2010-03-30 15:04:11

Ipeshkvijtë italianë: Qendrimi i Benediktit XVI për abuzimet e priftërinjve është i patundur dhe i qartë.


(30.03.2010 RV)“Transparenca është një pikë që karakterizon ndershmërinë tonë në veprimtarinë baritore.” Këtë gjë nënvizojnë ipeshkvijtë italianë në komunikatën përfundimtare të Këshillit të Përhershëm të Konferencës Ipeshkvnore Italiane zhvilluar ditët e fundit në Romë.
Prelatët i shprehin Papës solidaritetin e tyre, duke vënë në dukje qëndrimin e tij të “patundur e të qartë” në lidhje me shkandullin e abuzimeve me të mitur nga ana e disa klerikëve.
“Jemi të tronditur”, “na kanë tradhëtuar”, “ndjejmë keqardhje”. Kështu shprehen ipeshkvijtë italianë mbi rastet e pedofilisë në Kishë. Mes tjerash ipeshkvijtë nënvizojnë “qëndrimin e patundur dhe të qartë” të Papës Benediktit XVI i cili me siguri dhe vendosmëri e fton bashkësinë kishtare të sqarojë të vërtetën e fakteve duke ndërmarrë edhe hapat e duhur.
Ipeshkvijtë italianë i shprehin Papës “përzemërsinë dhe solidaritetin e tyre të plotë me të” duke e falenderuar për “dëshminë e tij të kulluar të fesë dhe magjisterin e tiij papnor”.
Në komunikatë thuhet se ipeshkvijtë “para së gjithash i shprehin viktimave të abuzimeve dhe familjeve të tyre – pjesë e vetë Kishës – keqardhjen e thellë për sa ka ndodhur” dhe janë të një mëndjeje se rreptësia dhe transparenca në zbatimin e normave gjyqësore dhe penale kanonike është rruga që duhet përshkuar për të kërkuar të vërtetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.