2010-03-30 14:06:08

Shqipëri: kreu i KQZ-së procesi zgjedhor i mirëmonitoruar e procesi i numërimit transparent


(30.3.2010 RV)Në Shqipëri kryetari i KQZ, Arben Ristani prezantoi sot, në komisionin parlamentar të ligjeve raportin vjetor mbi veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2009 që lidhet me përgatitjen, administrimin dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Kreu i KQZ-së vlerësoi se procesi zgjedhor ishte i mirëmonitoruar dhe se procesi i numërimit ka qënë transparent. "Për sa kohë nuk ka asnjë gjurmë për parregullsi në procesin e numërimit, nuk ka pasur shkelje në këtë proces, i cili ishte transparent", tha ai.
Ristani pranoi se problem ka qenë trajnimi i mangët i komisionerëve, si dhe marrja e vulës nga qendrat e komisioneve zonale. "Subjektet politike shpesh nuk i kanë sjellë në kohë komisionerët dhe i kanë ndryshuar deri ditën e votimit. Kjo ka peguar punën tonë", tha Ristani. Ditën e votimit, sipas Ristanit "ka pasur vetëm një problem me tamponët e bojës së thatë, por kjo nuk ka penguar procesin".
Sipas tij "pati vonesa në procesin e numërimit të votimeve për shkak të komisionerëve të patrajnuar mirë, por gjithsesi kjo nuk ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve të 28 Qershorit".
Para anëtarëve të komisionit të ligjeve, z. Ristani vuri në dukje se "vendimarrja në KQZ është marrë në shumicë të plotë dhe brenda 1 muaji ka dalë rezultati final".
I pyetur mbi masat që do të marrë KQZ për djegien e fletëve të votimit, Kreu i KQZ theksoi se "nuk ka afat të shprehur në ligj për djegien e tyre dhe duke parë situatën aktulae politike KQZ nuk ka ndërmarrë ansjë hap të tillë, pasi nuk ka dashur ti hedhë 'benzinë zjarrit'".
Në raportin vjetor të KQZ-së theksohet se "ndjenja e lartë përgjegjshmërisë për ruajtjen e të gjitha standardeve dhe zbatimin me korrektësinë maksimale të Kodit Zgjedhor, e shoqëruar nga klima e favorshme e konsensusit politik sikundër ishte në nisje të procesit, krijoi besim për arritjen e qëllimit final: zgjedhje të lira, të ndershme, konform standardeve të njohura ndërkombëtare".
Sipas raporti, zhvillimet gjatë procesit, si dhe vlerësimet përfundimtare të OSBE/ODHIR dëshmuan sërish se procesi i krijimit të besimit të plotë të partive politike tek vota dhe procesi i votimit ende nuk ka përfunduar.
Në Shqipëri zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009 u fituan nga koalicioni i djathtë "Aleanca e Ndryshimit", vendim që u miratua me unanimitet nga KQZ-ja.
Sipas këtij vendimi koalicioni i djathtë "Aleanca e ndryshimit" fitoi 70 mandate, koalicioni i majtë "Bashkimi për ndryshim" mori 66 mandate, ndërsa koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim" 4 mandate.
Në këto zgjedhje morën pjesë 34 subjekte zgjedhore, të grupuara në katër koalicione, dy të djathta dhe dy të majta, përkatësisht koalicioni "Aleanca e Ndryshimit", "Poli i Lirisë", "Aleanca Socialiste për Integrim" dhe "Bashkimi për Ndryshim".(nga ATSH-ja).







All the contents on this site are copyrighted ©.