2010-03-29 18:03:50

Liturgjia e së Hënës së Madhe ka në qendër Judën. Papa na mëson ta shpërblejmë të keqen e kryer prej tradhtarëve, me dëshminë e pastër që japim për Jezu Krishtin.


(29.03.2010)Ungjilli i së Hënës së Madhe përqendrohet tek figura e Judës Iskariot. Fragmenti i Ungjillit të sotëm të Shën Gjonit, na tregon sesi Juda kritikon nderimin që i bën Jezusit, Maria, motra e Lazrit, duke ia larë këmbët me një profum të çmuar.
Këtë gjest Juda e shikon si shpërdorim, si shpenzim të kotë të parave, që mund të përdoreshin për të ndihmuar të varfërit. Por Juda, shpjegon Ungjilli, nuk e çante kokën fare për të varfërit. Ajo që e shqetësonte, ishin paratë, të cilat mund të grumbulloheshin në arkën, që i qe besuar e që ai e vidhte.
Në disa raste Benedikti XVI ka reflektuar publikisht për figurën e Judës, për shkaqet që e shtynë t’i kundërvihej Zotit, për domethënien e kësaj figure në historinë e shëlbimit e për mësimin, që i jep Kishës së sotme.
Juda Iskariot iu nënshtrua tragjikisht një tundimi djallëzor, sepse nuk diti të besojë në madhështinë e faljes së Hyjit - pati theksuar Papa në audiencën e përgjithshme të 18 tetorit 2006, duke ia kushtuar katekizmin pikërisht apostullit, që e tradhtoi Jezusin. Kur kujtojmë rolin negativ të Judës në historinë e Jezusit, duhet të mendojmë edhe për drejtimin e lartë të ngjarjeve nga ana e Zotit. Misteri hyjnor dhe veprimtaria historike gërshetohen në personin e Judës Iskariot. Kështu shprehet Benedikti XVI, dhe vijon: “Është një ngjarje, që e larton madhështinë e mëshirës së Hyjit, por njëkohësisht edhe respektin e Tij për rrugën që zgjedh vetë njeriu. Apostulli, që kreu një akt tradhtie të pashembullt, u bë simbol i së keqes e meritoi epitetin: Juda tradhtari.
E pra Juda është njëkohësisht edhe njeriu që, megjithëse kreu një gjest të pafalshëm, bën pjesë në “planin misterioz shpërblyes të Hyjit”. Benedikti XVI sintetizon dy skajet e një historie, që arrin njëkohësisht në thellësitë e ligështisë njerëzore e ndër majat e historisë së shëlbimit. “Atëherë Juda, tradhtari, duke parë se Jezusi ishte dënuar, u pendua e ua ktheu tridhjetë monedhat e argjëndta kryepriftërinjve e pleqve, duke thënë: ‘Mëkatova sepse tradhtova gjakun e pafajshëm- shpjegon Papa.
Benedikti XVI vë në plan të parë dy pyetje kryesore. Lindin nga leximi i fragmenteve, që përshkruajnë tradhtinë e Judës Iskariot, të cilin ungjilltarët, në përkim të plotë njëri me tjetrin, e quajnë ‘njëri nga të Dymbëdhjetët’. Pse i besoi Jezusi Judës? E, posaçërisht, pse Juda e tradhtoi Jezusin? Në rastin e parë fakti që Krishti zgjodhi Judën, mbetet mister. E bëhet edhe më i dendur misteri i fatit të tij të amshuar, duke e ditur se Juda u pendua, siç e dëgjuam, e ia ktheu tridhjetë monedhat e argjendit kryepriftërinjve dhe pleqëve. Ndonëse ai më pas u largua e shkoi për t’u varur, nuk na takon ne ta vlerësojmë gjestin e tij, duke zevendësuar Zotin, që është pambarimisht i mëshirshëm e i drejtë”- na mëson Papa.
Lidhur me pyetjen ‘Pse e tradhtoi Juda Krishtin’, disa ekzegjetë kanë shprehur mendimin se e bëri këtë nga që ishte i etur për para. Disa të tjerë mendojnë se pati një zhgënjim mesianik. Jezusi nuk do të ishte çlirimtari politik i Izraelit.
Ngjarja e Judës ka edhe një epilog tjetër, që përfaqësohet nga Shën Matia Apostull, i zgjedhur pas Pashkëve në vendin e Iskariotit. Ai – thekson Papa – kujtohet për besnikërinë e patundur si dëshmitar që e ndoqi pas Jezusin gjatë gjithë jetës së tij tokësore. E ky shembull na jep një mësim të ri:
“Në të vërtetë – na kujton Papa – tekstet ungjillore ngulin këmbë në një aspekt tjetër: Gjoni thotë shprehimisht se djalli e nxiste Judën Iskariot, birin e Simonit, të tradhtonte. Juda iu nënshtrua tundimit të djallit. E kjo i kapërcen arsyet historike dhe e ngarkon me përgjegjësi personale. Edhe Pjetri e mohoi Krishtin, por diti ta pranojë faljen. Ndërsa tek Juda, pendimi kalon në dëshpërim e më pas edhe në vetëshkatërrim.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Juda iu nënshtrua thjesht një force të mbinatyrshme. Në Meshën e së Enjtes së Madhe të 13 prillit, vitin e kaluar, Papa theksoi se Juda tradhtoi. E kjo…:
“Është për ne një ftesë për ta pasur parasysh se nuk duhet të dëshpërohemi kurrë përballë mëshirës hyjnore…. Jezusi e respekton lirinë tonë, Jezusi pret që të pendohemi e të kthehemi në rrugë të drejtë. Ai është i pasur me mëshirë e me falje”.
Në se zemra njerëzore mund të çoroditet në mënyra nga më të ndryshmet, e vetmja mënyrë për t’u shmangur prej tyre – vijon të shpjegojë Papa – është të mos i vlerësojmë sendet në këndvështrimin personal, duke i parë me syrin tonë njerëzor, por përkundrazi, të radhitemi gjithnjë përkrah Jezusit, duke i parë sipas këndvështrimit të Tij e me sytë e Tij. Edhe në se në Kishë nuk mungojnë të krishterët e padenjë e tradhtarë, na takon ne të gjithëve ta shpërblejmë të keqen e kryer prej tyre me dëshminë e pastër që japim për Jezu Krishtin, Zotin e Shëlbuesin tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.