2010-04-01 19:59:07

Bashkimi i të krishterëve të jetë dëshmi e misionit të Krishtit në botë: kështu Papa në Meshën e Darkës së Mbrame, homelinë e së cilës e përqendroi në tri fjalë të Lutjes meshtarake të Krishtit


(01.04.2010 RV)Bazilika e Shën Gjonit në Lateran u mbush sot pasdite plot e përplot me besimtarë, që kremtuan sëbashku me Papën Benedikti XVI, Meshën e Darkës së Mbrame (Messa in Coena Domini), me të cilën përkujtojmë darkën e mbrame të Jezu Krishtit, para se të fillonin Mundimet e tij. Pikërisht në atë rast, Jezusi themeloi Eukaristinë e meshtarinë dhe u dha dishepujve të vet Urdhërimin e dashurisë. Duke kujtuar atë që Krishti bëri pas darkës për Apostujt, Papa u lau këmbët 12 meshtarëve, e tregoi se edhe Ai, kreu i Kishës Katolike, është në shërbim të përvujtë të vëllezërve në fe.RealAudioMP3
Homelinë e vet, Benedikti XVI e përqendroi në Ungjillin e Shën Gjonit e, sidomos, në fjalët e Jezu Krishtit, që në fund të Darkës së Mbrame shndërrohen në lutje, në Lutjen meshtarake. Nga ky tekst, Papa veçoi tri fjalë të Jezusit, të cilat i përdori për të shpjeguar misterin e së Enjtes së Madhe.

Së pari, frazën e marrë nga Ungjilli i Shën Gjonit: “Kjo është jeta e pasosur: që të njohin Ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin” (17,3). E Papa shpjegoi kuptimin e frazës:
“Kur Jezusi flet për jetën e pasosur, Ai nënkupton jetën autentike, të vërtetë, që meriton të jetohet. Nuk nënkupton thjesht jetën që vjen pas vdekjes… Vetëm nëse mësojmë që tani të jetojmë në mënyrë autentike, nëse mësojmë atë jetë, që vdekja nuk mund të na e marrë, vetëm atëherë premtimi i amshimit ka kuptim”.
Siç na thotë Jezusi, vazhdoi Papa, kjo jetë e vërtetë është njohja e Zotit dhe e Birit të tij Jezu Krishtit. Vetëm në këtë marrëdhënie të vazhdueshme me Hyjin mund të gjejmë mbështetjen për jetën tonë. Njeriu jeton për amshim, vetëm nëse lidhet me atë që është e pashkatërrueshme – me të vërtetën, që është e përjetshme. Për ne, e vërteta është një Vetje, është Zoti, është Jezu Krishti i Ringjallur. Por njohja e Zotit nuk është dije e zakonshme:
“Ta njohësh Zotin, ta njohësh Krishtin, do të thotë gjithnjë edhe ta duash, të bëhesh, në një farë mënyre, një gjë e vetme me Të në sajë të njohjes e të dashurisë”.


Dy herë në Lutjen meshtarake, Jezusi flet për zbulimin e emrit të Zotit, tha Benedikti XVI, duke medituar mbi fjalën e dytë të Krishtit. Jezusi i referohet kaçubës së ndezur, nga e cila Zoti, me kërkesën e Moisiut, zbulon emrin e vet, duke i përfshirë kështu edhe njerëzit në planin e tij të Shëlbimit:
“Komunikimi i emrit do të thotë të hysh në marrëdhënie me tjetrin. Zbulimi i emrit hyjnor do të thotë pra se Zoti, që është i pafundmë dhe e ka origjinën tek vetveteja, hyn në marrëdhëniet e njerëzve; se Ai, si të thuash, del nga vetvetja e bëhet njëri prej nesh, i pranishëm mes nesh e për ne”.
Përmes mishërimit të Birit, Zoti, si Njeri, mund të thirret e na qëndron afër, është njëri prej nesh e megjithatë, është Zoti i amshuar e i pafundmë. Por, ku e gjejmë këtë Zot-me-ne? Ja ç’tha Papa:
“Misteri eukaristik, prania e Zotit në trajtën e bukës e të verës është kondensimi më i madh e më i lartë i këtij qëndrimi-me-ne të Zotit… duhet të na pushtojë gëzimi e falenderimi se Ai na është dukur; se Ai, i Pafundmi dhe i Pakapshmi për arsyen tonë, është Zoti i afërt që na do, Zoti që mund ta njohim e ta duam”.

Citimi i tretë i Papës nga Lutja meshtarake e Krishtit, ishte kërkesa e Tij për bashkimin e dishepujve të atëhershëm e të ardhshëm, për dëshminë e tyre të krishterë si një gjë e vetme. Jezusi i kërkon Kishën Atit të Gjithpushtetshëm. Ajo lind nga lutja e Jezusit e prej shpalljes së Ungjillit nga ana e Apostujve, të cilët e bëjnë të njohur emrin e Zotit dhe i nxisin njerëzit të bashkohen me Zotin, në dashuri. Biri i Hyjit kërkon që dëshmia e dishepujve të vazhdojë në kohë e të mbledhë njerëzit, të cilët, në bazë të kësaj dëshmie, të njohin Zotin e të Dërguarin e tij, Jezu Krishtin. Jezusi lutet që njerëzit të udhëhiqen drejt fesë e përmes fesë, drejt dashurisë. Ai i kërkon Atit që besimtarët “të jenë në ne” (rr. 21); që të jetojnë pra në bashkim të brendshëm me Zotin e me Jezu Krishtin e prej kësaj të krijohet një unitet i pandashëm. Dy herë, Krishti thotë se nga ky unitet bota do të besojë në misionin e Tij:
“Duhet të jetë pra, një bashkim që mund të shihet – një bashkim që shkon aq përtej gjërave, që zakonisht janë të mundshme ndërmjet njerëzve, sa të bëhet shenjë për botën e t’i japë vlerë misionit të Jezu Krishtit… Kur ne meditojmë mbi Mundimet e Zotit, duhet ta ndjejmë edhe dhimbjen e Jezusit për faktin se jemi në kontrast me lutjen e Tij; se i bëjmë rezistencë dashurisë së Tij; se e kundërshtojmë bashkimin, që duhet të jetë për botën dëshmi e misionit të Tij”.

Sot, këmbanat tingëlluan gjatë Meshës, në momentin e këngës për lavdinë e Krishtit e do të heshtin deri në Lutjen e Natës së Pashkëve, në pritje të Ngjalljes së Shëlbuesit të njerëzimit, ndërmjet së Shtunës së Madhe e së Dielës së Pashkëve, kur këmbanat do të bien në festë. Sot, gjithë natën, kishat janë hapur për adhurimin eukaristik, prandaj i ftojmë të gjithë besimtarët të shkojnë për të medituar mbi misterin e këtyre ditëve të shenjta të vitit. Tradita kërkon që çdo besimtar të shkojë të paktën në pesë kisha (sa janë plagët e Jezu Krishtit), ose në shtatë (sa janë vuajtjet e Zojës).







All the contents on this site are copyrighted ©.