Atë Zef Pllumi: Krishti nuk vjen për me ndejë i mshehun..
(01.4.2010 RV)Për Pashkët e vitit 1949 dhoma jonë nr. 7, pati nji gzim të papershkrueshem.
Na erdhi mbrendë Krishti, për me na forcue në fe. Qe si ndodhi: At Leon Kabashi,
kur i erdh e motra e vet në takim, i porositi një palë papuçe. Bashkë me motrën i
erdh edhe Dava. Dava ishte nji murgeshë servite e nxjerrun prej Kuvendit. Ajo siellej
nëpër popull e kerkonte lëmoshë për disa meshtarë të burgosun. Gjatë takimit të zhurmshem,
At Leoni mujt me i thanë: “Në papuçe ma bjer edhe borxhin e Pashkve”. Policët e e
spiunat që ndiqshin fjalët, nuk mbrrijten me e kuptue se ai kerkonte kungimin. Mbas
dy javësh At Leoni bani takimin tjeter, në të cilin Dava i tha se do t’ia shlyente
borxhin e Pashkve. At Leoni më kallxoi sekret çka kishte folë me motrën e me Daven. -
Un – tha - nuk kam ndër të gjithë të njajtin besim. Sikur të vijnë ndër papuçe ostet
e shugurueme, a thue mundesh, me ato marifetet tua, me i xjerrë? Ai e dinte se
unë ishem praktik - Mjaft që të hyjnë këtu mbrendë, se atëherë dij un. Për Pashkë
At Leoni u takue me motrën e vet, Rozen, e cila erdh bashkë me Daven. Motra i pruni
tesha e ushqime, ndersa Dava i tha: “Nuk kam mujtë me të pru gja tjeter, vetem kto
papuçe, mendoj se t’i kam ba simbas marakut që ke ti”. Kur shtinë teshat mbrendë,
At Leoni më pruni papuçet: - “Ban si të mundesh” më tha. Në burg ishte e ndalueme
rreptësisht çdo thikë, çdo brisk, çdo metal, deri brisqet e rrojës e gjylpanat, që
për ditë ishin të kontrollueme. Un, në msheftësinë ma të madhe, mbajshem nji gjylpanë
dhe nji copë teneqe të mprefun në nji anë. Mora papuçet për me i shpërthye. Prefsa
prej teneqeje nuk ishte e aftë. Atëherë, me ma të madhin durim, mora gjylpanën që
ishte prej çeliku. Ajo e bani punën e thikës së mpreftë: me majë të gjylpanës un shpërtheva
papuçet. Aty mbrendë gjeta korporalat, në të cilat ishin mbështjellë 50 oste: ndër
të dyja papuçet. U ula në gjunj. Mendova Shejtin Shën Tarçiz, martir i Kungimit në
kohët e katakombeve. Korporalat me 50 ostje ia dorëzova At Leonit. At Leoni e adhroi
Krishtin në dukjen e ostjes, mandej m’i kthei persri mue e më tha: “Mbaji ti, se je
ma i shkathtë se un. Jemi në burg, gjithshka mund ndodhin. Ti rueje Krishtin!”. Un
u ndjeva i lum që po më takonte me persritë Shën Tarçizin, por e ndjejshem vedin se
ishem shumë larg Tij. A thue edhe un mund të vdisshem për Krishtin? Papuçet do
t’i qepshem persri kur t’i gjindej rasti. At Leoni i muer ostet e shugurueme. Krishti
nuk kishte ardhë për me ndejë i mshefun, prandej ai tha: - Vllazen meshtarë! Krishti
ka ardhë mes nesh. Ka ardhë Krishti i ngjallun, për me ngjallë zemrat tona. Ka ardhë
me na dhanë forcë e fuqi me perballue djallin. Sonte Krishtin e kemi këtu, në mes
nesh, në ket birucë. Gjithsecili ta përgatisë zemren e vet që të bashkohet neser me
Krishtin. Gjatë asaj nate na u rrfyem me shoqi-shojnë e ia pergatitem zemrat Krishtit.
Zemrat tona ishin të helmueme prej vuejtjesh e torturash: inadi, djalli, dishiri i
hakmarrjes. Këta ishin anmiqët e mdhej të Zotit-dashuni. Atë Leoni më tha: “Merri
ostet e shugurueme e rueji. Nata asht e djallit dhe e territ: gjithçka mund ndodhin.
Ti rueje Krishtin e vedin: në çdo rast të papritun, konsumoji ostjet!”. Un atë natë
fjeta me Krishtin në parzem, aty te zemra. A jam i dejë të jem si Shën Tarçizi?...
Fjeta tepër i gëzuem. Në mëngjesin e ditës së hanë gjithshka u zhvillue normalisht,
siç e parashifshin rregullat e Burgut të Madh... Kur u kryen të gjitha sherbimet dhe
u nda racjoni i bukës, para se të fillojshim ngranien, At Leoni erdh në msheftësi
e më muer ostjet. Ia dorëzoi dom Tomë Lacës. Ai tha vetëm dy fjalë: “Vllazen, Krishtin
e kemi këtu, mes nesh, le ta marrim në zemër atë që asht ba kurban për ne, në sa edhe
na jemi gati me u ba kurban për Te!”. Të gjithë u kunguem me rradhë prej duerve të
dom Tomë Lacës: “O Qingj i Zotit, Ti që shlyen mëkatet e botës, kij mëshirë për
ne!” – përsritem në mes të shekullit të 20-të realisht skenat e katakombeve romake....
At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për të tregue”, Botim i ‘Hyllit të Dritës’,
Tiranë, 1995, fq. 261-263