2010-03-31 17:16:48

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: lutje e heshtje në ditët e Mundimeve të Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë.


(31.03.2010 RV)Sipas traditës së përvitshme të së Mërkurës së Madhe, Benedikti XVI ia kushtoi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Triditshit të Pashkëve, që nis nesër, me Meshën e Darkës së Mbrame të Zotit. Është thelbi i gjithë vitit liturgjik – theksoi Ati i Shenjtë. Në lutjen e në heshtjen, që i zënë vendin fjalës gjatë 72 orëve para Pashkëve, të krishterët – pohoi Papa – e ndjekin Krishtin në orën e vetmisë e luten, që të marrin fund të gjitha vetmitë e botës.

Asgjë tjetër, veç mistereve të fesë, që thurin Triditshin e Pashkëve, nuk mund t’i përmbysë kategoritë njerëzore të kuptimit të jetës e të vdekjes, duke i dhënë thelbin risisë së krishterimit. Thelbi – shpjegoi Benedikti XVI – qëndron në atë që bën Jezu Krishti me korpin e vet, përmes Eukaristisë: dhuratë para vdekjes, e cila mbetet e përsëritet, në mënyrë që vetë vdekja, kur vjen, e dhunshme e çnderuese, të mos jetë më fund i fundit. Vdekja, përmes kësaj dhantie, shndërrohet në rrugë dashurie, që ia hap njeriut të gjitha portat drejt një jete të re.
Prelud i kremtimeve prekëse të Triditshit, që besimtarët do t’i ndjekin këtë fundjave në të katër anët e botës, është Mesha e Bagmit e së Enjtes paradite, gjatë së cilës- kujtoi Papa – ipeshkvijtë e meshtarët përsërisin premtimet meshtarake:
“Një gjest i tillë sivjet merr një kuptim të veçantë, sepse bëhet në kuadrin e Vitit Meshtarak, që e shpalla për të përkujtuar 150-vjetorin e vdekjes së Famullitarit Shenjt të Arsit. Të gjithë meshtarëve dëshiroj t’u përsëris urimin, që ua pata bërë në përfundim të Letrës së shpalljes së këtij Viti: “Sipas shembullit të Famullitari Shenjt të Arsit, lëreni Krishtin t’ju pushtojë e do të jeni edhe ju, në botën e sotme, lajmëtarë të shpresës, të pajtimit e të paqes”.
Më pas, në mbrëmjen e së Enjtes së Madhe, bashkësitë e krishtera ndalohen para Çenakullit, që rijetohet në të gjitha Kishat e botës. Kremtojnë çastet më prekëse të historisë shumëshekullore të njerëzimit. Rreth sofrës së Çenakullit, kundrojnë si Jezusi themelon Eukaristinë e më pas, si bën gjestin kuptimplotë për çdo njeri, në të gjitha kohët, atë të larjes së këmbëve:
Një akt i tillë për ungjilltarin përfaqëson gjithë jetën e Jezusit e zbulon dashurinë e tij, deri në fund të fundit, një dashuri e pakufishme, që e bën njeriun të aftë për t’u bashkuar me Zotin, që e bën të lirë”.
Duke nisur nga mbrëmja e së Enjtes së Madhe, fjalët reshtin, për t’ia lëshuar vendin lutjes së heshtur, e cila buron nga thellësitë e shpirtit e rikthehet në ato thellësi, ashtu si lutja që i larton Jezusi Atit në Gjetseman, në sa mbi të dynden hijet e Golgotës:
“Para Eukaristisë, besimtarët kundrojnë Jezusin në orën e vetmisë e luten që të marrin fund të gjitha vetmitë e botës. Kjo udhë liturgjike është edhe ftesë për të kërkuar takimin e thellë me Zotin në lutje, për ta parë Jezusin ndërmjet atyre që janë vetëm, për të ndenjur zgjuar bashkë me Të e për të mësuar si shpallet drita me çdo çast të jetës”.
Vdekja mbi kryq e Jezusit, që kundrohet të Premten e Madhe – shpjegoi Benedikti XVI - lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Darkën e Mbrame. Në të parën – reflektoi Papa – Jezusi jep Korpin e Gjakun e vet, domethënë, jetën e tij tokësore, vetveten, duke përshpejtuar vdekjen e tij e duke e shndërruar atë në një akt dashurie. Kështu – shtoi Ati i Shenjtë – vdekjen…:
“që për vetë natyrën e saj, është fund i fundit, shkatërrim i çdo lidhjeje, Jezusi e bën akt të dhurimit të vetvetes, mjet shëlbimi e shpallje të fitores së dashurisë. Në këtë mënyrë Jezusi bëhet kyç, për ta kuptuar Darkën e Mbrame, çast i shndërrimit të vdekjes së dhunshme, në flijim vullnetar, në akt dashurie, që shpërblen e shëlbon botën”.
Së fundi, shpërthimi i Alelujës! Kënga e hareshme thyen heshtjen e madhe të këtyre orëve e edhe heshtjen e ‘nënës së të gjitha netëve pa gjumë”, të Shtunën e Madhe, kur drita e Ringjalljes çan errësirën e vdekjes:
“Ju nxis, prandaj, t’i jetoni thellësisht këto ditë, në mënyrë që ta drejtojnë jetën e secilit drejt bashkimit bujar e plot bindje me Krishtin, që vdiq e u ngjall për ne (...). Na shoqëroftë, në këtë shtegtim shpirtëror, Zoja e Bekuar. Ajo, që e ndoqi Jezusin gjatë Mundimeve e qe e pranishme tek këmbët e Kryqit, na shoqëroftë, për të hyrë sa më thellë në misterin e Pashkëve e për të provuar gëzimin dhe paqen e të Ngjallurit! Për shumë vjet Pashkët!”.
Pëshëndetjen e parë, pas përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme, Papa ua drejtoi universitarëve, ardhur nga disa vende të botës, që marrin pjesë në Kongresin ndërkombëtar, organizuar nga Prelatura e Opus Dei-t. “Ju ftoj të reflektoni – u tha Papa të rinjve – për rëndësinë që kanë studimet universitare në formimin e mendësisë katolike universale, të cilën Shën Hosemaria e përshkruante kështu: “Zgjerim i horizonteve e thellim i guximshëm i asaj, që mbetet përherë e gjallë në ortodoksinë katolike”. Uroj që në shpirtin e secilit nga ju, të rritet dëshira për t’u takuar pesonalisht me Jezu Krishtin e për ta dëshmuar me gëzim në të gjitha mjediset e jetës.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.