(01.4.2010 RV)Fjala qendrore, madje thelbi i ditës së Enjtes së Madhe
të Pashkëve dhe i tërë jetës së Kishës e këndej të besimtarëve është fjala Eukaristi.
Në vetvete “Eukaristi” do të thotë mirënjohje, dhënie falas, pra falënderim. Për
të krishterët eukaristia është falënderim ndaj Zotit. Katër tekste të Besëlidhjes
së Re rrëfejnë për themelimin e Eukaristisë: Mt 26,26-29; Mk 14,22-25; Lk 22,15-20;
1Kor 11,23vv. Po të ndalemi më hollësisht te fjala Eukaristi! Në
radhë të dytë, Eukaristia themelon Kishën. Shkrirja me Krishtin, që realizohet në
Pagëzim, fuqizohet më tej në Eukaristi. Mund të themi se jo vetëm secili prej nesh
e merr Krishtin, por se edhe Krishti e merr secilin prej nesh. Eukaristia ka aftësi
bashkuese. Duke qenë të pranishëm në Eukaristi, besimtarët bëhen një trup i vetëm,
që nga çasti kur të gjithë marrin pjesë nga njëjta bukë, siç thotë edhe Shën Pali
Apostull në letrën e parë drejtuar Korintianëve. Kujtojmë këtu edhe vlerën e
madhe të kultit eukaristik jashtë Meshe, me Sakramentin jashtë e me ndalesat adhuruese
ose vizitat e vazhdueshme tek Jezusi eukaristik. Lidhur me këtë, kujtojmë një episod
nga jeta e Edith Stein. Një nga arsyet që e shtynë të rrokte fenë e krishterë, qe
pikërisht përvoja e vizitave te Jezusi Eukaristik nga ana e besimtarëve të veçantë
në Kishën katolike të Gjermanisë. Vërejti se katolikët shkonin të vizitonin një të
Gjallë, Jezusin, mikun e tyre besnik e shëlbues. Pika e tretë që vlen të theksohet,
në se flasim me gjuhën e baritorisë, është lidhja ndërmjet eukaristisë dhe sakramentit
të pendesës, rrëfimit. Pajtimi është rrugë e detyrueshme. Pa të nuk mund të merret
pjesë plotësisht e me fryt në flijimin eukaristik. Eukaristisë duhet t'i afrohemi
vetëm në se jemi në hir të Zotit. Ky bashkim i brendshëm hiri me Jezusin, duhet shprehur
pastaj edhe në bashkimin kishtar: në bashkimin me Papën e me ipeshkvijtë si dhe me
magjisterin e tyre baritor. Prandaj Eukaristia krijon bashkimin dhe edukon bashkimin!
"Ngjarja kryesore e kremtimit të Darkës së Fundit të Enjten e Shenjtë, është dhurata
e madhe e Krishtit: përmes flijimit të vetvetes, themelon Eukaristinë. Duke e pas
dashur Kishën e vet, Jezusi e deshi deri në fund të fundit. Natën para se të mundohej
e të vdiste, u dha apostujve të vet e, përmes tyre edhe mbarë Kishës, Eukaristinë
shenjte. E filloi duke ua larë këmbët. Qe provë e madhe dashurie e përvujtërie. Kështu
Jezusi u mësonte apostujve ta donin atë e njëri tjetrin. Gjatë Darkës,
me fjalë solemne që nënkuptonin flijimin e tij të afërt mbi Kryq, Jezusi e shndërroi
bukën në korp të vetin e verën, në gjak të vetin e ua dha apostujve ta hanin e ta
pinin. E shtoi: "Bëjeni këtë në kujtimin tim!". Dhuronte kështu Sakramenti e Urdhrit
të Shenjtë, atë të meshtarisë. Jezusi i shuguroi meshtarë apostujt e vet, sepse u
dha atyre pushtetin për të shuguruar bukën e verën, duke i shndërruar në korpin e
gjakun e Tij, për t'ia ofruar pastaj këtë flijim Atit të Amshuar. Prej këndej mund
të themi se sonte Kisha adhuroi dhe falënderoi Jezusin për flijimin dhe për Sakramentin
e Eukaristisë Shenjte!
Edhe Papa në homelinë e rastit, duke i ftuar të gjithë
besimtarët të ulen rreth sofrës hyjnore, së bashku me Krishtin, rikujtoi çastet kulmore
të Darkës së Fundit të Zotit dhe shpjegoi simbolet kryesore: larjen e këmbëve, simbol
i shërbimit dhe i dashurisë vëllazërore e themelimin e Eukaristisë, misterit më të
madh e më të pashqyrtueshëm për arsyen njerëzore, që na bën një me Krishtin dhe me
vëllezërit, përmes simboleve të thjeshta Eukaristike: do të thotë bukës e verës që
shndërrohen në Korpin e në Gjakun e Krishtit.