirtit. Ta lemë, pra veten, të lahemi me këtë ujë të pastër, që na bën të denjë për t’u ulur, së bashku me vëllezërit, në gostinë e madhe të Hyjit. Kjo ftesë u drejtohet të gjithë krishterëve.
Më tej, liturgjia na ofron simbolikën e gjestit të Krishtit, duke theksuar dy aspekte të ndryshme: dhuratën e pastërtisë dhe detyrën e besimtarit për ta parë Atë si model, për ta bërë këtë dhuratë të vetën, sepse gjesti i Zotit është: sacramentum ed exemplum: sakrament e shembull, duke pasur parasysh se fjala sakrament këtu ka kuptimin e vetë të Misterit të Krishtit në tërësinë e tij, nga mishërimi e deri në kryq e në ngjallje. Kjo tërësi bëhet forcë shëruese, shenjtëruese, shndërruese: na bën të fillojmë një jetë të re. Gjithsesi ne nuk mbetemi pasivë, ndërsa e marrin këtë dhuratë hyjnore: Zoti e shikon secilin nga ne si partner personal e të gjallë.
Dashuria e dhuruar është dinamika e ‘të dashurit së bashku’, është jetë e re, duke u nisur nga Hyji. Jezusi u thotë dishepujve të vet e të gjithë neve: “Po ju jap një urdhër të ri: Duajeni njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, duajeni edhe ju njëri-tjetrin”(Gjn. 13, 34). Urdhri i ri nuk është normë e re dhe e vështirë, që deri atëherë nuk ekzistonte: është urdhër për të dashur së bashku me Atë, që na deshi i pari. Është plot domethënie të komentosh edhe bisedën e Jezusit me Pjetrin, i cili nuk deshi ta linte Jezusin t’ia lante këmbët, sepse kjo i binte ndesh konceptit të tij për madhështinë hyjnore. Duhej të kuptonte përsëri e përsëri se madhështia hyjnore ndryshon nga ideja jonë për madhështinë. Madhështia hyjnore është përvujtëria e shërbimit, dashuria deri në zhveshjen e plotë të vetvetes.
Edhe ne, si Shën Pjetri duhet ta kuptojmë këtë, duke rifilluar gjithnjë nga e para, sepse vazhdimisht dëshirojmë zotin e suksesit e jo atë të Mundimeve e sepse nuk jemi në gjendje ta kuptojmë se Bariu vjen si Qengj që dhurohet e kështu na prin drejt kullotave të blerta. Në se themi që jemi pa mëkat, gënjejmë veten e nuk arrijmë kurrë ta njohim të Vërtetën. Në se i pranojmë gabimet tona, Ai që është besnik, do të na i falë fajet e do të na pastrojë nga çdo mëkat.







All the contents on this site are copyrighted ©.